GRIPI STINOR – Gjithçka që duhet të dini për të luftuar virusin te fëmijët tuaj

    Fotografia: Nistori / Dr. Gjylajdin Fetai duke bërë kontrollë të zakonshme të një pacienti-fëmijë

    Gazetare | Sumeja H Jakupi

    Stina e dimrit, luhatja e temperaturave si dhe ajri i ndotur ka mbushur ambulancat në vend. Gripi sezonal ka prekur të gjithë grupmoshat dhe në veçanti fëmijët. Pediatri nga Tetova, Gjylajdin Fetai për Nistori thotë, se temperatura e lartë, teshtitja dhe kollitja janë simptomat dominuese.

    “Momentalisht qarkullon një virozë që jep shenja të gripit sezonal ku përfshihen njëkohësisht shumë anëtarë të familjes. Dominojnë simptomat si temperaturë e lartë, ditën e parë rezistente ndaj terapisë, pastaj ditëve tjera rallohen, hundë të zëna me sekret, teshtitje, kollitje, zëri i ndryshuar”, deklaroi mjeku Fetai.

    Për sa kohë një person i sëmurë e përhap gripin tek të tjerët si dhe a janë fëmijët më të rrezikuarit nga ky grip sezonal, Fetai tregon se fëmijët janë ata të cilët sëmuren nga kjo virozë, por edhe kanë një përmirësim të shpejtë.

    “Infeksioni bartet shpejtë nëpërmjet të pikave të sekretit me teshtitje apo kollitje, në prani të të sëmurëve. Fëmijët njëkohësisht sëmuren nga kjo virozë, me simptoma të njejta por me kohëzgjatje të shkurtë dhe përmirësim të shpejtë”, thot për Nistori mjeku Gjylajdin Fetai.

    Por cilat janë masat e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së gripit sezonal i cili kohës së fundit po shoqërohet edhe me praninë e virusit Covid-19. Mjeku rekomandon mosgrumbullimin në vende të mbyllura, si kafeteritë dhe vendet tjera të mbyllura.

    “Mosgrumbullimi në ambiente të mbyllura si vendzbavitje, kafeteri, qëndrim më shumë në ambiente të hapura. Këshilla kryesore është vizita te mjeku për marje të terapisë simptomatike (pa antibiotik), supstanca vitaminoze, konsumim të çajrave dhe lëngjeve natyrale, qarkullim dhe qëndrim sa më shumë në ambiente të hapura” deklaroi mjeku Gjylajdin Fetai.

    Ndryshe, vaksinimi kundër gripit stinor në RMV filloi më 12 nëntor 2021. Deri më tani janë vaksinuar rreth 50 mijë qytetarë. Konkretisht me vaksinat pa pagesë të cilat janë siguruar nga Ministria e Shëndetësisë janë vaksinuar 44,822 persona që iu përkasin kategorive të rrezikuara të qytetarëve, ndërsa 4,360 persona të tjerë janë vaksinuar me vaksinat me pagesë të cilat jepen nga ana e Qendrave të Shëndetit Publik. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Bullgaria e fut Maqedoninë në “zonën e kuqe”, këto janë masat

    Lajmi i rradhës

    Një vit pas burgosjes, Navalny po jeton në “ferr të gjallë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë