Hovenier bisedon me deputetët për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se ka biseduar me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporës për tema të sigurisë kombëtare dhe ato të politikës së jashtme.

    Pas takimit, që ishte i mbyllur për publikun, Hovenier, tha po ashtu se e vlerëson punën e Kuvendit, që sipas tij është institucion shumë i rëndësishëm në sistemet demokratike.

    “Patëm një bisedë të frytshme për një sërë temash të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme. Kam respektin më të lartë për rolin e Kuvendit, si element i sistemit demokratik dhe bazuar në këtë bisedë – kam pasur edhe më herët – kam më shumë respekt për anëtarët e këtij Komisioni dhe punën që bëjnë në mbështetje të politikës së jashtme të Kosovës dhe prioriteteve të sigurisë kombëtare”, tha Hovenier.

    Takimi i zhvilluar më 2 qershor erdhi pas ftesës së dërguar nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Kreu i këtij komisioni, Haki Abazi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, tha se janë të hapur për këshilla dhe të mësojnë nga përvoja e SHBA-së sa i përket shtetndërtimit.

    “Rikonfirmuam lidhjen, marrëdhënien speciale dhe strategjike me Shtetet e Bashkuara, rrugëtimin tonë të përbashkët drejt integrimeve euro-atlantike. Natyrisht që rikujtuam disa prej aspekteve të ecjes së Kosovës drejt shtetndërtimit të plotë dhe natyrisht kjo do të vazhdojë, paçka që në rrugëtimin tonë në kontekstin tonë gjeopolitik mund të ketë edhe çështje të cilat diskutohen, por ato janë mes miqsh, mes partnerëve dhe kjo frymë e bashkëpunimit do të vazhdojë edhe më tutje”, tha Abazi.

    SHBA-ja ishte ndër mbështetëset më të mëdha të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe po vazhdon të mbështesë shtetin në përpjekjet për t’u anëtarësuar në organizata dhe institucione ndërkombëtare dhe për të konsoliduar shtetësinë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Ukraina kërkon ndihmën e OKB-së për eksportet e drithërave

    Lajmi i rradhës

    Pas statusit “vend i asociuar”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë