Gjermanishtja, “biletë” për dalje nga varfëria!

    Pavarësisht dominimit global të anglishtes si gjuha e parë e huaj, gjuha gjermane tregon vitalitet të madh. Për shumë njerëz, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, është hyrja në tregun gjerman të punës. Një ndër arsyet kryesore që po shtynë të rinjtë nga vendi ynë ta mësojnë gjuhën gjermane sigurisht që janë arsyet ekonomike ku përmes gjuhës gjermane gjendet një punë me pagë shumë të mirë por edhe shkaku i mundësisë së lehtë për të migruar drejtë Gjermanisë. Mësimi i një gjuhe është gjithmonë i lidhur me njohjen e kulturës që lind në atë gjuhë. Dhe këtu, në shkallë globale, gjermanishtja është nën presion të madh nga anglishtja, e cila dominon kulturën bashkëkohore muzika, filmat apo videolojërat. Dhe nuk duhet të anashkalojmë faktin se ka gjuhë botërore me një numër kaq të madh njerëzish që i flasin, si kinezishtja apo spanjishtja, sa që në krahasim me to numri i njerëzve që flasin gjuhën gjermane është i vogël. Sigurisht, edhe kultura përhapet në të gjitha ato gjuhë.

    Megjithatë, në zonën e Ballkanit Perëndimor, gjermanishtja ende perceptohet si një gjuhë e madhe dhe e rëndësishme. Edhe pse në ditët e sotme është e vështirë të përcaktosh qarqet kulturore dhe të dallosh se nga vjen ndikimi, prapëseprapë në vendet e Ballkanit Perëndimor vërehet prania e kulturës gjermane në vend dhe në jetën e përditshme.

    Një qytetare e komunës së Çairit theksoi për gazetën KOHA se gjuha gjermane sot po mësohet vetëm për të zgjeruar mundësit e punës jashtë vendit. “Unë kam mësuar dy vite gjuhë gjermane në Shkup dhe të gjithë aty ishin të rinj, ata mësonin gjuhën gjermane vetëm për përgatitje për një punë më të mirë. Sa i përket çmimeve, kanë ndryshuar shumë që prej dy viteve, për shkak të interesimit të madh çmimet tani kanë kaluar mbi 100 euro”, deklaroi për KOHA Arta Saiti.

    Informacionet për largimin masiv të të rinjve, personave të kualifikuar, por edhe të familjeve drejt Evropës konfirmohen edhe nga numri i kërkesave për viza pune në Evropën Perëndimore që mbërrijnë çdo muaj në ambasadat. Zyra gjermane e vizave dy vitet e fundit ka regjistruar rritje enorme të kërkesave për viza nga shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kërkesa e vetme për të marrë vizë është që aplikuesit të kenë një kontratë pune në një kompani gjermane. Dhe numri i tyre që kanë një kontratë nuk është i vogël. Vetëm në 2018, Gjermania për shtetasit e Maqedonisë ka ndarë 3.675 viza pune.

    Për këtë profesoresha e gjuhës gjermane Arjeta Ibishi Deari tha për gazetën KOHA se interesimi për gjuhën gjermane nga vitet e mëparshme është rritur për 100 për qind më shumë. “Për mësimin e gjuhës gjermane ne krahasim me vitin 2018 dhe deri tani, lirisht mund të them se interesimi është rritur për 100 për qind e më shumë. Në afatet e regjistrimeve ka shumë të interesuar për mësimin e kësaj gjuhe që tashmë është bërë gjuha e dytë, mirëpo ne si shkollë, nuk kemi kapacitet për të gjithë”, deklaroi Arjeta Ibishi-Deari, profesoreshë.

    Gjatë këtij viti shkollor, Maqedonia numëron 185.099 nxënës vetëm në arsimin fillor, ndërsa të gjithë e kanë gjuhën angleze si gjuhë të parë, ndërsa 51.981 nxënës e kanë gjermanishten si gjuhë të dytë të huaj, 26.177 nxënës e kanë frëngjishten si gjuhë të dytë, ndërsa 364 nxënës gjuhën ruse. Gjuha e dytë e huaj është e obligueshme prej klasës së gjashtë deri në të nëntën, apo te 80 mijë nxënësit e fillores.

    Në arsimin e mesëm në Maqedoninë e Veriut, nga gjithsej 69.227 nxënës, 69.123 e kanë gjuhën angleze si gjuhë të detyrueshme dhe 104 tjerë gjuhën gjermane, ndërsa 20.295 e kanë përzgjedhur gjuhën gjermane si gjuhë të dytë. Në kategorinë e lëndëve zgjedhore, kemi 404 nxënës me gjuhë italiane, 328 me gjuhë gjermane dhe 105 me gjuhë turke.

    Ndryshe, në krahasim me vitin e kaluar shkollor, Maqedonia e Veriut gjatë vitit shkollor 2022/23 ka shënuar ulje të numrit të nxënësve në arsimin fillore për 0.8 për qind, ndërsa në atë të mesëm për 2.5 për qind.

    Lajmi Paraprak

    Ngec riciklimi i mbeturinave në RMV

    Lajmi i rradhës

    ANKOHEN FERMERËT: Më shumë fitojnë tregtarët se prodhuesit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë