“HIP E ZBRIT” ME ÇMIMET E PRODUKTEVE! Nga sot përsëri shtrenjtime

    Çmimet e ngrira të frutave dhe perimeve që ishin paraparë të ngrijnë deri në fund të prillit mund të rriten përsëri pas të martës, kjo pasi siç njoftoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është rritur edhe çmimi i importit të domateve dhe trangujve. Qeveria, e cila pasi ngriu çmimet për frutat dhe perimet në prag festash, tani njofton se do të bëhet një korrigjim i ri me të cilin çmimet e 11 llojeve të pemëve dhe perimeve mund edhe të rriten në seancën e së martës. Arsyeja për këtë, sipas ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është rritja e lehtë e çmimit të importit të domateve dhe trangujve që u raportua nga importuesit. Informacionet janë se asnjë nga produktet nuk do të mbajë çmim më të lartë se 100 denarë për kilogram. “Assesi nuk do të ketë çmime si para dhjetë ditësh, ku në shitjet me pakicë – çmimet shkonin nga 130-140 denarë, e që në një periudhë shkuan edhe deri në 150 denarë”, u arsyetua ministri Bekteshi. Pas takimit me importuesit e pemëve dhe perimeve, Bekteshi deklaroi se të dhënat tregojnë një rritje të lehtë të çmimit të importit për disa produkte dhe çmimet e përcaktuara me vendim duhet të korrigjohen.

    “Korrigjimi do të jetë në përqindje, varësisht nga rritja e kostos së importit të treguara nga Dogana nga 28 marsi deri më tani. Sa më të larta të jenë çmimet e importit të produkteve të caktuara, aq më i lartë do jetë edhe çmimi i ngrirë”, theksoi ai. Njoftimet janë se do ketë një korrigjim të vogël në çmimin e domateve dhe kastravecit, pasi nuk ka import nga Turqia dhe Greqia, ku edhe ka një prodhim më të madh të këtyre produkteve. Importi deri në fund të muajit në përgjithësi do të bëhet nga Shqipëria dhe një pjesë e vogël nga Serbia. Në katër muajt e parë, vendi përgjithësisht importon nga Turqia, Greqia, Shqipëria dhe Serbia.

    “Me Shqipërinë dhe Serbinë që janë në CEFTA, nuk kemi doganë, ndërsa me Turqinë dhe Greqinë ka, dhe përveç doganës – paguhet edhe 5% TVSH për frutat dhe perimet e importuara”, tha Bekteshi. Ai njoftoi gjithashtu se do të bëhen kontrolle për importet e muajve të fundit dhe paralajmëroi sanksione për importuesit që në shërbimin doganor kanë dorëzuar fatura false me çmime më të ulëta se ato reale.

    Në ndërkohë, Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) që nga mëngjesi i djeshëm ka vazhduar me aksionet për kontrollin e importuesve të frutave dhe perimeve në mbarë vendin në koordinim me Drejtorinë e Policisë Financiare dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike. “Me aksionin janë përfshirë importuesit e fruta – perimeve në Shkup, është futur edhe në tregun ‘Kvantashki’, ndërsa kontrolle janë bërë edhe te importuesit me shumicë në Strumicë, Dibër dhe qytete të tjera”, ka konfirmuar për MPB-në drejtori i ISHT-së, Goran Trajkovski. Më shumë se 30 inspektorë nga ISHT janë në terren. Trajkovski paralajmëroi se aksioni do të vazhdojë gjatë gjithë ditës, por se të hënën do të publikohen informacione të përmbledhura për rezultatin, prej kur, siç thekson, do të vazhdojnë të bëhen kontrolle të vazhdueshme, sikur në periudhën e kaluar.

    Edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se do të vazhdojnë kontrollet se si janë bërë importet në vendin tonë për të gjithë, importues të frutave dhe perimeve muajt e fundit. “Drejtoria Doganore, DAP, ISHT, Policia Financiare do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme për të mos dëmtuar Buxhetin, e me këtë edhe konsumatorët në vendin tonë”, tha Bekteshi, ndërsa shtoi se do të pasojnë sanksione për të gjithë importuesit që kanë bërë importe dhe në të njëjtën kohë kanë dorëzuar fatura të rreme më të ulëta se ato reale. Shmangia e tatimit mbi 10 mijë euro, theksoi ministri, është vepër penale dhe pres që Drejtoria doganore të veprojë sipas kompetencave të saj deri në fund. Vendimi për ngrirjen e çmimeve të 11 llojeve të frutave dhe perimeve ka hyrë në fuqi që nga 5 prilli dhe duhet të zgjasë deri më 30 prill. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ditët e ngrohta po afrojnë dhe këtë preparat patjetër duhet ta keni në çantë!

    Lajmi i rradhës

    Rubin: Maqedonia e Veriut ka problem me dezinformatat ruse

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë