Në “Ftesë në studio” me Xhemazije Rizvanin u fol për imamin Basri Kurtishi i njohur për shumë njerëz që i ka bërë ta përqafojnë fenë Islame.
Basri Kurtishi, një emër i njohur mes shqiptarëve në diasporë, me rrënjë nga fshati Bllacë afër Shkupit, ka ndërtuar një rrugëtim unik në shërbim të besimit dhe paqes. I lindur dhe i rritur në Danimarkë, ai sot ushtron një profesion të rrallë: kujdestar shpirteror në burgjet daneze, ku ofron mbështetje fetare dhe morale për të burgosurit. Me një formim të thellë fetar dhe akademik, Basriu ka ndjekur shkollën e mesme në Medresenë Isa Beu në Shkup, studimet e larta në Kajro dhe më tej ka realizuar një master në Kopenhagë për përkujdesje shpirtërore.
Aktualisht, ai ndjek një tjetër program masteri në edukim ndërfetar, me theks të veçantë në studimet islame. Në emisionin ” Ftesë në studio” Kurtishi theksoi rëndësinë e edukimit fetar në procesin e pendesës dhe rehabilitimit të të burgosurve.
“Të burgosurit kanë nevojë të kuptojnë thellë peshën e fajit dhe të ndërtojnë një raport të ri me Zotin përmes edukimit shpirtëror. Kjo i ndihmon ata të bëjnë paqe me vetveten dhe të tjerët”, tha ai.
Puna e tij është vlerësuar jo vetëm nga institucionet daneze, por edhe në nivel ndërkombëtar. Nga Federata e Paqes në Botë, Basri Kurtishi mban titullin e Ambasadorit të Paqes, si dëshmi e përkushtimit të tij për ndërtimin e urave ndërfetare dhe promovimin e paqes në shoqëri. Shembulli i tij është frymëzim për shumë të rinj shqiptarë në diasporë që duan të kontribuojnë me dije, besim dhe humanizëm në shoqëritë ku jetojnë.