Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, ka denoncuar në polici rrezik eventual për sigurinë e saj, pasi afër makinës së saj ka gjetur një shtrat të improvizuar dhe një thikë. Këto mjete i ka hasur pranë venditparkimit afër shtëpisë së saj.
Policia ka konfirmuar se për ngjarjen është njoftuar menjëherë Prokuroria. Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë përgjigje nëse ngjarja mund të lidhet me veturën e djegur të drejtorit të burgut “Idrizovë”, Zoran Jovanovski, duke pasur parasysh faktin se ai më herët ka punuar si gjyqtar dhe së bashku me Kacarskën ka gjykuar rastin “27 Prilli” dhe rastet e hapura nga PPS e atëhershme.
Zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese bëri të ditur se Kacarska edhe më herët ka marrë kërcënime nëpër rrjetet sociale, por ka vendosur që të mos i denoncojë në polici.
“Është e vërtetë se dje kryetarja e gjykatës Kushtetuese Dobrilla Kacarska në stacion policor ka denoncuar cenim eventual të sigurisë kur në vendparkimin e saj privat, në afërsi të vendbanimit, rreth 20 centimetra larg makinës së saj, është gjetur thikë dhe disa mjete të tjera. Kjo është çfarë mund të ju konfirmoj në këtë moment”, pohoi Hristina Bellovska, zëdhënëse e Gjykatës Kushtetuese.