Pozicionet politike që ato përfaqësojnë dhe vendimet që marrin prej kohësh nuk janë më arsyeja e vetme për kritikat ndaj grave në politikën e brendshme. Ato shpesh sulmohen për pamjen e tyre, përballen me fyerje që prekin familjet e tyre dhe gjenden në një vijë të paqartë mes kritikës së ligjshme dhe gjuhës së urrejtjes, e cila dëmton kulturën demokratike. Edhe pse u përkasin forcave të ndryshme politike dhe mbajnë qëndrime të ndryshme ideologjike, gratë në politikë që ndanë përvojat e tyre me Kolegium.mk kanë një përvojë të përbashkët: sa më i lartë funksioni politik, aq më të shpeshta dhe më të ashpra janë sulmet ndaj tyre, përcjell Nistori.
Gjinia është baza e tretë më e zakonshme e gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut, sipas Raportit të Fondacionit Metamorfozis për vitin 2025. Nga 138 incidente të regjistruara të gjuhës së urrejtjes në mediat tradicionale dhe në rrjetet sociale, gati 20 për qind kishin si motiv gjininë.
Megjithëse Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk mban evidencë nëse ankuesit janë apo jo të përfshirë në politikë, ai konfirmon se pranon ankesa nga gra që raportojnë diskriminim dhe ngacmim në hapësirën publike dhe në media. Sipas Komisionit, gratë, veçanërisht ato që janë aktive në politikë, media dhe jetën publike, janë më të ekspozuara ndaj gjuhës së urrejtjes mbi baza gjinore. Kjo gjuhë shpesh përfshin stereotipe seksiste, fyerje për pamjen fizike dhe kërcënime, me qëllim frikësimin, heshtjen ose dekurajimin e tyre nga angazhimi publik.
Me çfarë lloj sulmesh përballen gratë në politikë?
Për zëdhënësen e Qeverisë, Marija Miteva, gjuha e urrejtjes është “një shoqëruese e përhershme e ushtrimit të funksioneve publike, veçanërisht kur bëhet fjalë për gratë”. Sipas saj, posti i zëdhënëses vetëm sa i ka bërë më të dukshme sulmet dhe përpjekjet për ta diskredituar, por ato nuk kanë nisur me emërimin në këtë detyrë.
“Edhe kur isha aktive në parti, si zëdhënëse e saj, madje edhe gjatë periudhës së shkurtër si deputete në Kuvend, që nga momenti kur fillova të flisja më shpesh në publik u përballa me të njëjtën qasje. I vetmi ndryshim është intensiteti”, shprehet Miteva.
Ajo thotë se gjuhën e urrejtjes e has më së shumti në hapësirën online, ku, sipas saj, sjellja e njerëzve ndryshon ndjeshëm nga ajo në jetën reale. Anonimiteti që ofrojnë rrjetet sociale e bën të vështirë të dihet nëse pas sulmeve qëndron një individ, një aktivist politik, një grup i organizuar apo thjesht dikush që abuzon me mundësinë për të mbetur anonim.
Megjithatë, siç thekson ajo, jo të gjithë autorët e fyerjeve janë anonimë.
“Shpesh shoh komente fyese nga persona që përdorin emrin dhe fotografinë e tyre reale, madje edhe fotografi të familjes, fëmijëve apo nipërve e mbesave. Por ajo që më zhgënjen më shumë nuk janë sulmet e kundërshtarëve politikë. Ato janë pjesë e jetës publike. Më dhemb kur shoh gra që fyejnë gra të tjera. Sidomos kur bëhet fjalë për zonja të moshuara, të cilat, me përvojën e tyre jetësore, do të duhej të ishin shembull dinjiteti, mençurie dhe mbështetjeje reciproke”, thotë Miteva.
Raportime për kërcënime, por pa rezultat
Ish-ministrja e Mbrojtjes dhe deputetja e LSDM-së, Slavjanka Petrovska, tregon se një nga rastet më serioze me të cilat është përballur ka qenë publikimi në rrjetin social X i fotografive të ndërtesës ku banon, të realizuara përmes mbikëqyrjes fizike. Sipas saj, rastin e ka denoncuar menjëherë në polici.
“Denoncimi u pranua sipas procedurës, por nuk pati asnjë rezultat. Një vit më vonë paraqita edhe një kërkesë me shkrim për t’u informuar mbi ecurinë e hetimit, por deri më sot nuk kam marrë asnjë përgjigje”, thotë Petrovska.
Ajo shton se sulmet ndaj saj nuk përfunduan me kaq.
“Në korrik të vitit 2025 mora një kërcënim për jetën përpara shtëpisë sime. Edhe këtë rast e raportova në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por deri më sot nuk kam marrë asnjë njoftim për zhvillimin e procedurës.”
Petrovska thotë se gjuha e urrejtjes ndaj saj ishte më e theksuar gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe më herët, kur ushtronte detyrën e zëvendësministres shtesë të Punëve të Brendshme.
“Sulmet u intensifikuan veçanërisht pasi dola publikisht në mbështetje të Ukrainës dhe kur, si ministre, propozoja vendime dhe mbroja publikisht dërgimin e ndihmës dhe pajisjeve ushtarake për Ukrainën. Çdo ditë përballesha me sulme në rrjetet sociale nga grupe të organizuara të lidhura me qendra ruse, por edhe nga përkrahës të partive që atëherë ishin në opozitë”, thotë deputetja.
Sipas saj, pamja fizike shpesh është bërë objekt i komenteve fyese, të cilat, siç thekson, janë kryesisht seksiste dhe mizogjiniste.
Ndërkohë, zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekoli Shaqiri, vlerëson se gjuha e urrejtjes mbi baza gjinore shpesh ndërthuret edhe me sulme mbi baza etnike. Megjithatë, ajo thotë se asnjëherë nuk ka paraqitur ankesë.
“Fokusi im mbetet puna. Megjithatë, besoj se ky fenomen meriton shumë më tepër vëmendje dhe një trajtim më serioz nga të gjithë aktorët e shoqërisë”, deklaron Zekoli Shaqiri për Kolegium.mk.
Ajo shton se, përtej funksionit publik, është edhe nënë dhe bashkëshorte, prandaj sulmet verbale shpesh sjellin një barrë emocionale shtesë.
“Përpiqem të qëndroj e fortë dhe të mos lejoj që këto komente të ndikojnë në punën time. Megjithatë, është e pashmangshme që ato të shkaktojnë shqetësim edhe te familja dhe njerëzit e mi të afërt, sidomos kur përmbajnë akuza apo komente të pabaza”, thotë ajo.
Deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri-Stafai, thotë se është një nga gratë politikane që përballet më shpesh me sulme në rrjetet sociale. Sipas saj, gjuha e urrejtjes nuk vjen vetëm nga profile anonime, por edhe nga deputetë, drejtues degësh partiake dhe funksionarë të tjerë politikë.
Për këtë arsye, ajo ka kërkuar edhe mbrojtje ligjore, duke ngritur padi për fyerje ndaj një deputeti. Megjithatë, siç thotë ajo, procedura ende nuk ka dhënë rezultat.
“Shumë gra tërhiqen nga jeta publike për shkak të këtyre fyerjeve. Tek unë nuk funksionon kështu. Nëse heshtim, askush nuk do të reagojë. Kjo është njësoj sikur të mos bëjmë asgjë. Gratë kanë nevojë për guxim dhe vendosmëri”, shprehet Imeri-Stafai.
Përvoja e saj si këngëtare, krahas angazhimit në politikë, sipas saj, është bërë shpesh shkak për sulme dhe etiketime.
“Komentet rrallë lidhen me punën apo qëndrimet e mia politike. Në të shumtën e rasteve përmbajnë etiketime dhe fyerje që lidhen me profesionin tim si këngëtare. Shpesh më shkruajnë: ‘Merr mikrofonin, politika nuk është për ty’. Këto komente synojnë të më diskreditojnë jo për atë që bëj në politikë, por për profesionin tim”, thotë ajo.
Komisioni mund të veprojë edhe me nismë të vet
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi thekson se, pavarësisht profesionit, gratë janë dukshëm më të ekspozuara se burrat ndaj fyerjeve, kërcënimeve dhe gjuhës degraduese. Sipas Komisionit, kjo ka pasoja të dyfishta: dëmton drejtpërdrejt gruan që sulmohet, por njëkohësisht u dërgon mesazh të gjitha grave se pjesëmarrja e tyre në jetën publike, politike apo profesionale nuk është e mirëpritur.
Në një përgjigje me shkrim për Kolegium.mk, Komisioni sqaron se mund të veprojë edhe me nismën e vet, edhe në rastet kur personi i dëmtuar nuk ka paraqitur ankesë. Megjithatë, kjo varet nga natyra dhe serioziteti i deklaratave.
Kur në publik bëhen deklarata fyese, seksiste apo poshtëruese ndaj një gruaje, Komisioni vlerëson nëse objekt i sulmit janë bindjet e saj politike apo karakteristikat personale, si gjinia, përkatësia etnike, mosha, raca ose ndonjë bazë tjetër e mbrojtur me ligj.
Po ashtu, shqyrtohet nëse gjuha e përdorur nxit paragjykime, stereotipe ose urrejtje ndaj një grupi më të gjerë shoqëror.
“Nëse një grua në politikë sulmohet me mesazhe që e nënçmojnë vetëm pse është grua dhe që, njëkohësisht, përcjellin idenë se gratë nuk duhet të marrin pjesë në politikë apo në jetën publike, atëherë dëmi nuk kufizohet vetëm te individi. Ai prek të gjitha gratë si grup shoqëror. Në raste të tilla ekziston interes i shtuar publik që Komisioni të reagojë edhe pa një ankesë formale”, thekson Komisioni.
Sipas këtij institucioni, nga këndvështrimi i barazisë dhe mosdiskriminimit, dukuri të tilla nuk janë vetëm problem individual.
“Ato kanë pasoja më të gjera shoqërore, sepse kontribuojnë në ruajtjen e pabarazisë gjinore dhe në krijimin e një mjedisi armiqësor ndaj grave në përgjithësi.”
Stevkovska: dhuna po shtohet, ndërsa përgjegjësia mungon
Aktivistja për barazi gjinore, Marta Stevkovska, studiuese në organizatën Stella Network, vlerëson se gjuha e urrejtjes ndaj grave në politikë krijon barriera dhe presione shtesë që ndikojnë drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e tyre në jetën publike.
Sipas saj, kjo është pasojë edhe e narrativave të rrënjosura për rolin e gruas në shoqëri.
“Po përballemi me një rritje të dhunës në internet, por edhe të dhunës fizike dhe femicidit, ndërkohë që përgjegjësia pothuajse mungon. Po normalizohet dhe relativizohet dhuna, ndërsa ajo nuk fillon domosdoshmërisht me një sulm fizik. Shpesh nis me një koment mizogjinist, një ‘shaka’ seksiste apo me gjuhë urrejtjeje mbi baza gjinore”, thotë Stevkovska.
Ajo thekson se përfaqësimi i ulët i grave në pozita vendimmarrëse dëshmon se në vend ende bëhet shumë pak për arritjen e barazisë gjinore.
Ky vlerësim përputhet edhe me raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, i cili kërkon miratimin e Ligjit për Barazinë Gjinore, Ligjit për Marrëdhëniet e Punës dhe Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi në Punë, në përputhje me standardet evropiane.
“Miratimi i këtyre ligjeve do të përmirësonte cilësinë e jetës së grave dhe do të sillte përparim në barazinë gjinore, veçanërisht në aspektin e përfshirjes së tyre ekonomike, politike dhe shoqërore”, deklaron Stevkovska për Kolegium.mk.
Një nga përjashtimet në përfaqësimin e ulët të grave në funksionet më të larta shtetërore është posti i Presidentes së Republikës, të cilin prej dy vitesh e mban Gordana Siljanovska Davkova. Megjithatë, Stevkovska vëren se në nivelet e tjera të pushtetit numri i grave mbetet dukshëm më i ulët.
Edhe pse legjislacioni maqedonas garanton që të paktën 40 për qind e kandidatëve në listat zgjedhore t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, organizata ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Evropës, synojnë përfaqësim të barabartë, përkatësisht 50 për qind gra dhe 50 për qind burra në vendimmarrjen politike.
“Kjo, e kombinuar me stereotipet tradicionale dhe qëndrimet mizogjiniste se ‘vendi i grave nuk është në politikë’, bën që ato të jenë shpesh objekt i komenteve fyese, gjuhës së urrejtjes dhe madje edhe i dhunës fizike, siç ndodhi me ish-kryetaren e Bashkisë së Shkupit, Danela Arsovska”, përfundon Stevkovska.
Studim rasti: gjuha e urrejtjes ndaj grave gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024
Presidentja aktuale, Gordana Siljanovska Davkova, ishte ndër politikanet që u përballën me nivelin më të lartë të gjuhës së urrejtjes gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Kjo konstatohet në një studim rasti të realizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit (IKS), sipas të cilit fushata zgjedhore u karakterizua nga një diskurs i ashpër dhe shpesh toksik në rrjetet sociale, veçanërisht ndaj kandidateve gra.
Një nga epitetet më të përdorura kundër Gordana Siljanovska Davkovës ishte “Baba Goga”, i cili u përsërit në një numër të madh komentesh.
Sipas Institutit, ky epitet nuk ishte vetëm një fyerje për moshën e saj, por shërbeu edhe si mjet për ta diskredituar politikisht, duke e krahasuar në mënyrë përçmuese me politikanë meshkuj, si ish-presidenti amerikan Joe Biden.
Analiza tregon se 55 për qind e komenteve të klasifikuara si jashtëzakonisht toksike u publikuan në Facebook, duke e bërë këtë platformë burimin kryesor të gjuhës së urrejtjes gjatë fushatës.
Nga ana tjetër, kandidatja e atëhershme e partisë Levica, Biljana Vankovska, nuk u përball me të njëjtin nivel sulmesh.
Sipas Institutit, kjo mund të shpjegohet me faktin se ajo nuk arriti të kualifikohej në raundin e dytë të zgjedhjeve dhe nuk identifikohej drejtpërdrejt me asnjërën prej dy partive më të mëdha politike në vend, VMRO-DPMNE dhe LSDM.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se edhe numri më i vogël i mesazheve me gjuhë urrejtjeje mbetet shqetësues, pasi ato kanë potencial të ndikojnë në perceptimin publik, të përhapin dezinformata dhe të krijojnë klimë frikësimi.
Sipas Institutit, ndërthurja e seksizmit, diskriminimit mbi bazën e moshës dhe fyerjeve politike tregon nevojën për politika më efektive të moderimit në rrjetet sociale, si dhe për përpjekje më të mëdha për promovimin e një kulture të debatit politik të bazuar në respekt dhe dinjitet.
Për nevojat e këtij studimi u analizuan më shumë se 1.600 komente në rrjetet sociale, të marra nga seksionet e komenteve dhe jo nga publikimet zyrtare të partive politike apo të vetë kandidatëve.
*Ky artikull u përgatit në kuadër të projektit Diversity Network 2.0 – Agjenda e re.