Maqedonia, nënkampione e Europës sipas proporcionalitetit të modelit zgjedhor

    Disa vite me radhë në vendin tonë është hapur tema për ndryshime në Kodin Zgjedhore dhe çështje më diskutabile është ndryshimi i numrit të njësive zgjedhore. Mbështetësit kryesorë të kësaj ideje dhe iniciative janë partitë më të vogla politike, të cilat besojnë se në këtë mënyrë do të rriten shanset e tyre për përfaqësim të pavarur në Parlament, do të barazohet “pesha” e çdo vote dhe një përfaqësim më i madh proporcional i partive do të sigurohet sipas numrit të votave të fituara në zgjedhje.

    Megjithatë, hulumtimi “Maqedonia e Veriut në hartën zgjedhore evropiane: Sa proporcional është modeli zgjedhor maqedonas?” i politologut Kristijan Fidanovski dhe Vlora Reçices nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” (IDSCS), i promovuar disa ditë më parë, tregon se modeli aktual zgjedhor në RMV është ndër më proporcionalet në Evropë, pra një nga modelet që lejon më shumë parti në parlament, gjë që e bën atë relativisht të favorshëm për partitë më të vogla që të hyjnë në parlament.

    Sipas Fidanovskit, tema e modelit zgjedhor është jashtëzakonisht e rëndësishme, por në të njëjtën kohë funksionon edhe në një temë teknike, e cila ndonjëherë është e vështirë për t’u paraqitur para publikut të gjerë. “Është një temë për të cilën shkruhet dhe flitet shumë dhe një temë për të cilën ndonjëherë ka njohuri të reja bazuar në reformat zgjedhore në vende të ndryshme”, shprehet Fidanovski. Ai thekson se ajo që e shqetëson më shumë kur flet për temën e modelit zgjedhor është se flitet vetëm për një zonë zgjedhore. “Këto janë tre fjalët që përdoren, dhe ato tre fjalë në fakt mbulojnë të gjithë temën e reformave zgjedhore – pra një njësi zgjedhore ose numri i njësive zgjedhore trajtohet si sinonim i një modeli zgjedhor. Modeli zgjedhor në fakt është diçka shumë më e gjerë, kurse sistemi zgjedhor në tërësi është diçka edhe më e gjerë, thekson Fidanovski.

    Sipas tij, modeli zgjedhor kërkon që aktorët politikë të kenë parasysh disa parametra, prandaj ishte e rëndësishme që ata të paraqesin situatën në Evropë, sepse shumë shpesh në debatin për këtë çështje në vend fokusi është se cila parti do të kishte sa deputetë në konfigurime të caktuara, dhe mungon tabloja e madhe lidhur me këtë temë.

    Hulumtimi ka rezultuar se vendi ynë karakterizohet një nga vendet me proporcionalitet më të dukshëm mbi mesataren sipas tre elementeve kryesore të modeleve zgjedhore: madhësisë së njësive zgjedhore, pragut zgjedhor dhe numrit të deputetëve. Përjashtimi i vetëm nga ky proporcionalitet i lartë është përdorimi i modelit të Dontit, i cili konsiderohet si më pak përfaqësueses në mesin e modeleve zgjedhore proporcionale, por që në të njëjtën kohë është edhe më e përdorura në Evropë.

    Vlora Reçica nga IDCSC, ka deklaruar se një nga premisat kryesore kur filluan analizat e tyre se çfarë do të thoshte ndryshimi i modelit zgjedhor ka qenë demokratizimi i vendit dhe procesi i demokratizimit. Ajo tha se nuk ka qenë fokusi se cila parti sa mandate do të merr, pasi siç tha ajo, do të kishim hyrë në një temë tjetër. “Kur e krahasojmë vendin tonë me 31 vendet e tjera të përfshira në analizë, ne jemi në vendin e gjashtë së bashku me Letoninë. Vendet evropiane mesatarisht kanë njësi zgjedhore në të cilat zgjidhen 4 deri në 15 deputetë, ndaj vendi ynë me 20 deputetë në një zonë zgjedhore ka zona të mëdha mbi mesataren në krahasim me pjesën tjetër të Evropës. Një nga aspektet më të mëdha pozitive të të pasurit 20 deputetë në një zonë zgjedhore është se deputetët ndërtojnë marrëdhënie më të drejtpërdrejta dhe më të forta me qytetarët dhe përfaqësojnë më mirë interesat e tyre”, thotë Reçica.

    Sipas saj, vendi qëndron mirë modelit me gjashtë njësi zgjedhore dhe kalimi në një njësi zgjedhore nuk do të kontribuonte në përmirësimin e ndjeshëm të marrëdhënies deputet-votues. “Rekomandimi ynë është që të mos vendoset pragu formal zgjedhor dhe do të ishte mirë të zvogëlohej pragu efektiv zgjedho, edhe pse ky aktual nuk është praktikë dhe nuk e vë në pikëpyetje hyrjen e partive të vogla në Kuvend. Mund të shërbejë edhe si filtër për të parandaluar hyrjen e partive me pikëpamje më radikale në Parlament”, shtoi Reçica.

    Për sa i përket përcaktimit të numrit dhe madhësisë së njësive zgjedhore, angazhimi themelor është krijimi i një lidhjeje të drejtpërdrejtë ndërmjet zgjedhësve dhe përfaqësuesve të zonës gjeografike nga e cila ata janë zgjedhur të përfaqësojnë. Zgjedhjet sipas sistemit proporcional në një njësi zgjedhore, sipas definicionit, përfaqësojnë modelin më proporcional të mundshëm, sepse shpërndarja e votave do të korrespondonte plotësisht me shpërndarjen e mandateve parlamentare dhe çdo rritje e numrit të njësive zgjedhore do të nënkuptonte më pak proporcionalitet.

    “Në një demokraci përfaqësuese, ligjvënësit pritet të përfaqësojnë interesat e njësisë zgjedhore që i ka zgjedhur, kështu që për të ruajtur këtë marrëdhënie rekomandohet që njësitë zgjedhore të mos jenë shumë të mëdha në mënyrë që të minimizohet distanca midis deputetëve dhe qytetarëve. Por edhe për të shmangur shumë parti në Parlament, të cilat mund të kërcënojnë formimin e Qeverisë, si dhe stabilitetin dhe efikasitetin e saj. Nga ana tjetër, çdo rritje e numrit të njësive zgjedhore nënkupton një model më pak proporcional, duke ulur shanset e partive më të vogla për përfaqësim parlamentar”, thekson analiza. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Hapja e negociatave ringjall ekonominë në RMV

    Lajmi i rradhës

    Kosova dhe Maqedonia e Veriut, shpëtim për industritë e Kroacisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë