Vështirësitë e fëmijëve atipik në arsimim!

    Para disa vitesh, UNICEF tha se vetëm 39% e fëmijëve në Maqedoni nga mosha tre deri në gjashtë vjeç janë të regjistruar në kopshte, ndërsa mesatarja në BE është 93 për qind. Plus, kopshtet në vendin tonë janë të fokusuara në mbajtjen e fëmijëve, jo edukimin e tyre.

    Në kopshtet tona ka mungesë të pedagogëve specialë, logopedë, ekspertë në fushën e përfshirjes arsimore. Një mësuese apo edukatore e arsimit special nuk mund t’i duhet të “shëtis” gjashtë apo shtatë kopshte në javë, vetëm për të vënë një “tik” në raport. Ndërkohë ata që e vuajnë më së shumti këtë pjesë janë fëmijët që janë penguar në zhvillim, sepse nuk marrin kujdesin, vëmendjen dhe edukimin e duhur. Kjo nënkupton edhe trajnimin e stafit në kopshte.

    Për këtë logopedia Lela Mamuti nga qendra për fëmijët atipik, Shoqata “Vlera” tha për gazetën Koha se prania e logopedëve në shkolla është e domosdoshme.

    “Diagnostifikimi është i vështirë, veçanërisht për edukatoret në kopshte, prandaj prania e logopedëve është e domosdoshme. Megjithatë mendoj se fëmijët me nevoja të veçanta duhet të dërgohen në institucione të tjera për diagnostikim, sepse ndryshe nga edukatoret, logopedët pjesën më të madhe të punës e kalojnë drejtpërdrejtë me fëmijët në formën e ekzaminimit parandalues të fëmijëve në rrezik, ekzaminimit të triazhit të fëmijëve, kryerjes së procedurave diagnostikuese, punës terapeutike për eliminimin e vështirësive. Logopedi gjithashtu punon në bashkëpunim me prindërit dhe edukatorët. Prandaj kur punohet me një fëmijë, respektohen të gjitha veçoritë, zakonet dhe mundësitë e fëmijës”, tha Mamuti.

    Ajo shtoi se trajtimi me logopedi i fëmijëve në periudhën parashkollore dhe ai shkollor është i paimagjinueshëm pa bashkëpunimin me prindërit, pa përfshirjen e tyre në procesin terapeutik dhe vazhdimin e punës me fëmijën në shtëpinë e familjes.

    Nëse kalojmë te shkollat fillore por edhe ato të mesmet, diku filluar që nga infrastruktura, ambientet, stafi, klasat, duke marrë parasysh se pothuajse çdo shkollë ka fëmijë me nevoja të veçanta, mund të themi se asnjë shkollë nuk i përmbush kushtet për një arsimim dhe edukim të atyre fëmijëve, sepse nëse e marrim shembull, në vendin tonë ka fëmijë me shikim të dobët dhe thuajse secila shkollë ka shkallë dhe nga ana tjetër duke filluar që nga tualetet që nuk janë në gjendje të mirë dhe të sigurt, e deri te stafi që nuk mund të merren posaçërisht me ta.

    Lidhur me këtë Shqipe Shala Misini, nga Shoqata “Vlera”, psikologe klinike dhe këshilluese foli për gazetën KOHA, ku përmendi disa nga strategjitë për menaxhimin për fëmijët atipik në shkolla.

    “Detyra e një prindi apo mësuesi është të mbrojë nevojat e fëmijës. Për ta bërë këtë, mësuesit duhet të kuptojnë plotësisht se cilat janë nevojat e fëmijës dhe gjithashtu të kuptojnë opsionet e disponueshme për t’u integruar për operacionet e jetës. Në të kaluarën, disa prindër e humbën mundësinë e fëmijës për t’u integruar me fëmijë të tjerë për të fituar ‘aftësi në paaftësi’ për shkak të mungesës. Strategjia bazë në familje dhe shkolla është sensibilizimi prind-fëmijë apo mësues-fëmijë në rrugën përpara për të ndihmuar fëmijën të fitojë arsim gjithëpërfshirës në vend që të braktiset nën çelës në dhomë”, tha Shala-Misini.

    Ajo gjithashtu shtoi se prindërit kanë nevojë për këshillim për traumën për të parandaluar etiketimin dhe stigmatizimin, dhe sipas saj duhet të vendosen rutina si organizime dhe oferta për fëmijë.

    “Mësuesit si mbështetës duhet të punojnë për të përmirësuar rezultatet arsimore për fëmijët me zhvillim atipik arsimor në një numër mënyrash të veçanta për fëmijën individual. Gjithashtu duhet të vihet në dispozicion fondi në buxhetet e shkollave për blerjen e lodrave speciale për nxënësit me nevoja të veçanta në klasa të integruara dhe theksi duhet vënë në trajnimin e mësuesve profesionistë për edukimin special për të rritur ekspertizën.

    Edhe pse se tashmë shkollat ​​kanë detyrim jo vetëm moral dhe etik, por edhe ligjor për të pranuar të gjithë fëmijët, në disa shkolla ka ekipe të dobëta të gjithëpërfshirjes, mungesë kompetence mes mësuesve, por edhe rezistencë dhe refuzim të përfshirjes. E nëse e gjitha kjo përkthehet në praktikë , do të thotë se prindi dëshiron ta regjistrojë fëmijën në shkollë dhe shkolla thotë “nuk kemi njohuri dhe mundësi për ta pranuar”. Ndërkaq në Ligjin për arsimin bazë thuhet se nëse nuk pranohet çdo fëmijë, diskriminohet.

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka njoftuar disa herë që ju është dhënë “një dorë” fëmijëve me nevoja të veçanta në arsimim, mirëpo kjo vlen vetëm për fëmijët e shkollave fillore, me faktin se arsimi i mesëm duhet të jetë edhe më i avancuar në qasjen individuale.

    Nga ana tjetër, interesimi i nxënësve me aftësi të veçanta për të vazhduar studimet në arsimin e lartë është mjaftë i vogël, e gjitha kjo si pasojë e kushteve dhe mundësive që nuk ju ofrohen. Edhe pse shumica e universiteteve kanë ashensorë, përsëri kjo dukuri nuk merret shumë seriozisht. Për shembull për personat me shikim të dëmtuar janë të nevojshme shtigjet e prekshme dhe një tabelë ndihme në hyrje të fakulteteve, apo pllaka me shenja në dhomat dhe zyrat e profesorëve. Ndër të tjera, analiza e këtij viti për qasjen në arsimin e lartë tregoi rezultate të reja shqetësuese. Rreth 55 për qind e fakulteteve nuk kanë studentë me aftësi të kufizuara ose fakultetet nuk mbajnë statistika për numrin e këtyre studentëve. Për 40 për qind të nxënësve me aftësi të kufizuara, transporti publik është krejtësisht i paarritshëm, ndërsa vetëm në 10 për qind të fakulteteve studentët me aftësi të kufizuara mund të marrin zyrtarisht literaturë në format audio ose digjital.

    Lajmi Paraprak

    GREQIA, DIKUR “ARMIK”, SOT E MBËSHTETË RMV PËR INTEGRIME!

    Lajmi i rradhës

    Energji kryesisht me qymyr  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë