Pse Maqedonia është atraktive për investimet e huaja!

    Pavarësisht se Maqedonia e Veriut renditet si një nga vendet e rajonit që nuk  ka arritur të kalojë kufirin e një miliard euro  investimeve të huaja direkte,  Indeksi Global i Mundësive 2024 e rendit atë si një prej tre terreneve më të mira për të investuar  në rajon. Indeksi është krijuar nga Instituti Milken për të ndihmuar investitorët që kërkojnë mundësi jashtë tregjeve të tyre lokale, si dhe vendet që kërkojnë të përmirësojnë mjediset e tyre të biznesit. Maqedonia radhitet e treta në vendin 54. Vendet e tjera të rajonit, renditen shumë më poshtë me pozicione të përkeqësuar, si Serbia (në vendin e 59), Shqipëria (vendin 73). Në indeks janë marrë në analizë 5 komponentë.

    Maqedonia  performon më mirë në “Perceptimin e Biznesit”, që lidhet kryesisht me masat dhe kufizimet që has biznesi, si dhe masat lehtësuese për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke u renditur në vendin e 42, si edhe tek “Shërbimet financiare” (aksesi që ka një vend në shërbime të tilla) . Në këto dy kategori është mbi mesataren, ndërsa performacat më të dobëta janë tek dhe “Kuadri institucional” (shkallën në të cilën institucionet e një vendi ndihmojnë ose pengojnë aktivitetin e biznesit,  të drejtat e investitorëve, inovacioni),  “Bazave ekonomike”, që lidhen me parashikimin makroekonomik të vendit, kualifikimin e fuqisë punëtore dhe potenciali për zhvillimin inovativ të vazhdueshëm, përmirësimi i mjedisit për rritjen e investimeve.

    Si edhe “Standardet dhe politikat ndërkombëtare”, që kanë të bëjnë me faktin se sa i integruar është një vend me komunitetin ndërkombëtar, patentat dhe markat tregtare, taksat dhe rregulloret. Këto tre tregues kanë marrë më pak pikë, por prapëseprapë qëndrojnë mbi mesataren.

    “Ndër 10 vendet me rezultatet më të larta të GOI në vendet në zhvillim në Evropë, Moldavia dhe Shqipëria janë vendet vetmet, që bien nën mesataren në dy kategori: Shërbimet Financiare dhe Kuadri Institucional. Në të dyja vendet, kuadrot Institucionale pengohen veçanërisht nga performanca e dobët e tyre, në nënkategorinë e Qeverisjes Publike, e cila bie dy devijime standarde, nën standardin”, thuhet në indeks. Ndërsa si pesë top destinacionet më të mira në botë për investime janë Danimarka, Suedia, Finlanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

    Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2023, investimet direkte gjithsej në vend shënuan flukse hyrëse neto prej 232.6 milionë euro, si rezultat i rritjes së flukseve hyrëse neto bazuar në borxhin ndërkompani (prej 285.8 milionë euro) dhe rritjes së investimeve në kapital (49 milionë euro).

    “Në total në vitin 2023, investimet totale direkte në vend arritën 616.7 milionë euro, si rezultat i hyrjeve neto në kapitalin e vet (274.8 milionë euro), fitimeve të riinvestuara (172.9 milionë euro) dhe borxhit ndërkompani (me 169.1 milionë euro)”, thuhet në të dhënat e Bankës Popullore. Sa i takon IHD, vendi renditet nga fundi i rajonit. Kroacia numëron mbi 3.6 miliardë euro, më pas Bullgaria, Sllovenia, Shqipëria. Ndërsa nën 1 miliardë euro vijnë Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Gati dyfish më pak qengja në Dibër

    Lajmi i rradhës

    Vrulli i fotovoltaikëve në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë