GRUMBULLIMI I GRURIT! / Fermerët në RMV kërkojnë çmime më të larta 

    Fermerët kërkojnë çmime më të larta për grumbullimin e grurit. Rritja e madhe e kostos së prodhimtarisë mbështet kërkesën e tyre për së paku 20 denarë për një kilogram grurë.

    Anëtari i Këshillit Drejtues të Federatës së Fermerëve, Memet Sinani në një prononcim për gazetën KOHA, thotë se çmimi nën 20 denarë i shitblerjes së grurit për bujqit paraqet thjesht humbje. Ai e mbështet këtë me koston prej 17 denarë për një kilogram grurë të punës së dorës së bashku me mekanizim duke mos llogaritur këtu amortizimin e mekanizimit bujqësor. E të mos flasim për koston prej 3200 denarë për një kilogram të plehrit artificial dhe harxhimet e tjera. Bile edhe në vjeshtën e kaluar kur i kemi realizuar të mbjellat, çmimi i një litre naftë ishte 110 denarë, thekson Sinani. Ai druan se në rast se nuk do të ketë një çmim të blerjes prej 20 denarë për kilogram të grurit, në vjeshtë dukshëm do të ulet edhe interesimi për mbjelljen e kësaj kulture strategjike për shtetin.

    Nga Ministria e Bujqësisë thonë se edhe duke falënderuar edhe masave mbështetëse të këtij dikasteri që janë rritur shumë fish që nga vit 2018, gjithashtu sivjet janë mbjellë 78.300 hektarë me grurë apo për 4300 hektarë më shumë se në vitin e kaluar me grurë, si dhe është realizuar një çmim mesatar grumbullues prej 17 denarë për kilogram grurë. Njëherësh në vitin e kaluar u vendos një fond i ndërhyrjes me kërkesë të fermerëve, ku ata kërkuan 30 për qind, ndërsa Ministria e Bujqësisë ofroi 40 për qind subvencione për 12.000 prodhues të grurit, misrit dhe kulturave të tjera të rëndësishme strategjike. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, këtë vit pritet të grumbullohen mbi 253 mijë ton grurë për shkak se rendimentet për hektar janë më të larta dhe sipërfaqet me këtë kulturë janë rritur disa mijë hektarë. Mirëpo deri në fillimin e muajit korrik apo deri në fillimin e korrjeve, akoma mbetet i paqartë çmimi grumbullues i grurit që duhet të përcaktohet në negociata midis fermerëve, tregtarëve, mullisëve dhe Ministrisë së Bujqësisë.

    Ministri i Bujqësisë Ljupço Nikollovski thotë se sivjet pritet prodhim më i madh i drithit të bukës në raport me vitin e kaluar, duke shtuar se sa i përket çmimit do t’i referohet analizave të grupit së nën sektorit që monitoron grumbullimin e grurit. Ndikim në çmimin e blerjes së grurit do të ketë edhe çmimi që diktohet nga bursat rajonale ku tregtohet me prodhime bujqësore. Në muajin prill tepricat e grurit nga Ukraina e zbritën çmimin e prodhimeve të bujqve rumunë, hungarezë, sllovakë dhe polakë. Mirëpo këto ditë, apo dy muaj më vonë me zgjaten ndalimit të eksportit të drithërave ukrainase, deri në mes të shtatorit, në pesë vendet e BE-së që janë më të prekura nga fluksi i ushqimeve të lira do të ketë njëfarë ndikimi në tregun e përgjithshëm.

    Megjithatë, potenciali eksportues i Ukrainës është më i ulët këtë vit, veçanërisht kur bëhet fjalë për grurin ku për shembull, vitin e kaluar ekonomik, që është ende aktual, kapacitetet e tij ishin 15 milionë tonë sa i përket grurit. Para kësaj priten 18 milionë, tani 10 milionë ton, sepse ukrainasit mbollën një të tretën më pak sipërfaqe, thotë analisti bujqësor Zharko Galetin. 

    Lajmi Paraprak

    FËMIJËT E PASTREHË NË KUMANOVË, TANIMË DO TË KENË “SHTËPI”! / Qendra ditore starton në vjeshtë

    Lajmi i rradhës

    Alternativa: E respektojmë autonominë e UT-së, andaj dëshirojmë rektorin ta shohim larg ndikimit të partisë “non grata”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë