“Gjenerata Z” e Ballkanit nuk ka ndërmend të largohet nga vendet e saj

    Nga të anketuarit, 64.8 për qind janë përgjigjur se e imagjinojnë të ardhmen në vendin e tyre amë. Përqindja më e lartë është në Mal të Zi (74.5 për qind), pasuar nga Kosova (73.4 për qind), Shqipëria (69.6 për qind), Serbia (66 për qind), Maqedonia e Veriut (53.3 për qind) dhe Bosnja dhe Hercegovina (52.9 për qind)

    Shkup, 4 mars – Më shumë se gjysma e pjesëtarëve të Gjeneratës Z e shohin të ardhmen e tyre në vendet e tyre amë në Ballkanin Perëndimor, ka treguar hulumtimi i kryer nga Fondacionet Shoqëria e Hapur – Ballkani Perëndimor gjatë muajve maj dhe qershor 2025, me mbi 6.000 të rinj të moshës 16 deri në 28 vjeç, shkruan gazeta KOHA.

    Hulumtimi ka matur qëndrimet politike, shqetësimet dhe shpresat e kësaj gjenerate që jeton në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Gjenerata Z përbëhet nga të lindurit mes viteve 1995 dhe 2010.

    Nga të anketuarit, 64.8 për qind janë përgjigjur se e imagjinojnë të ardhmen në vendin e tyre amë. Përqindja më e lartë është në Mal të Zi (74.5 për qind), pasuar nga Kosova (73.4 për qind), Shqipëria (69.6 për qind), Serbia (66 për qind), Maqedonia e Veriut (53.3 për qind) dhe Bosnja dhe Hercegovina (52.9 për qind).

    Në të kundërt, 23 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se nuk e shohin të ardhmen në vendin e tyre, ndërsa 12,2 për qind janë përgjigjur se nuk e dinë.

    Në përgjithësi, hulumtimi ka dhënë “të dhëna bindëse” se në të gjithë rajonin, Gjenerata Z beson në demokraci, i vlerëson zgjedhjet dhe e mbështet të ardhmen evropiane, është e informuar për politikën dhe pragmatike sa u përket reformave institucionale të nevojshme për zgjidhjen e problemeve të përditshme. Megjithatë, ajo mbetet e përjashtuar nga politika formale dhe mobilizohet vetëm në mënyrë selektive për çështje specifike.

    Për këtë arsye, fitimi i besimit dhe pëlqimit të tyre paraqet sfidën kryesore për institucionet kombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.

    Raprti “Pulsi i Demokracisë: Gen Z në Ballkanin Perëndimor” u promovua në Bruksel në një event tërditor. Pjesë e ngjarjes ishin një seri diskutimesh me Euro-deputetë dhe personalitete evropiane si filozofi dhe autori i mirënjohur Ivan Krastev.

    Autore e studimit është Lura Pollozhani, kurse projekti u drejtua nga Nazim Rashidi.

    Për gazetën KOHA, Rashidi thotë se ngjarja, projekti dhe studimi i veçantë nuk do të ndodhnin pa mbështetjen dhe punën aq të dedikuar e profesionale të gjithë stafit të OSF Western Balkans. “Dëshira dhe synimi i përbashkët është që studimi të shërbejë si një mundësi për ndërtimin e politikave të secilit vend të Ballkanit Perëndimor, por dhe të rajonit sëbashku”.

    Studimi rreth 100 faqesh, përmbledh më shumë fusha dhe jep një bazë të madhe të dhënash për institucione, organizata dhe qeveritë.

    Faktet përmbledhëse gjenden te linku më poshtë:

    https://osfwb.org/wp-content/uploads/2026/03/Factsheet_Democracy-Pulse-Gen-Z-in-the-Western-Balkans.pdf

    Raporti i plotë gjender në linkun më poshtë:

    https://osfwb.org/wp-content/uploads/2026/03/Report_Democracy-Pulse-Gen-Z-in-the-Western-Balkans.pdf

    Lajmi Paraprak

    UEJL mbështet protestën e studentëve shqiptarë për jurisprudencën në shqip

    Lajmi i rradhës

    Kushtetuta për dikë nënë, e për dikë njerkë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë