Si do të duket Qeveria teknike!

    Kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, dje theksoi se nuk do të takohen me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, për zgjidhjet kadrovike me të cilat do të marrin pjesë në qeverinë teknike. “Për zgjidhjet kadrovike, nuk mund të takohemi, sepse çdo parti politike i jep zgjidhjet e veta në një Qeveri teknike apo në ndonjë Qeveri tjetër koalicioni. Sipas formës dhe esencës së saj, kjo qeveri është një koalicion në të cilin opozita do të marrë pjesë me resor të përcaktuar saktësisht sipas Ligjit për Zgjedhjet dhe Ligjit për Qeverinë, tha Kovaçevski. Kryeministri thekson se VMRO-DPMNE duhet t’i kumton kandidatët për qeverinë teknike dhe t’i dorëzojë në Qeveri dhe Parlament.

    “Ata duhet t’i kumtojnë kandidatët e tyre dhe më vonë t’i dorëzojnë në Qeveri dhe në Parlament që të mund të zgjidhen më vonë, kështu që kjo është një procedurë e vendosur dhe sigurisht që do të takohemi për të diskutuar për elementet tjera për zgjedhjet”, tha Kovaçevski.

    Ai theksoi se ende nuk është caktuar data e takimit me Mickoskin. VMRO-DPMNE në Komitetin Ekzekutiv ka marrë vendim për pjesëmarrje në Qeverinë teknike. Timço Mucunski, anëtar i këtij organi partiak, dje ka informuar se në Komitetin ekzekutiv të partisë pritet të miratohet vendim për autorizimin e kryetarit të partisë Hristijan Mickoski për përzgjedhjen e personave që do të jenë pjesë e qeverisë teknike. Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, Mucunski tha se ministrat dhe zëvendësministrat nga partia e tyre për qeverinë teknike do të njihen pas festës Uji i bekuar.

    I pyetur nëse ka një afat deri në të cilin do të merret vendimi për ministrat që do të jenë në qeverinë teknike, Mucunski u përgjigj se vendimi do të merret në fund të janarit.

    Në ndërkohë, sipas marrëveshjes së Përzhinës, të arritur në vitin 2016, janë bërë ndryshime në Ligjin për Qeverinë, të cilat parashikojnë që Qeveria të ketë kryeministër teknik, por opozita të emërojë ministrat e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikave Sociale, si dhe zëvendësministra shtesë në Ministrinë e Financave, Bujqësisë dhe në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

    Në bazë të këtyre ndryshimeve ligjore, dikur Nikolla Gruevski u largua nga posti i kryeministrit dhe Qeveria që realizoi zgjedhjet në fund të vitit 2016 udhëhiqej nga Emil Dimitrov, ndërsa Zoran Zaevi detyrën e kryeministrit ia dha Oliver Spasovskit, i cili drejtoi Qeverinë për zbatimin e zgjedhjeve të 2020.

    Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, ka një situatë pak më ndryshe, sepse kryeministri teknik nuk vjen nga partia kryesore në pushtet, siç ishte rasti me Dimitrievin (VMRO) dhe Spasovskin (LSDM), por vjen nga partneri në koalicion i dytë më i madh – BDI, si rezultat i marrëveshjes për formimin e Qeverisë mes Zaevit dhe Ali Ahmetit. Kështu që, kjo Qeveri teknike do të udhëhiqet nga Talat Xhaferi, i cili do t’ia dorëzojë detyrën e kryeparlamentarit Jovan Mitreskit të LSDM-së. Ky riorganizim është bërë për të shmangur përqendrimin e të gjitha posteve të larta shtetërore në një strukturë partiake, sepse kryeparlamentari bëhet president i përkohshëm në rast të moszgjedhjes së kreut të shtetit.

    LSDM në fund të muajit të kaluar ka përcaktuar kandidatët për ministra në Qeverinë teknike. Në të njëjtën kohë, ndryshimi më i rëndësishëm është në MPB, ku zëvendësministër shtesë me nënshkrim të lidhur do të jetë Mitko Bojmacaliev, shefi aktual i kabinetit të Spasovskit. Në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ministrja aktuale Jovana Trençevska do të mbetet si zëvendësministre plotësuese me të drejtë vetoje. Sllavica Grkovska mbetet zëvendëskryeministre për Politika të Qeverisjes së Mirë, Fatmir Bytiqi mbetet zëvendëskryeministër për Ekonomi dhe Bojan Mariçiq për Integrime Evropiane. Po ashtu, Artan Grubi mbetet zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik. Ndryshim nuk ka as në ministritë tjera, kështu që ministrat për Kulturë, Ekologji, Bujqësi, Transport dhe Mbrojtje mbeten Bisera Kostadinovska Stojçevska, Kaja Shukova, Lupço Nikollovski, Bllagoj Boçvarski dhe Sllavjanka Petrovska.

    Nuk ka ndryshime as në ministritë e menaxhuara nga kuadro të BDI-së. Kjo do të thotë që Bujar Osmani, Kreshnik Bekteshi, Jeton Shaqiri dhe Fatmir Besimi mbeten ministra. Ndërsa ministrat e Shëndetësisë, Drejtësisë dhe Administratës mbeten Fatmir Mexhiti, Krenar Lloga dhe Azir Aliu nga Aleanca për Shqiptarët dhe Risto Penov nga LDP për Vetëqeverisje Lokale.

    Enigmë e vetme mbeten kuadrot e VMRO-DPMNE-së, nga ku thonë se nuk kanë vendosur se cilët persona do të hyjnë në Qeverinë teknike.

    Sipas informacioneve jozyrtare, partia tashmë i ka diskutuar emrat e mundshëm për ministra dhe zëvendësministra. Nga të gjitha postet që merr opozita, posti më i rëndësishëm që tërheq më shumë vëmendjen dhe që sjell tensione më të mëdha është ministri i Punëve të Brendshme. Në qeverisjen e kaluar, me propozim të VMRO-DPMNE-së, ministër teknik u zgjodh ish-drejtori i Agjencisë për Zbulim, Naqe Çulev, ndonëse fillimisht kishte edhe favoritë të tjerë, si Dimitar Dimovski. Vitet e kaluara, Çulev nuk ishte shumë aktiv në publik, me përjashtim të zgjedhjeve lokale, kur u përfshi aktivisht në fushatën zgjedhore të Timço Mutsunskit për kryetar të Komunës së Aerodromit. Mirëpo, rastësisht apo jo, në këtë periudhë është gjithnjë e më shpesh në media. Meqë ra fjala, në një rast, ai deklaroi se menjëherë pas formimit të Qeverisë teknike, në MPB do të bëhet auditimi i brendshëm i veprimeve të ndërmarra në lidhje me vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit dhe njoftoi se do të ngritet procedurë e duhur disiplinore nëse konstatohet se janë bërë lëshime kryesore në hetim.

    Në këtë mënyrë, Çulev tashmë është ministër i ardhshëm i Punëve të Brendshme dhe duket se nuk ka dyshime për këtë, përkundër faktit se për këtë pozitë janë përmendur edhe dy kandidatë të tjerë potencialë. Njëri prej tyre është deputeti Igor Janushev, i cili ishte Sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së dhe bartës i listës së deputetëve në Njësinë e tretë zgjedhore. Tjetri është Bojan Hristovski, i cili ka punuar 10 vite në MPB, por në vitin 2020 nuk e ka kaluar “filtrin e sigurisë” në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare. Më pas, Hristovski ai u zgjodh drejtor i “Parkingjeve të Qytetit”, por dha dorëheqje pasi VMRO-ja u kryqëzua me kryetaren Danela Arsovska.

    Në kuadër të Qeverisë së fundit teknike, ministre teknike e Punës dhe Politikës Sociale ishte Rashela Mizrahi, deputete aktuale e VMRO-DPMNE-së, e cila udhëhoqi Komisionin hetimor për skandalin e Onkologjisë. Tani në garë për këtë pozitë është edhe deputetja Dafina Stojanovska, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte bartëse e listës së deputetëve në Njësinë e gjashtë. Sa i përket zëvendësministrave shtesë, më së paku dyshime ka për bujqësinë, ku Cvetan Tripunovski pothuajse me siguri do të jetë sërish zëvendësministër shtesë. Ai është përgjegjës për çështje dhe politika nga fusha e bujqësisë në VMRO-DPMNE dhe konsiderohet si favoriti më i madh dhe për ministër të Bujqësisë nëse partia e tij formon Qeveri.

    Nënkryetarja e partisë, Gordana Dimitrievska – Koçovska, e cila është bashkëpunëtore e ngushtë e liderit të partisë Hristijan Mickoski që nga koha kur ajo ishte drejtoreshë menaxhuese e Sh.A. ELEM, po aplikon sërish për zëvendësministër shtesë të Financave. Përpos saj, për këtë pozitë përmendet edhe Maja Kadievska, anëtare e Komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së. Duket se pasiguria më e madhe ka të bëjë me zëvendësministrin në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratë, pasi si zëvendësministra të mundshëm janë përmendur disa persona nga kryesia e partisë dhe grupi parlamentar. Gjithsesi, gjithçka do të bëhet e qartë pas festave Uji i bekuar, kur do të bëhen të ditur zyrtarisht propozimet e opozitës për Qeverinë teknike, qeveri kjo që duhet të formohet më së voni më 28 janar. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Komuna e Tetovës shfuqizoi planin e vjetër te Spitali i Tetovës ku është privatizuar tokë mbi rezervuarët e naftës

    Lajmi i rradhës

    Gripi mbërthen Maqedoninë e Veriut!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë