Gati dyfish më pak qengja në Dibër

    Këto ditë në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë ka filluar plasmani i qengjave për tregun vendas dhe atë të huaj. Viti karakterizohet me uljen e numrit të qengjave të cilët do të shiten meqë Dibra dhe rajoni kanë një ulje të numrit të dhenve gjatë dy viteve të fundit. Poashtu bisedimet që patën blegtorët dibran me kompanitë që bëjnë blerjen e qengjave nuk dhanë rezultate, por blegtorët janë të detyruar që të shesin qengjat për çmim nga 230 denarë kilogram për peshë të gjallë.

    Këtë vit sipas shoqatës së blegtorëve “Dashi” në Dibër, pritet që të shiten afro 12 mijë qengja. Është një numër më i vogël në krahasim me dy vitet e kaluara kur blegtorët dibran dhe ata të Zhupës plasonin nga 20 mijë qengja. Përfaqësuesi i shoqatës “Dashi”, blegtori i njohur dibran Skënder Ame për gazetën Koha, deklaroi se tre kompani që tregtojnë blerjen dhe plasmanin e qengjave nga rajoni i Dibrës deri tani kanë blerë mbi 3 mijë qengja.

    “Planifikojmë si shoqatë që në këtë sezon të bëjmë plasmanin të afro 12 mijë qengjave . Edhe këtë vit nuk jemi të kënaqur nga çmimi i shitjes të qengjave, meqë ai as nga së afërmi nuk korrespondon me çmimin e mishit të qengjit që shiten në rrjetin tregtar për 600 deri më 800 denarë për kilogram. Por, nuk kemi rrugëdalje tjetër, qengjat duhet të shiten. Në bisedimet që patëm me përfaqësues të kompanisë ‘Stoko Promet’ nga Gostivari dhe dy kompani të tjerë nga Kavadari dhe Strumica patëm debate rreth çmimit. Ata kishin argumentet e tyre dhe u dakorduam për çmimin me të cilin tani shiten qengjat e Dibrës dhe rajonit”, thotë blegtori Skënder Ame.

    Ne jemi të vetëdijshëm se çmimi patjetër duhet të jetë më i lartë, por sezoni në të cilën jemi nuk na la kohë që të gjejmë mundësi të tjera për plasmanin e qengjit. Duke komentuar uljen e numrit të qengjave që kanë të bëjnë me plasmanin e tyre, përfaqësuesi i shoqatës së blegtorëve “Dashi”, thotë se ka një ulje të përgjithshme të dhenve në rajon. Sipas tij para disa vitesh në këtë rajon numri i dhenve ishte mbi 40 mijë kurse tani është përgjysmuar. Kjo flet qartë për zhvillimin e dobët të blegtorisë në rajon. Tani, shton ai, ka mundësi që ky numër të vazhdon të ulet meqë subvencionet vonohen dhe blegtorët për shkak të migrimit masiv të popullatës, janë në ulje. Kjo ndodh si në Dibër ashtu edhe në fshatrat e komunës rurale Qendër Zhupë. Kryesia e shoqatës së blegtorëve “Dashi”, disa herë ka apeluar tek institucionet përkatëse të paguaj subvencionet në kohë edhe atë me një rritje të tyre, por kjo nuk ka ndodhur, thonë nga kjo shoqatë.

    Në lidhje me plasmanin e qengjave të Dibrës biseduam edhe me përfaqësues të kompanive tregtare që blejnë qengjat e tyre që i plasojnë në vend dhe jashtë vendit. Ata na informuan se pjesa dërmuese e qengjave do të përfundojë në tryezat e italianëve dhe një pjesë më e vogël në tregun e vendit. Në lidhje me çmimin të cilin ata e paguajnë për qengjat, ata thonë se kanë shumë harxhime të tjera kur është në pyetje transporti i qengjave jashtë vendit. Poashtu shtojnë se ky çmim është i përcaktuar edhe të qengjave të rajonit të vendit.

    Lajmi Paraprak

    Malësia e Tetovës me plot deponi të egra

    Lajmi i rradhës

    Pse Maqedonia është atraktive për investimet e huaja!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë