HALLET E PRODHUESVE TË DUHANIT NË RMV NUK SOSEN!

    Oferta e re e tregtarëve për kontratat dhe çmimet për prodhimin e ri të duhanit është monopoliste dhe e papranueshme. Ato ofrojnë të njëjtat çmime dhe për këtë kërkojmë ndërmjetësim nga Ministria e Bujqësisë, sepse e ardhmja e kësaj kulture strategjike është në rrezik. Në fillimin e korrjes së re të prodhimit të duhanit, ne si fermerë duhani nuk do të lejojmë të manipulohemi sërish si nga blerësit ashtu edhe nga shteti. Çmimet e ofruara të blerjes janë poshtëruese dhe degraduese për ne, prandaj para lidhjes së kontratave të reja, kërkojmë që Ministria përkatëse të angazhohet më shumë në krijimin e çmimeve të blerjes dhe në konsultim me prodhuesit. Këto ishin pjesë e mesazheve që prodhuesit e duhanit nga mbarë Maqedonia i dërguan nga Tribuna në Prilep, para skadimit të afatit për lidhjen e kontratave të reja, pra 31 mars. Forumi u organizua nga “Rrjeti Kombëtar Bujqësor”.

    Kultivuesit ankohen se blerësit shpallën çmimet për kontratat e reja që nënshkruhen për korrjen e re nga 1 marsi deri më 31 mars. Çmime si gjatë blerjes së fundit të të korrave të vitit të kaluar, janë të papranueshme për ne dhe nëse mbeten ashtu siç janë, ne do të jemi nën çmimin e prodhimit. Jemi vënë në një situatë ku kompanitë blerëse diktojnë çmime që janë katastrofike për ne dhe, thjesht, na çojnë në humbje.

    Me fjalë tjera, prodhuesit e duhanit janë në garë me kohën, të detyruar të lidhin kontrata të reja deri më 31 mars. Pasojat e mungesës së këtij afati janë të tmerrshme, duke e bërë të pamundur mbjelljen e duhanit. Me ligjin që e konsideron krim mbjelljen e duhanit pa kontratë, fermerët detyrohen të pranojnë kushte të pafavorshme. “Nëse kështu sillen në mënyrë shantazhuese, nuk do të ketë interesim as të kultivuesve të duhanit dhe as të kompanive”, tha Gjorgi Karakashev nga “Rrjeti Kombëtar Bujqësor”.

    Më 28 shkurt zyrtarisht ka përfunduar blerja e duhanit nga korrja e vitit të kaluar ku rendimentet ishin përgjysmuar. Më pak se 15.000 ton janë blerë me çmim mesatar prej 353 denarë për kilogram duhan.

    Sivjet tregtarët kanë ofruar çmime me 365 deri 375 denarë për klasin e parë të duhanit, për klasin e dytë janë ofruar 264 deri 300 denarë, ndërsa për klasin e tretë janë ofruar 198 deri 245 denarë për një kilogram duhan.

    Nga ana tjetër, sipas kostos së prodhimtarisë, çmimi prej 10 euro është real për prodhuesit e duhanit. Pritet rritje e interesit për prodhimtari, mirëpo refuzimi i tregtarëve për të ofruar çmime më të larta vë në pikëpyetje këtë vit prodhues.

    “Ekziston interesimi që është në rritje për prodhimin e duhanit, kryesisht në zonat rurale ku nuk kanë burime të tjera të ardhurash. Çmimi duhet të jetë më i mirë që kjo degë të ketë vazhdimësi, por si shtet dhe ne si shoqata duhet të bëjmë një përpjekje të veçantë që njerëzit në ato vende t’i mbajmë, sepse jemi dëshmitarë të një emigrimi të madh”, tha Dime Dimitrieski, prodhues nga Prilepi dhe anëtar i “Rrjetit Kombëtar Bujqësor”.

    Prodhuesit e duhanit paralajmëruan dorëzimin e një iniciative në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Duhanin, në të çilin kompanitë blerëse janë të monopolizuara, ndërsa kultivuesit e duhanit janë në gjendje të varur. Përskaj kësaj nisme, planifikohet të formohet edhe grup parlamentar që do të punojë në ndryshimin e rregullativës ligjore.

    Së fundmi në vend të 600 denarë për një kilogram duhan sa kërkonin kultivuesit e duhanit, çmimi u rrit me mbështetjen qeveritare për 35 denarë, apo në 353 denarë për cilësinë më të lartë. Në fakt me subvencionin e rregullt prej 80 denarë për kilogram duhan të klasit të parë dhe subvencionin shtesë prej 20 denarë të miratuar së fundmi, çmimi për një kilogram duhan të dorëzuar në pikat e grumbullimit arriti sivjet në 453 denarë.

    Një vit më parë , sipas të dhënave të futura në sistemin elektronik të regjistrimit të duhanit ISET nga kompanitë blerëse nga korrja e vitit 2022, janë blerë gjithsej 20.880 ton duhan gjethe të papërpunuara me çmim mesatar të blerjes prej 288.10 den/kg.

    Si Inspektorati bujqësor ashtu edhe prodhuesit e duhanit janë të një zëri për ndryshimet në Ligjin për Duhanin. “Duke marrë parasysh situatën, mund të ndikojë në prodhimin e ri të duhanit. Prandaj duhet të ketë ndryshime ligjore për procesin e prodhimit, përpunimit, çmimet dhe të drejtat e shitësve të duhanit. Por për këtë është e nevojshme të ulemi në një tryezë të përbashkët, kryesisht prodhuesit dhe blerësit. Ndoshta një mundësi e tillë do të ketë në prill kur të mbahet Kongresi i kultivuesve të duhanit dhe prodhimtarisë së duhanit”, thonë nga ky institucion. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Humbjet e papritura të ekuilibrit

    Lajmi i rradhës

    Sa zgjat tretja e ushqimit?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë