Gripi mbërthen Maqedoninë e Veriut!

    Gripi sezonal ka “sulmuar” vendin gjatë ditëve të fundit. Numri i të sëmurëve nga gripi sezonal po shënon rritje të vazhdueshme, duke shkuar në 161 persona brenda një jave. Sipas Institutit të Shëndetit Publik deri tani janë regjistruar 746 pacientë të sëmurë nga gripi nga fillimi i sezonit të dimrit, ndërsa vetëm një rast është diagnoztifikuar me grip të derrit. Sipas Institutit, numri më i madh i të sëmurëve nga virusi i gripit është në Tetovë. Ndërkaq komisioni për sëmundje infektive do të mblidhet javën e ardhshme, por nuk ka asgjë alarmante për kollën, kovidin dhe gripin, tha kryetari i Komisionit, Aleksandar Petliçkovski. Ai shtoi se gjendja me viruset nuk është aspak shqetësuese.

    “Gjendja nuk është shqetësuese. Kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme apo dramatike. Me kalimin e viteve, ne kemi pasur zero deri në dyzet raste në pesë vitet e fundit. Vitin e kaluar kemi pasur tre raste. Nuk kemi pasur epidemi në vitet e kaluara”, thekson Petliçkovski.

    Sipas tij, vaksinimi është mbrojtja më e sigurt, më e besueshme dhe më efektive kundër kollës dhe të gjitha sëmundjeve të tjera për të cilat ekzistojnë vaksina. E për sa i përket gripit sezonal, Petliçkovski tha se numri i të sëmurëve është relativisht i rritur në krahasim me vitin e kaluar. “Por këto janë shifra të pritshme. Nuk është asgjë e tmerrshme dhe asgjë e papritur. Një fillim tipik i sezonit të gripit. Në fund të shkurtit pritet një kulm, maksimumi i frekuencës së gripit dhe sëmundjeve të ngjashme”, thotë Petliçkovski. Kur jemi te vaksinimi, deri në fund të javës së 51-të, kundër gripit sezonal janë vaksinuar gjithsej 23.970 persona dhe me këtë, janë harxhuar të gjitha vaksinat e blera në institucionet publike-shëndetësore, të cilat janë të autorizuara për vaksinim kundër gripit.

    Petliçkovski bëri të ditur se vendosja e maskave mbrojtëse në objektet shëndetësore dhe farmacitë është një nga propozimet në mbledhjet me Ministrinë e Shëndetësisë.

    “Si Komision, në dy mbledhjet e fundit kemi sjellë propozim-rekomandim në Ministrinë e Shëndetësisë për futjen e rekomandimit për vendosjen e maskave mbrojtëse në objektet shëndetësore dhe farmacitë. Në mënyrë që ai rekomandim të ketë peshë dhe të jetë i detyrueshëm, duhet të kalojë përmes Shtabit Kryesor të Krizave të Qeverisë. Prandaj nuk kemi marrë rimbursim. Pra, Komisioni rekomandon, në përputhje me rekomandimet në botë”, sqaron Petliçkovski. Ndër të tjera, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka publikuar një grafikon të intensitetit dhe shpërndarjes javore të sëmurëve me grip apo sëmundje të ngjashme me gripin sipas lakores epidemiologjike të pritur 2010-2023, sezoni 2022/2023 dhe sezoni 2023/2024. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Si do të duket Qeveria teknike!

    Lajmi i rradhës

    RMV ME INSTITUCIONE PA INTEGRITET!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë