Bukuria mahnitëse e Alpeve

    Vargmali më i gjerë malor i Evropës përfshin mbi një gjysmë duzinë vendesh dhe përmban maja të thyera, pamje spektakolare, gryka të thella, lugina të gjelbëruara dhe shumë më tepër.

    Alpet shtrihen në tetë shtete evropiane: Gjermania, Zvicra, Austria, Franca, Lihtenshtajni, Monako, Italia dhe Sllovenia. Ato janë një destinacion popullor pushimesh për alpinistët gjatë muajve të verës dhe për skiatorët dhe snowboarderët në dimër. Alpet spikasin me majat mahnitëse, liqenet malore të pastër kristal, livadhet e lulëzuara dhe qytetet e bukura përreth. 

    Zugspitze, Gjermani 

    Ajo që të vjen në mendje kur përmend Alpet janë ndoshta majat malore dhe imazhet panoramike. Zugspitze, mali më i lartë i Gjermanisë me 2,962 metra, i plotëson të dyja kriteret. Një platformë shikimi ju pret në majë, ku mund të arrihet lehtësisht me teleferik. Zugspitze ndodhet në Gjermaninë jugore, pikërisht pranë kufirit austriak. 

    Liqeni Konigssee, Gjermani 

    Liqeni Konigssee shtrihet në rrëzë të malit mbresëlënës Watzmann në jugperëndim të Gjermanisë. Merrni një varkë elektrike të përshtatshme për mjedisin për të eksploruar këtë hapësirë të qetë uji dhe vizitoni kishën e Shën Bartolomeut në gadishullin Hirschau. Në përgjithësi, ju mund të gjeni rreth 4000 liqene malore të pastër si kristal në të gjithë Alpet. 

    Breitachklamm, Gjermani 

    Alpet ofrojnë jo vetëm male të mrekullueshme dhe liqene të bukur, por edhe shumë gryka mbresëlënëse që ia vlen të vizitohen. Një shembull i rëndësishëm është kanioni Breitachklamm në Oberstdorf, Gjermania jugore, i cili mund të eksplorohet nëpërmjet urave për këmbësorë që çojnë mbi lumin e zhurmshëm Breitach poshtë. 

    Kështjella Neuschwanstein, Gjermani 

    Kalaja ikonike e Gjermanisë Neuschwanstein është një gjë që duhet parë. Ajo u ndërtua nga Mbreti Ludwig II i Bavarisë në fund të shekullit të 19-të. Megjithatë, familja mbretërore kaloi vetëm disa ditë atje. Sot, Neuschwanstein tërheq miliona vizitorë, të cilët i magjeps kështjella përrallore dhe mjedisi i saj epik malor. 

    Ujëvarat Krimml, Austri 

    Dhe tani në Austrinë fqinje. Në 380 metra, ujëvarat Krimml në Parkun Kombëtar Hohe Tauern renditen ndër më të lartat në Evropë. Ecja në majë zgjat rreth një orë dhe ia vlen përpjekja! Mjegulla e ujëvarës thuhet gjithashtu se ka efekte të ndryshme të dobishme shëndetësore. 

    Shpella e akullit, Eisriesenwelt, Austri 

    Shpella e akullit Eisriesenwelt Werfen pranë Salzburgut, e cila zgjat 42 kilometra, konsiderohet më e madhja e këtij lloji në botë. Ture me guidë, që zgjasin 75 minuta, ofrohen nga maji deri në fund të tetorit. Eksplorimi i shpellës në këmbë kërkon një nivel të arsyeshëm fitnesi dhe veshja e ngrohtë është e detyrueshme pasi temperaturat janë zakonisht nën zero. 

    Ura Charles Kuonen, Zvicër  

    Ura e varur Charles Kuonen pranë Randa, Zvicër, është më e gjata e këtij lloji në Alpe, duke u shtrirë rreth 500 metra përgjatë luginës Grabengufer në luginën Mattertal. Megjithatë, kalimi nuk është për ata që janë të dobët, pasi mund të shikoni drejt poshtë në luginë, rreth 80 metra më poshtë! Ura është e hapur nga maji deri në tetor dhe pa pagesë. 

    Lucernë, Zvicër 

    Në Alpe, do të gjeni jo vetëm peizazhe mahnitëse, por edhe fshatra dhe qytete tepër idilike. Qyteti zviceran Lucernë, për shembull, krenohet me shumë arkitekturë historike dhe një qytet hisotirk tërheqës, perfekt për të bërë një shëtitje. Nëse kaloni disa ditë këtu, do të keni kohë edhe për të eksploruar malet përreth. 

    Matterhorn, Zvicër 

    Matterhorn madhështor ndodhet jo shumë larg Lucernës. Megjithëse Alpet janë plot me maja mbresëlënëse, Matterhorn renditet ndër malet më të famshme dhe më të fotografuara në Evropë, për shkak të formës së tij ikonike piramidale. Rajoni gjithashtu krenohet me një zonë verore të skive, megjithëse ajo u mbyll përkohësisht vitin e kaluar për shkak të reshjeve të pamjaftueshme të borës.  

    Tre Cime di Lavaredo, Itali 

    Grupi malor më i njohur i Italisë, Tre Cime di Lavaredo, gjendet në Dolomite. Majat janë një nga pikat më spektakolare të ngjitjes në Tirolin e Jugut dhe janë renditur si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kjo pjesë e veriut të Italisë është e njohur për turistët për natyrën e saj, si dhe për ofertën e saj të kulinarisë.   

    Liqeni i Bled, Slloveni 

    Liqeni Bled është ndoshta një nga vendet më romantike në të gjithë Slloveninë. Ky liqen mjaft i vogël në Alpet Juliane në Slloveninë veriore shquhet me një mjedis vërtet piktoresk, me një ishull të vogël dhe male që ngrihen pas. Nuk është për t’u habitur që ky vend është kaq i popullarizuar për çiftet e dashuruara. 

    Les Trois Vallees, Francë 

    Ka mbi 600 zona turistike për ski në Alpe! Më i madhi prej tyre gjendet në Francë, ku zona e skive Les Trois Vallees krenohet me jo më pak se 600 kilometra shpate, të lidhura me 180 ashensorë! Përveç shtigjeve të pafundme, ka edhe shumë hotele luksoze dhe restorante për të shijuar. /DW/

    Lajmi Paraprak

    Hovenier kërkon nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit

    Lajmi i rradhës

    Rritet numri i të punësuarve në industrinë e RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë