Hapja e negociatave ringjall ekonominë në RMV

    Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon rritje modeste ekonomike për Maqedoninë prej vetëm 1.4 për qind, që pritet të rritet në 3.6 për qind në vitin 2024. Pas shkallëve dyshifrore në vitin e kaluar, sivjet pritet të zbutet inflacionin në 9.2 për qind. Në rajon, rritjen më të lartë ekonomike këtë vit do ta shënojnë Kosova 3.5 për qind dhe Mali i Zi 3.2 për qind. Prodhimi i Brendshëm Bruto apo ekonomia në total e Greqisë do të rritet me 2.6 për qind, e Shqipërisë me 2.2, e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës me 2.0, e Kroacisë me 1.7 dhe e Bullgarisë me 1.4 për qind. Aktiviteti ekonomik në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore pritet të ngushtohet edhe këtë vit për shkak të pasojave të pushtimit rus të Ukrainës, vazhdimit të inflacionit të lartë dhe kushteve të shtrënguara financiare, thekson Raporti Ekonomik i Bankës Botërore për rajonin.

    Rritja rajonale apo e Ballkanit, pritet të rritet dhe të arrijë një mesatare prej 2.7 për qind në periudhën 2024-2025 në përputhje me ngadalësimin e pritshëm të inflacionit, rikuperimin e kërkesës së brendshme dhe përmirësimin e ambientit të jashtëm.

    Parashikimet e FMN, janë më pesimiste se ato të Bankës Botërore e cila në fillim të këtij muaji parashikoi rritje prej 2.4 për qind për ekonominë e Maqedonisë, që është për 0.3 për qind më pak se në parashikimet e mëparshme si rrjedhojë e çrregullimeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe kriza afatgjate energjetike. Banka Botërore në raportin e fundit gjithashtu thekson se reformat strukturore duhet të jenë prioritet për rritjen afatmesme para zgjedhjeve të vitit 2024. Kohë më parë Masimiliano Paoluçi, drejtori i zyrës së Bankës Botërore në Maqedoni, theksoi se fokusi duhet të vazhdojë të jetë në reformat strukturore të vonuara për një kohë të gjatë për të nxitur rritjen dhe për të krijuar vende të reja pune.

    Reformat strukturore përfshijnë masa për rritjen e nivelit të konkurrencës në treg, heqjen e barrierave për hyrjen e bizneseve, përmirësimin e mbajtjes së riinvestimit nga investitorët e huaj, uljen e barrierave për pjesëmarrjen e femrave në fuqinë punëtore, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe ngritjen e standardeve të menaxhimit, duke përfshirë digjitalizimin.

    Parashikohet që rritja ekonomike të mbetet nën potencialin e saj dhe të përshpejtohet në mënyrë të matur me fillimin e investimeve të mëdha publike dhe investimeve të huaja të pritshme direkte.

    Rreziqet themelore edhe më tej mbeten ngushtë të lidhura me zhvillimet tek partnerët kryesorë tregtar si Gjermania. Gjithashtu përparimi në negociatat për aderimin në BE, mund të sigurojë nxitjen e nevojshme për reforma dhe rritje ekonomike. Në të njëjtën kohë, rritja e pasigurisë politike dhe bllokimi parlamentar përpara zgjedhjeve mund të vonojnë zbatimin e reformave kryesore. Për nevojën e përshpejtimit të reformave flasin edhe analizat e tjera të institucioneve relevante financiare ndërkombëtare.

    Prioritetet kryesore të Maqedonisë së Veriut ndër të tjerash duhet të jenë rritjen e efikasitetit të mbledhjes së tatimeve, dhe përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike. Gjithashtu edhe rritja e energjisë elektrike dhe ushqimeve dhe ambient jo stabil i jashtëm po rrisin paqartësinë në aspektin ekonomik. Nevojitet me kujdes të menaxhohet edhe inflacioni. Njëherësh reforma arsimore duhet të përshpejtohet për të trajtuar nivelin vazhdimisht të lartë të papunësisë së të rinjve. Reformat e vazhdueshme që fokusohen në adresimin e mospërputhjeve të aftësive në tregun e punës nëpërmjet rinovimit të sistemit të arsimit profesional mund të ndihmojnë në adresimin e këtij problemi. Kjo ndër të tjerash theksohet në Raportit më të ri të Tranzicionit 2021-2022 të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ky institucion në muajin parashikoi rritjen ekonomike në Maqedoni në 2 për qind. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kujdes nga çajet për dobësim | Pasoja negative për organizmin

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia, nënkampione e Europës sipas proporcionalitetit të modelit zgjedhor

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë