Pas statusit “vend i asociuar”

    LEONIDHA MËRTIRI 

    Presidenti i Këshillit të Europës, Charles Michel, gjatë vizitës së këtyre ditëve në Tiranë, iu referua shpikjes së Presidentit të Francës Emmanuel Macron, për pjesëmarrje në Bashkimin Europian, por si anëtar i asociuar. Me fjalë të tjera: Të jesh pjesëmarrës në tryezat e BE-së, por jo si vend anëtar. Sipas Michel, kjo bën që bashkëpunimi midis këtyre vendeve dhe Brukselit të jetë më nga afër, i afron për problemet që kanë dhe rrit kujdesin në kapërcimin e tyre. Kjo bëka gjithashtu që të ndihesh më afër Europës dhe praps sulmet e deritanishme, se “këto vende mbahen larg Europës”.

    Pra, ëndrrat i bëka më të kapshme për sigurinë, që nesër të jenë vende anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, “të ndierit më afër” sikur i përgjigjet një realiteti tjetër, të qëndruarit në fakt më larg BE-së, kur është fjala për ato vende që e kanë marrë statusin e kandidatit në rrugën e tyre të integrimit në këtë union të rëndësishëm. Pas kësaj, shpikja e vendit apo shtetit të asociuar, mendojmë se vetëm e zbeh besueshmërinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në bashkimin me këtë familje. Le të kujtojmë Samitin e Selanikut të vitit 2003, i cili konfirmoi të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor. Qysh atëherë kanë ikur pothuaj njëzet vjet.

    Vendi ynë dhe vende të tjera të rajonit tonë u vlerësuan si kandidatë të mundshëm për anëtarësim në BE. Me to më vonë janë nënshkruar dokumente të rëndësishëm, si Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, për përmbushjen e prioriteteve kyçe etj., që do të çonin në hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Kjo Marrëveshje për vendin tonë hyri në fuqi në fillim të muajit prill të vitit 2009. Nëntë vjet më pas, në qershor 2018, Këshilli Europian përcaktoi piketat për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe një vit më vonë po ky Këshill e shtyu këtë vendim. Dhe kështu ka vazhduar me “ngriva”- “shkriva”.

    Dy vjet më parë u miratua hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, kjo datë herë afrohej e herë largohej. Sigurisht, procesi i anëtarësimit kërkon rrugë të gjatë. Por, sikurse është dëshmuar, vetë BE-ja ka qenë e mjegullt për këtë rrugë të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me gjithë retorikën e njohur se siguria e vijon nga faqja 1 Europës nuk mund të jetë e tillë pa Ballkanin Perëndimor, se ky i fundit i përket Bashkimit Europian. Premtime që mbeten të ngujuara në fjalë, sikurse ka ndodhur dhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për fillimin e bisedimeve të pranimit me BE-në, për shkak të vendosjes së murit nga Bullgaria ndaj fqinjit tonë lindor.

    Nëse kriteret janë përmbushur, ende zvarritjet duhet të vazhdojnë dhe më tej? Apo gjetja e çuditshme e statusit të “vendit të asociuar” do të ishte mbyllje e “andrallave” me shtetet aspirante dhe moskokëçarje e mëtejshme me to? Në të njëjtën kohë krijohet përshtypja e një kompromisi a qoftë drojë ndaj paralajmërimeve të Rusisë për tërheqjen e ish republikave sovjetike nga aspiratat e tyre për anëtarësim në strukturat euro-atlantike, republika të cilat Moska i konsideron sfera të saj të influencës.

    Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia janë të njohura për statusin e tyre të “shtetit të asociuar”. Dhe gjendet kështu ky lloj statusi, për të shtyrë në “kalendat greke” marrjen e statusit të vendit kandidat. Kreu i Këshillit të Europës, çuditërisht, jehonën e këtij statusi ua bën të njohur vendeve të rajonit tonë gjatë vizitës së tij të ditëve të fundit, si gjetje me interes të madh. Sipas tij, ky interes lidhet me faktin që statusi i tillë “lejon pjesëmarrjen në tryezat e mëdha të Brukselit dhe se është formati i duhur për të njohur më mirë njëri-tjetrin”.

    Këto i ngjajnë më shumë thirrjeve të një shitësi për t’u bërë sa më shumë reklamë mallrave të tij sesa një alternativë reale për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ndërkohë, do të ishte më e udhës korrigjimi i gabimeve të bëra nga BE-ja, sikurse është fjala për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, siç nënvizon me të drejtë emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, dhe përmes korrigjimit të krijohet një dinamikë pozitive. Sepse, shton me të drejtë ai, nuk ka alternativë tjetër, përveç anëtarësimit të plotë të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, si qytetarë të barabartë të Bashkimit Europian. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Hovenier bisedon me deputetët për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme

    Lajmi i rradhës

    Zyrtare: Antonio Rudiger, lojtar i ri i Real Madridit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë