GREQIA, DIKUR “ARMIK”, SOT E MBËSHTETË RMV PËR INTEGRIME!

    Kontaktet politike, bashkëpunimi i vazhdueshëm, mbështetja greke për integrimin tonë në BE, por edhe konfirmimi i marrëdhënieve të mira që janë ndërtuar intensivisht në vitet e fundit, karakterizuan marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në vitin e kaluar. Ndoshta kontaktet dhe takimet në nivel bilateral nuk kanë qenë aq intensive sa një vit më parë, duke qenë se viti 2023 ishte një vit zgjedhor në Greqi, por edhe një vit me një sërë problemesh për fqinjin jugor, ende marrëdhëniet janë në nivele të lakmueshme, dhe kontaktet bilaterale tashmë janë bërë normale.

    Përfaqësuesit e qeverisë morën pjesë në konferenca dhe forume, realizuan vizita bilaterale dhe Maqedonia e Veriut ishte e pranishme edhe në Greqi në nivel kulturor. Me ftesë të kolegut të tij grek, kryeministri Kovaçevski mori pjesë në darkën joformale me rastin e 20-vjetorit të agjendës së Selanikut për perspektivën e BE-së të Ballkanit Perëndimor, zëvendëskryeministrit Mariçiq në fillim të vitit dhe zëvendëskryeministrja Grkovska në nëntor vizituan Athinën dhe zhvilluan një sërë takimesh, ndërsa ministrja e Mbrojtjes Petrovska mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë DEFEA 2023.

    Pas zgjedhjeve të dyfishta parlamentare në Greqi në maj dhe qershor, nuk pati asnjë ndryshim qeverie, ndaj politika, si në raport me vendin tonë, ashtu edhe në lidhje me integrimin në BE të të gjithë rajonit, mbeti e pandryshuar dhe Athina vazhdoi dhe vazhdon të jetë mbështetës i fortë i Maqedonisë. Menjëherë pas betimit solemn nga qeveria greke e re dhe vetëm katër ditë pasi mori besimin nga Parlamenti, kryeministrat e të dy vendeve, si dhe krerët e diplomacisë, u takuan në margjinat e Samitit të NATO-s në Vilnius. Kovaçevski dhe Micotakis më pas shkëmbyen mendime për zhvillimet e fundit në rajon, shqyrtuan marrëdhëniet bilaterale dhe riafirmuan vullnetin për thellimin e tyre.

    Ndryshimi në Ministrinë e Jashtme me largimin e Nikos Dendias dhe ardhjen e Giorgos Gerapetritis nuk solli ndryshime dhe shefi i ri i diplomacisë e pati takimin e parë me homologun e tij nga Shkupi në Samitin e NATO-s. Marrëdhëniet bilaterale, Marrëveshja e Prespës dhe perspektiva evropiane e rajonit ishin në fokus të takimit mes Osmanit dhe Gerapetritis.

    MBËSHTETJA GREKE PËR INTEGRIMET, E PANDRYSHUAR

    Duke patur parasysh se 21 qershori shënoi 20 vjetorin e “Deklaratës së Selanikut” të miratuar në Samitin BE-Ballkani Perëndimor gjatë Presidencës greke të Unionit, kryeministri grek Kyriakos Micotakis shtroi një darkë jozyrtare në fund të gushtit për liderët e Ballkanit Perëndimor dhe vendet anëtare të BE-së nga rajoni, ku morën pjesë kryeministri Dimitar Kovacevski, si dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe presidentja e KE-së Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel.

    Burime të qeverisë greke më pas informuan se për Athinën, 20-vjetori i Samitit në Selanik dhe ftesa e kryeministrit grek për liderët e rajonit është një mundësi për të theksuar se Greqia është në anën e Ballkanit Perëndimor dhe si anëtare e familjes evropiane, por edhe si ekonomia më e madhe në rajon mbështet integrimin në BE të të gjitha vendeve. Pas darkës joformale, kryeministri Kovaçevski tha se duhet guxim dhe vendosmëri dhe se Maqedonia e Veriut nuk duhet të jetë më në dhomën e pritjes së BE-së.

    “Konfirmimi më i mirë se si duket pritja, ulur në një dhomë pritjeje, është pikërisht ky takim këtu, sepse takimi i Selanikut u zhvillua saktësisht 20 vjet më parë. Në takimin e Selanikut 20 vjet më parë, pjesë e Ballkanit Perëndimor ishte Kroacia, ishte Samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe Kroacia ishte gjithashtu në Ballkanin Perëndimor. Së bashku me Kroacinë filluam anëtarësimin, participimin në BE në vitin 2006”, theksoi kryeministri dhe shtoi se tani Kroacia është anëtare e BE-së, anëtare e Shengenit dhe një vend ku euro është mjeti pagesorë “dhe kemi ende politikanë që thonë se duhet të presësh”.

    Në lidhje me darkën joformale në Athinë në mbështetje të zgjerimit të Unionit, zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, tha se është një nismë që dëshmon edhe një herë rolin lider të Greqisë si shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë energjetike në Ballkan dhe Evropën Juglindore. Athina zyrtare në çdo rast thekson mbështetjen për anëtarësimin e të gjitha vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian. Gjatë Samitit në kuadër të Procesit të Berlinit në Tiranë, kryeministri grek Kyriakos Micotakis tha se “Greqia mbështet në mënyrë të vendosur dhe të palëkundur perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor”, por edhe se ata janë mbështetës të vendosur të nevojës së vendeve të rajoni për t’u integruar në familjen evropiane.

    Kreu i diplomacisë greke, Giorgos Gerapetritis, duke folur në një konferencë në shtator, theksoi se Greqia ka për detyrë si shteti më i vjetër anëtar i BE-së të udhëheqë rajonin drejt integrimit evropian, i cili është rruga më e sigurt dhe më e besueshme për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin, diçka që është në interes dhe të vendeve dhe të rajonit dhe të vetë BE-së.

    Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Aleksandra Papadopulu, e cila erdhi në detyrë pas zgjedhjeve të qershorit, duke folur për zgjerimin e Unionit, në konferencën “Cikli i ideve”, theksoi se Evropa nuk duhet të lejojë një vrimë të zezë dhe perspektiva evropiane e Ukrainës dhe Moldavisë nuk duhet të jetë barrë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

    SHKËMBIM I PËRVOJAVE NË LËMI TË NDRYSHME

    Në nivel ministror, ​​përfaqësues të qeverisë vizituan Athinën për një takim me homologët e tyre grekë.

    Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, në fillim të vitit takoi ministrin alternativ të atëhershëm të Punëve të Jashtme të Greqisë, përgjegjës për Çështjet Evropiane, Miltiadis Varviciotis, ku theksi u vendos në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, ku u konfirmua mbështetja greke në këtë fushë. Mariçiq ka vizituar Athinën edhe pas zgjedhjeve në Greqi, në shtator, kur mori pjesë në një konferencë të Fondacionit për Politikë të Jashtme ELIAMEP, dhe në të njëjtën kohë pati një takim joformal me shefin e diplomacisë greke. Më pas ai tha p se “kur në vitin 2030 do t’I dëgjojmë lajmet se ka anëtarë të rinj të BE-së, dëshirojmë që Maqedonia e Veriut të jetë një nga ato anëtarë të rinj”.

    Digjitalizimi dhe lufta kundër korrupsionit ishin në fokus të takimeve të zëvendëskryeministres përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë Slavica Grkovska gjatë një vizite pune treditore në Athinë në nëntor, kur ajo u takua me Ministrat e Politikës Digjitale dhe Drejtësisë të Greqisë si dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Transparencës. Ajo nga Athina theksoi se është hapur dera dhe është shënuar fillimi i bashkëpunimit të ri me Greqinë në fushat specifike nën kompetenca të saj.

    “Takime të shkëlqyera, shkëmbime të shkëlqyera përvojash dhe jam shumë e kënaqur që ka interes dhe më është ofruar bashkëpunim bukfalisht nga të gjithë. Ato janë gjithashtu të hapura për projekte të përbashkëta dhe ngritjen e komisioneve të përbashkëta që do të punonin për çështje të caktuara, si digjitalizimi i proceseve, si dhe politikat kundër korrupsionit dhe bashkëpunimi i institucioneve që janë në zinxhirin e institucioneve të rëndësishme për luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar”, tha Grkovska. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Shkelet edhe një afat! Autostrada Kërçovë-Ohër nuk është gati

    Lajmi i rradhës

    Vështirësitë e fëmijëve atipik në arsimim!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë