Hipokrizia e Alternativës në kurriz të BE-së si arsyetim për t’u bërë pjesë e Qeverisë

    Foto: Nistori

    Gazetar | Adrian Kerimi

    Partia Alternativa shfrytëzon procesin euro integrues të vendit si mekanizëm për të mbuluar apetitet e tyre për pushtet. Ekspertët vlerësojnë se momenti në të cilin ndodhet vendi, pak ditë para vendimit kur pritet hapja ose jo e negociatave, përkatësisht konferenca e parë ndërqeveritare nuk korrespondon as logjikisht dhe as praktikisht me mundësinë që partia e Afrim Gashit të kontribuon që vendi të merr datë për negociata.

    Ish-ambasadori, Oliver Shambevski vlerëson se me këtë veprim Alternativa do të ndikon vetëm në sigurimin e shumicës parlamentare, që sipas tij nënkupton edhe amnisti për gjitha skandalet ndaj Qeverisë së deritanishme.

    “Nuk mendoj se për momentin Alternativa do të kishte mundësi si të ndikonte në procesin euro integrues të Maqedonisë, qoftë edhe në mënyrë simbolike. Mendoj se gjithçka që do të bën është ndihma ndaj BDI-së që të vazhdon ta mban si faktorë në Qeveri, procesin integrues dhe dëmin ndaj qytetarëve. Nuk e kuptoj si mund ta bëjnë një gjë të tillë edhe pas gjithë skandaleve dhe katastrofave për të cilat pikërisht kjo Qeveri është përgjegjëse. Këtë gjë patjetër duhet t’ia shpjegojnë votuesve të tyre.” – deklaron për Nistori Oliver Shambevski, Ish-ambasador

    Gazetarja Fatlume Dervishi e cila ndjek zhvillimet në politikën e jashtme vlerëson, se Alternativa e përdor BE-në si justifikim për t’u bërë pjesë e Qeverisë. Sipas Dervishit data për negociata nuk varet nga zhvillimet e brendshme, por nga pozicioni i Bullgarisë dhe kushtet e saj ndaj vendit tonë.


    “Hyrja në Qeveri e Alternativës duke pasur marrjen e datës si arsye është vetëm justifikim. Tek e fundit, dhënia e datës në këtë moment varet shumë pak ose aspak nga zhvillimet e brendshme politike, por shumë nga pozita e Bullgarisë. Me ose pa Alternativën në Qeveri, Bullgaria kërkon kushte të cilat Maqedonie e Veriut ka treguar shumë pak gatishmëri për t’i zbatuar dhe si pasojë. Nuk ka asgjë që mund të bëjë Alternativa për momentin, për ta përshpejtuar këtë proces.”- thotë Dervishi për Nistori.

    Më 16 dhe 17 dhjetor në Bruksel është thirrur Samiti i BE-së. Deri atëherë ministri i jashtëm, Bujar Osmani ka deklaruar se mjafton koha që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të gjejnë gjuhën e përbashkët për tejkalimin e dallimeve që do të rezultonin me heqjen e bllokadës nga fqinjët lindor. Në deklaratat e deritanishme, liderët bullgar kanë deklaruar se pavarësisht jo stabilitetit politik në Bullgari, shteti bullgar nuk ndryshon pozicion ndaj Maqedonisë së Veriut dhe të vërtetës historike.

    Pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, Alternativa filloi retorikën për shkëputje nga Aleanca për Shqiptarët (me të cilën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 bashkërisht siguruan 12 deputet) dhe brenda organeve të partisë filloi të shqyrton mundësinë për pjesëmarrje në Qeveri.

    Jo zyrtarisht Alternativa në negociata me kryeministrin Zaev pretendon 2 ministri, 3 zëvendësministra dhe 25 drejtori ose thënë ndryshe paketën qeveritare të Lëvizjes Besa, plus një ministër dhe një zëvendësministër më tepër. Në rast se Alternativa me 4 deputetët e saj bëhet pjesë e Qeverisë, shumica parlamentare do të ketë 63 deputet. Deputeti Kastriot Rexhepi për momentin ka deklaruar se do të vepron si i pavarur, por në mbështetje të shumicës. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Aksidenti në Bullgari: Filipçe: Po punohet në kryerjen e analizave të ADN-së

    Lajmi i rradhës

    Kallëzim penal ndaj policit kufitar, keqpërdori detyrën zyrtare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë