Gratë dhe burrat janë pothuajse të barabartë në Listën Zgjedhore, por kjo barazi nuk reflektohet gjithmonë në ditën e zgjedhjeve. Të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve tregojnë se në disa komuna gratë kanë marrë pjesë dukshëm më pak në votim, duke nxjerrë në pah një fenomen që ndryshon nga një mjedis lokal në tjetrin. Dallimi më i madh është regjistruar në Pllasnicë, ku nga qytetarët që votuan, 61.5 për qind ishin burra dhe 38.5 për qind gra. Hendek i theksuar është evidentuar edhe në Sopishtë, me 59.2 për qind burra dhe 40.8 për qind gra, si dhe në Haraçinë, ku raporti ishte 58.3 për qind me 41.7 për qind. Në Mavrovë dhe Rostushë burrat përbënin 58 për qind të pjesëmarrësve, ndërsa gratë 42 për qind, kurse në Staro Nagoriçan 56.9 për qind me 43.1 për qind. Në nivel vendi, në Listën Zgjedhore ishin regjistruar 916.977 burra dhe 915.438 gra, pra pothuajse një numër i barabartë.
Megjithatë, në zgjedhje kanë dalë 51.6 për qind e burrave dhe 48.4 për qind e grave. Pamja ndryshon në disa prej komunave më të mëdha. Në Karposh, pjesëmarrja e grave ka qenë 52.6 për qind, ndërsa në Aerodrom 52 për qind. Pra, nuk bëhet fjalë për një model të njëjtë në të gjithë vendin, por për dallime që shfaqen nga një komunë në tjetrën.
Të dhënat u prezantuan në konferencën “Avancimi i pjesëmarrjes së grave në zgjedhje përmes të dhënave, përfitimeve dhe partneriteteve”, të organizuar nga KSHZ-ja, OSBE-ja dhe IFES-i. Anëtarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu, tha se të dhënat sipas gjinisë duhet të shërbejnë për të kuptuar më mirë këto dallime. “Të dhënat e ndara sipas gjinisë nuk na tregojnë vetëm sa gra dhe burra kanë votuar. Ato na ndihmojnë të kuptojmë se kush merr pjesë në vendimmarrjen demokratike, ku ekzistojnë dallime dhe ku institucionet duhet të veprojnë më shumë”, tha Shehu. Ndërkohë, hendeku nuk shihet vetëm te votueset. Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, gratë përbënin rreth 35 për qind të kandidateve për këshillat komunalë, ndërsa vetëm rreth 10 për qind e kandidatëve për kryetarë komunash ishin gra.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Uall, theksoi se pjesëmarrja e grave duhet parë përtej shifrave. “Qëllimi i konferencës së sotme nuk është t’i shohim gratë ekskluzivisht nga perspektiva numerike, por të shohim edhe pjesëmarrjen dhe fuqizimin e grave, gra që mund të garojnë, të udhëheqin dhe të kenë pjesëmarrje thelbësore dhe lidership të vërtetë”, tha Uall.
Ai vuri në dukje nevojën për rritjen e dukshmërisë së grave në fushata dhe krijimin e një mjedisi politik të sigurt, ndërsa Kristofer Le Mon nga IFES-i theksoi se gratë duhet të kenë mundësi të marrin pjesë jo vetëm si votuese, por edhe si kandidate dhe lidere. KSHZ-ja paralajmëroi publikimin e të dhënave të detajuara për të gjitha 80 komunat, me qëllim që të identifikohen më qartë dallimet në pjesëmarrjen e grave dhe burrave. Shifrat e zgjedhjeve lokale tregojnë kështu një kontrast të qartë: barazia në numrin e votuesve të regjistruar nuk do të thotë gjithmonë edhe barazi në pjesëmarrje. Në disa komuna gratë mbeten dukshëm pas burrave në ditën e votimit, ndërsa në të tjera janë ato që dalin më shumë. Pikërisht ky ndryshim nga një komunë në tjetrën e bën fenomenin të rëndësishëm për t’u analizuar më tej. /Koha/




