Huqja në përkthim për heqje të vizave për Kosovën

    Deklarata

    “E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet”Përkthimi zyrtar i deklaratës së Macron

    Vlerësimi / RRENË

    Presidenti francez, Emmanuel Macron nuk ka deklaruar se Franca nuk do t’ia heq vizat kosovarëve nga data 1 janar 2024. Përkthimi zyrtar në konferencën që Macron kishte me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nuk ishte i saktë. Duke u bazuar në përkthimin zyrtar edhe mediat e kanë transmetuar një lajm të pasaktë për pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Disa nga mediat më pas e kanë fshirë këtë informacion, e disa të tjera vazhdojnë ta kenë të publikuar, dhe të pandryshuar. Macron kishte foluar se si Franca e ka mbajtur fjalën për heqjen e vizave për Kosovën. 

    Artikulli

    Një deklaratë e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, e dhënë më 17 tetor 2023, një ditë pas takimit të Procesit të Berlinit në Tiranë, në lidhje me çështjen e vizave për qytetarët e Kosovës shkaktoi konfuzitet në Kosovë. Bazuar në përkthimin zyrtar të deklaratës së presidentit Macron, mediat në Kosovë publikuan informacionin se Franca ka pezulluar vizat për kosovarët.

    “E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që palët të angazhohen që të ecin përpara dhe është kushti i paqes në të gjithë zonën” – thuhet në përkthimin zyrtar të deklaratës së presidentit Macron, e cila është publikuar edhe në faqen zyrtare të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

    Bazuar në këtë përkthim, mediat vendore kanë publikuar artikujt me tituj Franca pezullon vizat për Kosovën, Macron: Franca e ka pezulluar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Macron: Franca ka pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën, Franca pezullon vizat për KosovënMacron: Franca pezulloi përkohësisht vizat për KosovënFranca pezullon vizat për Kosovën? Macron: Kosova nuk po e mban fjalën e dhënë, E FUNDIT- Franca pezullon vizat per KosovenFranca pezullon liberalizimin e vizave për Kosovën, Berisha dhe Basha “bëhen bashkë”: Politikë e gabuar.

    Më pas doli që deklarata e Macronit është keqinterpretuar për shkak të gabimit në përkthim. Disa nga mediat më pas e fshinë lajmin e publikuar por disa të tjera ende vazhdojnë ta kenë nëpër ëeb-faqet e tyre, pa ndonjë sqarim apo shënim, se ai informacion nuk është i saktë.

    Pas përhapjes së lajmit, që Macron ka thënë se Franca ka pezulluar vizat për Kosovën, nga Zyra e Presidentit të Francës kanë dhënë një sqarim lidhur me këtë çështje për Euractiv.com.

    “Kjo nuk është çështja. Vendimi nuk është marrë, është në dorë të autoriteteve të Kosovës dhe në çdo rast është vendim evropian. Presidenti po fliste për tensionet me Serbinë dhe Kosovën. Në kuadër të bllokadës nga Prishtina, presidenti konsideron se tema e liberalizimit të vizave është ende e hapur” – ka thënë Zyra e Presidentit të Francës në një përgjigje për Euractiv.com.

    Euractiv citon edhe eurodeputetin holandez, Thjis Reuten, i cili ishte raportues për viza në Parlamentin Evropian. Ai ka sqaruar se qytetarët e Kosovës nga 1 janari do të udhëtojnë në vendet evropiane, duke shtuar se qëndrimi i Francës nuk është i njëjtë me atë të BE-së dhe se presidenti Macron nuk ka fuqinë për ta ndryshuar atë.

    Vendimi për lejimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës është nënshkruar nga Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli dhe pritet të hyjë në fuqi. 

    “Prandaj, ai nuk mund të pezullohet nga një shtet anëtar sipas dëshirës. Ka procese për të vonuar ose ndaluar liberalizimin, por kjo ka të ngjarë të marrë një shtytje të konsiderueshme. Holanda e nisi një proces të tillë vetëm një herë më parë kundër Shqipërisë, por nuk kaloi në Këshill. Këto rishikime zakonisht konsiderohen vetëm sipas rregullave që marrin në konsideratë kërcënimet si migrimi ose siguria” – thuhet në Euractiv.

    Sipas Radio Evropa e Lirë, deklarata e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, ishte si më poshtë.

    “Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”- ka thënë Macron sipas Radio Evropës së Lirë.

    Sipas Radio Evropa e Lirë, për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së. Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtarë. 

    Janë katër skenarë kur Mekanizmi i pezullimit të vizave do të aktivizohej sipas REL:

    1. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të migrimit të parregullt.
    2. Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%.
    3. Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt.
    4. Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.

    Si u prit dhe si u komentua deklarata e keqinterpretuar?

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, për RTV21 tha se për t’u pezulluar vizat duhet të ndiqen hapat e njëjtë të cilët janë ndjekur për t’u liberalizuar.

    “Edhe ne e pamë deklaratën ajo çfarë dimë është se procesi i liberalizmit të vizave është përmbyllur dhe sigurisht kjo edhe përmbyllur ne vonesa shume të mëdha dhe kjo është mbështetur nga vet Franca, javën e kaluar e patëm sensibilizimin për liberalizmin e vizave dhe javën që shkoi në kishim fillimin e fushatës për vetëdijesim se çfarë nënkupton dhe çfarë jo liberalizmi i vizave dhe për t’u pezulluar ato duhet të ndiqen hapat e njëjte të cilat janë ndjekur për t’u liberalizuar dhe nuk kemi asnjë njoftim zyrtar për një pezullim siç është thënë më media dhe ne jemi duke e sqaruar me Ambasadën Franceze atë deklaratë” – tha Ahmeti.

    Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në emisionin “Tempus” në KTV, ka thënë se tashmë kjo gjë u qartësua dhe se ishte një gabim në përkthim. Po ashtu presidentja është treguar e gatshme që t’i jap çdo qartësim që presidenca franceze kërkon, në lidhje me situatën në veri.

    “Është sqaruar tashmë. Drejtpërdrejtë na kanë njoftuar institucionet franceze, por edhe nga deklaratat e shumta, se ka qenë një lloj dallimi në përkthim. Ky proces nuk është pezulluar dhe ligjërisht s’mund të pezullohet nga një shtet. Jam e bindur se çfarëdo lloj qartësimi që kërkon presidenti Macron e institucionet franceze mund t’u japim ndërkohë dhe të heqim ndonjë lloj hezitimi që ata mund ta kenë. Por, procesi vazhdon e ky vendim hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024” – tha Osmani.

    Një reagim jo të qartë e ka bërë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Në platformën “X” (ish-Tëitter), ajo ka shkruar në frëngjisht: “Dhe, ja!”, duke e shoqëruar me flamurin e Francës.

    Pas përhapjes së lajmit se Macron ka thënë se është pezulluar liberalizimi i vizave për Kosovën, drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, tha se ka zero mundësi që Franca në mënyrë unilaterale dhe krye në vete të pezullojë liberalizimin e vizave. Sipas tij, Kosova ka kryer të gjitha detyrat e veta dhe mund të rrijë komod për liberalizimin e vizave.

    “Nëse presidenti Macron ka një qëndrim të ri lidhur me liberalizimin e vizave është mirë të sqarohet. Sot ai vetëm ka konfuzuar me deklaratën e tij. Ka zero mundësi që Franca në mënyre unilaterale dhe krye në vete të pezullojë liberalizimin e vizave. Kjo është ligjërisht e pamundshme” – ka thënë Shasha.

    Deklarata e Macronit lidhur me çështjen e vizave në konferencë për media, u ndoq nga një deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili deklaroi se “do të ishte dramatike për Kosovën” që të humbte të drejtën për lëvizje të lirë.

    “Sot Kosova është futur vet në një kurth që ia ka bërë vetës, por s’ka qenë kurrë më mirë. Do të ishte dramatike që të humbiste një të drejtë të fituar që të lëvizë lirisht në Bashkimin Evropian. Dramatike. Ndërkohë, të dyja palët kanë në tavolinë një plan që është plani franko-gjerman, që është gjëja më e mirë e mundshme që mund t’i ndodhë Kosovës” – deklaroi Rama në konferencën e 17 tetorit 2023.

    Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë për KALLXO.com se presidenti Macron e ka përmendur liberalizimin e vizave si një gjest mirëbesimi.

    “Ai (Emmanuel Macron) bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”- thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Francës në Kosovë më 18 tetor 2023.

    Lidhur me pezullimin e mundshëm të vizave, KALLXO.com ka kërkuar informacione edhe nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola Von Cramon, por nuk ka marrë përgjigje.

    Liberalizimi i vizave për Kosovën do të nis nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pasi vendimi ka marrë miratimin në të gjitha instancat e Bashkimit Europian. Vendimi për liberalizmin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill 2023 nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe nga ministrja e Suedisë, Jessika Rosëall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian.

    Më 25 prill 2023, në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian është publikuar rregullorja 2023/850 për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas nenit 2 të kësaj rregulloreje, ajo hyn në fuqi në ditën e 20-të pas publikimit në gazetë zyrtare, që i bie më 15 maj 2023.

    Kosova ka nisur zyrtarisht edhe fushatën informuese për vizat.

    Ambasada gjermane në Kosovë, ka njoftuar se qytetarët që kanë pasaporta të Kosovës se duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt Zonës Shengen pa viza për qëndrime afatshkurtër.

    Sipas njoftimit të ambasadës, udhëtimi pa viza nuk mundëson punën në Zonën Shengen.

    Lajmi Paraprak

    “Shpërndahuni”! Festa me BE mbaroi

    Lajmi i rradhës

    LD: qeveritarët me rroga mbi dy mijë euro, ndërsa pensionistët me 220 euro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë