“Si rezultat i ritmit shumë të ngadaltë dhe letargjik të reformave në arsim, sistemit të ndryshkur dhe të korruptuar, dhe në pamundësi për të bërë diçka konstruktive, Qeveria trajton tema nacionalizmi si patericë për t’i ikur realitetit”.
Ky është konstatimi i përgjithshëm në opinionin publik pasi që Qeveria e re e koalicionit VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM e udhëhequr nga Hristijan Mickoski me propozim-ligjin e ri për arsim të mesëm parashikon që gjatë shënimit të patronatit, fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor në shkollat e mesme të intonohet himni shtetëror. Ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri vlerëson se Qeveria në këto gjashtë muaj të qeverisjes ka vijuar me provokime etno-nacionaliste në arsimin publik në vend.
“Me keqardhje mund të konstatoj që qeveria e DPMNE-së në këto gjashtë muaj të qeverisjes ka vijuar me provokime etno-nacionaliste në arsimin publik në vend. Edhe njëherë po dëshmohet që retorika parazgjedhore, ku kërkon rritje ekonomike dhe tejkalim të çështjeve etnike, u zëvendësua me antidoten e saj – praktikisht, në mungesë dhe të një dështimi të plotë ekonomik, investues dhe integrues, DPMNE vijoi vetëm me projektet e BDI-së për 6 muaj me radhë në arsim dhe nuk filloi asnjë projekt apo investim të ri. DPMNE, e ndihmuar nga vasalet e VLEN-it, të pafuqishëm për të mbrojtur interesat shqiptare, me nënshkrimin e tyre, pra të ministrit dhe zëvendësministrit shqiptar për Arsim dhe Shkencë, javën e kaluar sollën në parlament propozim ligjin për arsim e mesëm dhe fillor, ku shkollat obligohen disa herë brenda vitit, pra edhe shkollat me mësim në gjuhën shqipe, të intonojnë himnin maqedonas”, tha Shaqiri për Koha.
Kjo, sipas tij, paraqet një vendim të gabuar, meqë është në kundërshtim me vlerat e një shteti shumë-etnik, gjithëpërfshirës dhe ndërtimit të kohezionit shoqëror, duke pasur parasysh që edhe himni është jokonsesual dhe pastër etnik-maqedonas.
Po ashtu, shton bashkëbiseduesi ynë, kthimi i evidencës së notave të nxënësve në gjuhën edhe në gjuhën maqedonase në ditar është një rikthim i rrezikshëm në kohërat kur po me këto pretekste shqiptarëve iu ndalohej arsimi në gjuhën amtare, me çka shkollat shqipe dënohen jo vetëm me diskriminim gjuhësor, po edhe investues, ku drejtorë e arsimtarë dënohen me masa disiplinore, ndërsa investimet kapitale nëpër shkolla ulen në thuajse zero.
“I bëjmë apel DPMNE-së, në mungese të përfaqësuesve të denjë shqiptarë në Qeveri dhe me ato që janë pa legjitimitet dhe program politik, të mos e keqpërdorin situatën për nxitje të urrejtjes nacionale e etnike, për shkak se vetë do të bartin pasojat e një politike të këtillë, që haptas është anti-shqiptare”, nënvizoi ai. Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu për Koha tha se propozim ligji është në procedurë parlamentare dhe nuk është përfundimtar pasi që deputetët edhe të shumicës edhe opozitës kanë paralajmëruar amendamente me të cilat mund të pëson ndryshime.
Elmi Aziri, deputet i Aleancës për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës për Koha thotë se intonimi i himnit nëpër shkolla është vendim i gabuar dhe i panevojshëm.
“Nuk ka asnjë efekt në përmirësimin e cilësisë së arsimit përpos që ndikon në thellimin e hendekut mes bashkësive etnike. Himni i shtetit është etnik, nuk shpreh karakterin multietnik të shtetit dhe si i tillë shpreh rezerva të etnive jo maqedonase. Vlerësojmë se ky ligj është rezultat i paralajmërimeve qysh para zgjedhjeve të një tendence nacionaliste nga ana e qeverisë jo legjitime dhe monoetnike”, deklaroi Aziri për Koha.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, shpreh keqardhjen që ka polemika rreth propozim-amendamenteve të Ligjit për arsimin e mesëm. Sipas saj, për momentin nuk po diskutohet asgjë tjetër, përveç himnit, i cili, thotë ajo, nuk është temë për debat. Opozitarja BDI ka paralajmëruar se do të bllokojë në procedura parlamentare të gjitha ligjet që tangojnë, siç kanë deklaruar interesin shqiptar, ndërkohë që për Ligjin për arsim të mesëm me të cilin parashihet intonimni i himnit shtetëror janë paralajmëruar edhe amendamente me të cilat do të precizohet përdorimi i saj.
Siç mëson Koha nga burime partiake amendamente për këtë ligj do të dorëzojnë edhe deputetët e koalicionit VLEN. Propozim-ligji i ri për arsim të mesëm parashikon që gjatë shënimit të patronatit, fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor në shkollat e mesme të intonohet himni shtetëror. Ministrja e Arsimit Vesna Janevska ka deklaruar se intonimi i himnit nuk është obligative dhe për këtë vendosin themeluesit e shkollave të mesme, në këtë rast, komunat.