Hovenier kërkon nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se zbatimi i plotë i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të mundësonte uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

    Gjatë një adresimi për media, pasi mori pjesë në një ngjarje në Policinë e Kosovës, Hovenier më 1 gusht tha se Uashingtoni kërkon që dy gjëra të ndodhin që të ulen tensionet në veri.

    “Ne duam të shohim dy gjëra. Ne mendojmë se është e rëndësishme të arrihet përshkallëzim i mëtejmë i situatës në veri për të shmangur tensionet. Gjëja e dytë që duam të shohim është përtrirja e përpjekjeve nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur në Ohër. Kjo ndihmon Kosovën të përparojë drejt integrimit të plotë në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe ripozicionimin e raporteve mes këty dy shteteve”, tha ai.

    Hovenier iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që palët arritën në shkurt në Bruksel, dhe më pas në mars në Ohër arritën pajtim për Aneksin e zbatimit të saj.

    Marrëveshja, veç tjerash, parasheh edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizim, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    “Nga Qeveria e Kosovës ne kërkojmë që të ndërmarrë hapa për shtensionuar situatën në veri dhe të krijojë një mjedis të ri ku të dyja shtetet mund të punojnë në zbatimin e të gjitha zotimeve në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit. Për Kosovën kjo nënkupton që të lëvizë përpara me një urgjencë në procesin për negocimin dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo është pjesë e zotimeve që janë bërë nga Qeveria e Kosovës. Ky nuk është obligimi i vetëm që ka dhe ky nuk është neni i vetëm i Marrëveshjes së Ohrit, por është i rëndësishëm”, tha Hovenier.

    Ambasadori amerikan tha po ashtu se edhe Serbia ka obligime të shumta të cilat duhet t’i zbatojë, duke shtuar se “ne mendojmë se asnjëra palë nuk po zbaton plotësisht zotimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”.

    Kjo marrëveshje, me 11 nene, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

    Ndërkaq, tensionet në Kosovë janë rritur, pasi në maj, kryetarët e rinj shqiptarë hynë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.
    Komuniteti serb dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, por as nuk i pranojnë kryetarët e rinj.

    Tensionet kanë kulmuar edhe me dhunë mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të ulen në tavolinën e negocimit.

    Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.

    Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

    Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

    10 korrik 2023

    HapiVeprimiKoha
    1Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.Java e parë
    2Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.Nga java e parë, në vazhdimësi
    3Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
    4BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.Java e dytë
    Burimi: Qeveria e Kosovës

    Megjithatë, së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Erëzat efikase kundër mushkonjave

    Lajmi i rradhës

    Bukuria mahnitëse e Alpeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë