“Hepatiti”, pritje të gjata për terapi / Mbi 15 pacientë presin për transplantim

    Mungesa e terminëve për kontrolle diagnostike, mungesa e terapisë si dhe pritjet e gjata për transplant janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen pacientët me Hepatit. Vetëm gjatë vitit të shkuar në Maqedoni janë diagnostikuar 83 raste të reja me këtë sëmundje, ku 43 me llojin B të Hepatitit, terapia për trajtimin e të cilit nuk ndodhet në listën pozitive të ilaçeve. Nga shoqata “HEPAR” e cila mbron të drejtat e pacientëve me Hepatit kërkojnë nga autoritetet shëndetësore trajtim më efikas të sëmundjes.

    “Ankesat më të shpeshta të pacientëve me Hepatit kanë të bëjnë me atë se si të arrijnë deri në shëndetësinë primare dhe sekondare, në këtë pjesë kemi mjaft komplikime. Kemi mungesë terminësh, që duhet ta shqyrtojë pak këtë gjë ministri. Problem tjetër me të cilin përballen pacientët është stigma apo paragjykimet mbi këtë sëmundje. Kemi problemin dhe me terapinë, shpresojmë që lista e pacientëve që presin për terapi do të evidentohet në të ardhmen dhe ky grup i pacientëve do ta merr ilaçin e duhur i cili për këtë grup të pacientëve do të thotë jetë”, deklaroi Milan Mishkoviq, Shoqata e pacientëve me Hepatit “ HEPAR”.

    Mjekët që trajtojnë këtë sëmundje kërkojnë nga ministria e Shëndetësisë që terapia për Hepatitin B të hyjë në listën pozitive me qëllim që asnjë pacient të mos mbetet pa terapi.

    “Në nivel vjetor kemi terapi të rregullt për 63 pacientë për momentin, për Hepatit C. Ndërsa terapia për Hepatit B ende nuk është në listën pozitive. Terapia për Hepatit C, më thjeshtë thënë kushton 4,5 milionë euro dozë tre mujore për 63 pacientë. Dmth për terapi tre mujore për një pacient shpenzohen 13,000 euro. Ndërkaq deri tani kemi 63 pacientë. Si i diagnostikojmë ashtu dhe iu japim terapi, ka një periudhë që i përfshijmë në listë”, tha Kalina Grivceva Staredellova, Klinika për Gastro enterohepatologji.

    Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti tha se azhurnimi i listës pozitive të ilaçeve është drejt përfundimit, dhe së shpejti pritet që ndër terapitë e tjera të ndodhet dhe terapia për trajtimin e Hepatitit B.

    “Azhurnimi i listës pozitive është drejt procesit përfundimtar. Presim kompanitë e interesuara të paraqiten me qëllim që të përmbyllim procesin dhe besoj se shumë shpejtë dhe ky problem do të tejkalohet”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

    Kanceri i mushkërive të zeza është i vetmi kancer për të cilin kryhet transplant. Në Maqedoninë e Veriut deri më tash janë kryer 3 transplante të mushkërive. Pacienti I fundit është operuar javën e shkuar dhe është në gjendje stabile. Megjithatë për momentin lista e pritjes së pacientëve për transplant është më shumë se 15. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Kontesti me Illovicën / Shukova: Nuk kemi dispozita për dalje nga situata

    Lajmi i rradhës

    Serbia intensifikon lobimin e saj në Perëndim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë