Gjermania emëron të dërguar për Ballkanin Perëndimor

    Qeveria gjermane emëroi të premten politikanin Manuel Sarrazin të dërguar të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor.

    Sarrazin është i dërguari i parë gjerman për këtë rajon, sepse pozita e tillë nuk ka ekzistuar në qeveritë e mëparshme gjermane.

    Ai është anëtar i Partisë së Gjelbër dhe ka qenë anëtar i Parlamentit gjerman nga viti 2008 deri në vitin 2021.

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, njëherësh bashkëpartiake e Sarrazinit, e përgëzoi atë, duke thënë se “Ballkani Perëndimor ka nevojë për mbështetje të fuqishme nga Bashkimi Evropian”.

    Ajo po ashtu tha se Sarrazin është mbështetës i fuqishëm i zgjerimit të BE-së.

    Sarrazin është i dërguari i katërt perëndimor për rajonin.

    Nga SHBA-ja, në postin e të dërguarit të posaçëm është Gabriel Escobar, nga Mbretëria e Bashkuar është Sir Stuart Peach dhe nga Bashkimi Evropian është Mirosllav Lajçak, i cili është i ngarkuar në mënyrë të posaçme me dialogun Kosovë – Serbi.

    Të gjithë ata janë pjesë e përpjekjeve për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

    Kosova dhe Serbia qysh në vitin 2011 janë të përfshira në negociata, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Mënyrat më të mira të përgatitjes së kërpudhave

    Lajmi i rradhës

    Draghi: Çdo sanksion i BE-së ndaj Rusisë nuk duhet të godasë energjinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë