Kryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi në fjalimin e tij të parë në Kuvend, shprehu fillimisht mirënjohje për votuesit, për të qenë përfaqësues të tyre dhe të gjithë deputetët që me votën e tyre mbështetëse, por edhe kundërshtuese ose abstenuese, ishin pjesë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, shkruan Nistori.
“Ndonëse unë jam këtu me përkatësinë time politike, etnike e religjioze, madje nesër – me qeverinë në ardhje që po kompozohet mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN – do të jem pjesë e shumicës qeveritare, si kryetar i Kuvendit përkatësia e vetme e imja do të jetë garancia që asnjë deputet të mos ndjehet i papërfaqësuar ose, mos dhashtë Zoti, i diskriminuar. Pas këtyre dy dekadave demokraci, ne të gjithë duhet të dëshmojmë se kemi arritur pjekuri të mjaftueshme që ta respektojmë mendimin ndryshe, të dëgjohemi mes vete, edhe kur nuk pajtohemi këtë ta bëjmë me argumentim dhe duke e respektuar dinjitetin e tjetrit dhe, përgjithësisht, si shoqëri para qytetarëve që na ndjekin të përdëftojmë se ne jemi përfaqësimi më i mirë i kësaj shoqërie ose, në një mënyrë, Maqedonia e Veriut në miniaturë. Shumë të dashur deputetë dhe qytetarë të nderuar, vitin e kaluar isha në SHBA dhe kisha mundësi ta takoj ish Sekretarin e Shtetit, i cili ndërroi jetë vetëm disa muaj më pas, diplomatin e pazëvendësueshëm Henri Kisinxher. Derisa sot po ju drejtohem, ai më vjen në mendje me fjalinë e tij shumë frymëzuese, të cilën po e them njësoj si ai në vetën e parë: “Unë besoj në lirinë e shprehjes dhe besoj se shoqëritë lulëzojnë vetëm kur e lejojnë lirinë e shprehjes.”. Si njeri, si politikan dhe si deputet e kam mendimin tim politik dhe për të do të angazhohem gjithnjë, por si kryetar Kuvendi do të jem këtu që të siguroj se vendi ynë dhe shoqëria jonë do të lulëzojnë pikërisht sepse e respektojnë lirinë e shprehjes”, deklaroi Gashi në Kuvend.
Gashi theksoi se e kaluara është material i mirë për historianët, por jo për politikanët, sepse gjëja e vetme që nuk ndryshon është e kaluara. Sipas tij, kërkohet të japim zgjidhje për të ardhmen e jo shpjegime për të kaluarën. Nëse nuk e bëjmë këtë, por vazhdojmë të krekosemi ose akuzohemi për të kaluarën, kjo nuk u bën asnjë dobi qytetarëve tanë. /Nistori/