Edhe pse ndalimi i duhanit në hapësira të mbyllura është i qartë në ligj, institucionet publike, madje edhe ato shëndetësore, vazhdojnë të jenë të mbushura me tym. Qytetarët shpesh ankohen se korridoret e spitaleve, zyrat dhe madje edhe autobusët urban janë shndërruar në hapësira ku duhani ndizet pa frikë nga ndëshkimi.
Ligji parashikon gjoba të rënda për shkelësit nga 250 deri në 750 euro për individët dhe nga 4.000 deri në 20.000 euro për institucionet, por në praktikë nuk është shqiptuar pothuajse asnjë gjobë. Duhanpirësit brenda ndërtesave publike nuk ndihen të kërcënuar nga inspektorët, ndërsa qytetarët që respektojnë ligjin shohin me sarkazëm se ai mbetet vetëm “letër në mur”.
Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) theksojnë se ata veprojnë vetëm mbi bazën e ankesave dhe se përgjegjësia kryesore u takon vetë institucioneve ku ndodhin shkeljet.
“Ne bëjmë kontrolle kur ka ankesa konkrete, por deri tani nuk kemi pasur raste ku është dashur të shqiptohen gjoba në institucione. Është e rëndësishme të kuptohet se drejtuesit dhe sekretarët shtetërorë janë përgjegjës për të siguruar respektimin e ndalimit të duhanit brenda ambienteve të tyre. Nëse ata nuk marrin masa, është e vështirë që ligji të ketë efekt real”, theksojnë nga ISHT.
Ndërkohë, drejtori i Inspektoratit, Vllatko Stojkoski, e pranon hapur se ligji ka lënë një boshllëk të madh.
“Institucionet shtetërore duhet të jenë shembull për të gjithë të tjerët dhe duhet ta respektojnë vazhdimisht ligjin. Normat ligjore duhet të forcohen më në fund dhe të fshihen të gjitha mospërputhjet në lidhje me ndalimin e pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura, ndërsa zgjidhja e re ligjore nuk duhet të përmbajë lëshime të ndryshme. Thjesht duhet të vendoset një ndalim i plotë, pa matjet e mëparshme të heshtura, pra nëse hapësira është e mbyllur nga dy apo tre anë”, tha Stojkoski.
Në këtë situatë, përgjegjësia shpërndahet e nuk merret nga askush. Drejtorët e institucioneve mbyllin njërin sy, inspektorati arsyetohet me mungesë denoncimesh, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me ajër të ndotur nga cigaret në vendet ku presin shërbime. Kjo bën që ligji të mbetet i pazbatueshëm në praktikë, jo vetëm që nuk ka gjoba, por krijohet përshtypja se shteti e toleron shkeljen e vetvetes. Në vend të institucioneve që garantojnë respektimin e shëndetit publik, qytetarët sot gjejnë korridore të mbushura me tym dhe një shtet që sanksionon vetëm në teori. /Koha/






