Gruri me cilësi të dobët

     Fundi i gushtit pritet të ofrojë edhe të dhëna më të sakta për sasinë e grurit të prodhuar nga fermerët në vend. Fermerët, por edhe nga dikasteri i bujqësisë thonë se sivjet do të ketë rendimente më të larta se vitin e kaluar, por cilësia e grurit do të jetë më e dobët si rrjedhojë e ndryshimeve ekstreme klimatike.

    Një pjesë e mirë e grurit vendor sivjet, për fat të keq do të përfundojë si ushqim për kafshët në Greqi, dhe një pjesë do të “shkojë” në fermat tona, për ushqim për shpendët dhe derrat. Afër 20.000 ton drithë buke, megjithatë, sipas bisedave me fermerët në terren, mund të përfundojnë të pa shitur, dhe të deponuara, thotë Trajan Dimkovski, këshilltar shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë. Sipas tij, fermerët duhet të fokusohen në sasi dhe cilësi. Për më tepër vendi do të importojë gjithmonë, mirëpo në rast se kemi një rendiment prej katër tonësh grurë për hektarë, kjo do të jetë e mjaftueshme dhe nuk do të ketë nevojë për blerje nga jashtë. Ai ka hedhur poshtë edhe spekulimet e ndryshme për sasitë e importuara të grurit, duke theksuar se çdo herë si shtet kemi importuar sasi të caktuara dhe atë deri në 80.000 ton grurë dhe 40.000 ton miell, kryesisht nga Serbia. Duke krahasuar importet e grurit dhe mielli, ai ka shtuar më shumë para shpenzojmë për importin e çokollatës sesa për grurin, ose shpenzojmë të njëjtën sasi parash për importimin e kafesë sa për importimin e grurit. Ai sugjeron që fermerët më shumë vëmendje t’i kushtojnë mbrojtjes së prodhimtarisë së tyre nga sëmundjet e tyre, ku nevojitet që plehrat artificial të përdoren në sasi optimale.

    Në varësi prej investimeve të fermerëve ka dalë edhe cilësia e ndryshme e grurit. Në disa zona apo zona ku plehrat janë përdoruri keq, cilësia e grurit doli me 56 hektolitra, që është më e dobët se elbi. Mirë po kishim edhe 73 hektolitra. Pra është e qartë se kush investon, edhe fiton ku në të njëjtat sipërfaqe për të njëjtën klasë toke ka pasur 2.5 – 3 ton grurë , por edhe 6-7 ton grurë për hektar. Me fjalë të tjera, fokusi gjatë mbjelljes së grurit duhet të jetë në masat që do të rrisin sasinë, rendimentin dhe cilësinë e tyre.

    Në favor të prodhimtarisë vendore dhe mbështetjes së fermerëve, prej sivjet është miratuar edhe masa për ruajtjen e grurit dhe elbit, si masë intervenuese që i mundëson fermerëve të ruajnë grurin për nëntë muajt e ardhshëm, për të cilin do të marrin 120 denarë për ton në muaj. Me këtë ju mundësohet fermerëve që të ruajnë grurin, të marrin 120 denarë për ton, por edhe tre denarë për kilogram të blerë.

    Nga ana tjetër, prodhuesit e grurit në Maqedoni shprehen tejet të pakënaqur me çmimet e shitblerjes prej 9, 10 apo 11 denarë për kilogram grurë. Ankesat për çmimin e ulët vijnë jo vetëm nga fermerët individual, por edhe nga prodhuesit e mëdhenj industrial.

    Nga Kombinati bujqësor “Pellagonia” thonë se në kushtet kur mielli që përdoret si ushqim për kafshët apo mielli blegtoral ka çmim prej 12 denarë për kilogram, paralajmërimi i mullinjve në vend se grurin nga korrja e sivjetshme do ta blejnë me çmim prej 9, 10 dhe 11 denarë, është jo realisht i ulët dhe do të sjellë kolaps të prodhimtarisë së grurit. Nga ana tjetër, edhe bujqit përmes organizatave të tyre shprehen se ky çmim i paralajmëruar për grumbullim të grurit është shumë larg nga shpenzimet që kanë bërë ata, duke marrë parasysh se në vjeshtë gjatë mbjelljes, dizeli kushtonte mbi 100 denarë për litër, ndërsa plehrat artificial kishin koston prej 3000 denarë për një thes. Me kërkesë të rrjetit kombëtar bujqësor – Instituti Bujqësor nga Shkupi, ka përpunuar analizën sipas së cilës, çmimi prodhues për grurin kap vlerën prej 19 denarë. Ministria e Bujqësisë është e mendimit që përmes Programit për intervenim të krijohet një masë e re që ofron mbështetje për grurin, përmes 3 denarë shtesë për kilogram grurë të shitur për te blerësit e regjistruar në periudhën deri më 31 gusht 2023. Gjithashtu së bashku me tre denarë që shteti ofron që më parë për një kilogram grurë me këto tre denarë shtesë pritet që fermerët nga shteti të fitojnë 6 denarë subvencione për një kilogram grurë. Njëherësh nga 70 mijë hektarë të mbjella me grurë, që është një rritje prej 13 për qind në raport me vitin paraprak priten rreth 260 mijë tonë grurë, mirëpo këto sasi mund të ulen nga reshjet prej 10 deri në 20 për qind.

    KOSOVA, DOBËT ME GRURIN

    Kosova sivjet nga sezoni i korrje-shirjeve nuk do të mund t’i plotësojë nevojat e saj për grurë. Për më tepër, kjo kulturë bujqësore këtë vit nuk ka as cilësi të mirë. Për shkak të kushteve jo të favorshme atmosferike, këtë vit fushata e korrje-shirjeve ka nisur më 15 korrik, teksa rëndom nis në fillim të po këtij muaji. Sipas ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, këtë vit kanë qenë të mbjellë me grurë rreth 67.000 hektarë tokë. Nga Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës thonë se temperaturat e ulëta gjatë pranverës ulën pritjet për prodhim të bollshëm të grurit. Kreu i kësaj federate, Tahir Tahiri, thotë se mesatarja e prodhimit për hektar, këtë vit do të jetë më e ulët krahasuar me vitet e kaluara. Megjithatë, ai nuk tregon se sa për qind të nevojave të saj për grurë do të arrijë t’i sigurojë Kosova këtë vit. “Kam frikë se do të jetë viti më i dobët dhe më i vështirë sa i përket prodhimtarisë vendore. Unë nuk mbaj mend që në 40 vjet të ketë pasur lagështi nga muaji mars, prill, maj dhe qershor. Kemi pasur vërshime, breshër… Por, më e rënda ka qenë lagështia e stërzgjatur, e cila ka krijuar kushte për paraqitjen e sëmundjeve të ndryshme”, thotë ai.

    Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2021, konsumi mesatar i grurit për kokë banori, duke përfshirë edhe produktet me përmbajtje gruri, janë 207 kilogramë, ose mbi 410.000 ton grurë. Por, prodhimi vendor ndër vite ka qenë rreth 300.000 ton grurë. Kjo ka bërë që Kosova t’i përmbushë nevojat me këtë produkt përmes importit. Në vitin 2021, nga fermerët e Kosovës kishin prodhuar 280.000 ton grurë. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës për atë vit, 115.000 ton lloje të grurit dhe miellit janë importuar nga shtete të ndryshme të Evropës.

    BALLKANI PROBLEM ME GRURIN

    Edhe në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë e Serbi, sivjet ka pasur probleme të shumta në prodhimtarinë e grurit. Përskaj kushteve të motit të keq, së mundjeve të bimë ve, grurit të lirë nga Ukraina dhe Rusia, një goditje për fermerët ka qenë edhe çmimi i ulët grumbullues. Ante Nevistiq, pronar i kompanisë Inspecto, laboratori i së cilës në Osijek mori 220.000 ton grurë për testim, thotë se padyshim që gruri dështoi që në fazën e lulëzimit për shkak të reshjeve të mëdha dhe temperaturave të ulëta, të cilat ndikuan në fekondim. Kalliri është i mirë, por kokrrat nuk janë mbushur dhe kanë fituar peshën dhe cilësinë e tyre, thotë Nevistiq. “Ka proteina, por nuk ka shfrytëzim të miellit, andaj do të përdoret shumë grurë për ushqimin e kafshëve, domethënë do të na duhet më shumë grurë për miell”, thekson ai.

    Nada Barišiq, drejtoreshë e kompanisë “Zhitozajednica”, thotë se përveç problemeve të motit, rendimentit dhe cilësisë më të ulët, nuk ndihmojnë as lëvizjet e bursës, të cilat kanë qenë të pafavorshme gjatë gjithë vitit. Ndër të tjerash nuk ka ndihmuar edhe ardhja e grurit të lirë ukrainas në tregun evropian. “Të gjitha lëvizjet e mallrave të bursës që dikur ishin të qëndrueshme u ndërprenë me ardhjen e krizës. Dikur kishim një trend që çmimi i grurit ishte pak më i lirë gjatë korrjes dhe më pas po rritej. Këtë vit një trend i tillë është ndërprerë, pasiguria në këtë fushë të prodhimit dhe blerjes së grurit është më e madhe se kurrë”, thekson ajo dhe shton se periudha e pasigurisë së madhe ka vazhduar që nga shpërthimi i pandemisë.

    Në Kroaci, çmimi për një ton grurë të klasit premium është 200 euro, klasi i parë 190 euro, klasi i dytë 180 euro etj, apo me fjalë tjera 1000 kg paguhen 12 mijë denarë që i bie se një kilogram grurë paguhet me 12 denarë. Mirëpo në treg ofrohen edhe çmime më të ulë ta me 165 euro për një ton grurë.

    Bosnja dhe Hervegovina është larg nga vetë-mjaftueshmëria me grurë, duke plotësuar vetëm 20 për qind të nevojave të saj, ndërsa rendimentet atje janë dy herë më të ulëta se ato në Kroaci dhe Serbi, me rreth tre tone grurë për hektar. Edhe në Bosnje e Hercegovinë fermerët ankohen se nuk mund të mbulojnë shpenzimet. Çmimi mesatar është 35, 36 fening për kilogram (180 euro për tonë dhe për grurin më të keq 27 pfening apo 140 euro për ton).

    Eksperti nga Serbia Miroslav Mallesheviq, thotë se pavarësisht se çmimet e vitit të kaluar prej 350 euro për ton në Serbi, ishin joreale dhe e dinte se nuk do të mund të ruheshin, këtë sezon nuk mund të shpjegojë se pse janë kaq të ulëta. Apo çmimi grumbullues i grurit në Serbi është nga 10 deri 11 denarë për kilogram pa TVSH ( apo 170 deri në 180 euro për tonë ), varësisht nga cilësia. Edhe atje temperaturat tropikale deri 36 gradë në fund të qershorit dëmtuan mjaft rendimentet e grurit.

    “Kjo rënie e papritur është e ekzagjeruar. Çdo gjë nën 200 euro për ton është humbje për çdo fermer, sepse inputet ishin shumë më të shtrenjta se në vitet e kaluara, paralajmëron ai, duke shtuar se nuk e di nëse ishte ndikimi i sasive të tepërta ruse apo ukrainase, nëse blerësit ishin të pa interesuar. Ose shteti nuk ishte i gatshëm të ndërhynte dhe të parandalonte këtë lloj konkurrence”, konstaton Mallesheviq. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Nënë e bijë bëjnë koleksionimin e mbi 1 mijë veshjeve kombëtare nga rajoni i Hasit

    Lajmi i rradhës

    Banorët e Tetovës me peticion për largimin deponisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë