Korrupsioni në Maqedoni frikëson investitorët gjermanë

    Pjesa dërmuese e kompanive gjermane në vend, përkundër problemeve të caktuara nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga investimet në Maqedoninë e Veriut.

    “Pjesa më e madhe e biznesit gjerman është e vendosur në zonat e lira dhe gjykuar sipas sondazheve, 75 për qind e tyre sërish do të investonin këtu. Kjo me fjalë të tjera nënkupton se ata janë të kënaqur”, thotë Patrik Martens shef i Delegacionit të biznesit gjerman në shtet.

    Gjasat për investime të mëtejshme janë në industrinë metalike, të drurit dhe ushqimit, tekstili dhe prodhimit të këpucëve si dhe në sektorin e teknologjisë informatike. Mirëpo, përkundër gatishmërisë që edhe më tej të punojnë këtu, biznesi gjerman ka shprehur edhe shqetësimit dhe brengat e tij. Sipas Martens, sfidat mbeten korrupsioni, procedurat e ngadalshme burokratike, si dhe reformat juridike. Përskaj krizës energjetike si problem dhe rrezik madhor për biznesin, çështje tjetër që prek ekonominë në vend është se Maqedonia e Veriut në dhjetë vitet e fundit ka humbur shumë njerëz shton ai. Për më tepër, për suksesin e investitorëve një rëndësi të madhe kanë resurset njerëzore.

    Nga ana tjetër, përkundër rritjes historike të eksportit nga Maqedonia në Gjermani në afër 2 miliardë euro e 750 milionë euro vetëm në nëntë muajt e parë të vitit në raport me 2 miliardë e 445 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, apo është rritur për gati 900 milionë euro karshi të njëjtës periudhë të vitit 2020, akoma ka ankesa për problemet e ndryshme nga biznesi gjerman në vend.

    Përfaqësuesit e kompanive gjermane nuk janë të kënaqur me nivelin e lartë të korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, tregon anketa e fundit për klimën e biznesit në vend, të cilin tradicionalisht e realizon, Delegacioni i Ekonomisë Gjermane. Përkundër rritjes së eksportit dhe shkëmbimit tregtar mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, që pavarësisht pandemisë po shënon shifra historikisht të larta, afaristët kërkojnë përmirësime në disa fusha.

    Para së gjithash përskaj korrupsionit ka pakënaqësi të madhe tek kompanitë dhe kërkohen përmirësime lidhur me sigurinë juridike, stabilitetin politik, infrastrukturën, si dhe transparencë më të madhe në prokurimin publik. Njëherësh sondazhi ka treguar se 30 për qind e kompanive të anketuara, përfshirë kompanitë vendore që bashkëpunojnë me Gjermaninë, nuk do të investonin sërish në Maqedoni, që i detyrohet më shumë faktorëve , por në radhë të parë mungesës së fuqisë punëtore në vend.

    Nga ana tjetër, kompanitë në Maqedoninë e Veriut u shprehën të kënaqur me harxhimet e kontributeve, produktivitetin dhe gatishmërinë për punë të personelit. Kompanitë shprehën kënaqësinë më të madhe me punonjësit e tyre, ndërsa produktivitetin e stafit profesional dhe motivimin e punonjësve e vlerësuan me rezultatin më të lartë.

    Problemi më i madh për kompanitë është lufta në Ukrainë, ku 96.4 për qind përballen me kosto të shtuara për energjinë dhe materialet riprodhuese, 64.3 për qind presin një ndërprerje në zinxhirin e furnizimit global, dhe 46.4 për qind tashmë po përballen me mungesën e materialeve që u nevojiten për prodhim. Më shumë se gjysma e biznesmenëve të anketuar presin që situata të normalizohet vetëm në vitin 2023. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Falsifikuan tenderin për ndriçimin publik | Padi penale për tre të punësuar në Komunën e Radovishit

    Lajmi i rradhës

    Taravari: ASh do t’i votojë të gjitha ndryshimet kushtetuese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë