I dyshimtë fakti që protokolli mbahet i fshehtë nga opinioni!

    Në prag të seancës plenare për propozimin francez, opozita maqedonase kërkon që Qeveria ta publikojë protokollin i cili do të firmoset mes Shkupit dhe Sofjes. Sipas tyre, është i dyshimtë fakti që ky protokoll mbahet i fshehtë.

    “Qeveria ta publikojë protokollin i cili është kontrovers dhe të cilin e fsheh nga opinion në Maqedoni, protokollin i cili sipas informacioneve nga mediat bullgare e fsheh thelbin e bullgarizimit të Maqedonisë, ndryshimin e historisë, ndryshimin e librave, pranimin se gjuha është bullgare si dhe kërkesa të tjera maksmaliste bullgare. Qeveria e drejtuar nga LSDM-ja antimaqedonase e fsheh protokollin nga opinioni në Maqedoni. Nëse nuk është kontestues, atëherë pse MPJ-ja e fsheh dhe nuk e publikon”, u shpreh Ivica Tomovski, VMRO-DPMNE.

    Qeveria thotë se protokolli në fjalë është vetëm procesverbal i takimit të dy ministrive të jashtme dhe kërkojnë të mos spekulohet me përmbajtjen dhe rëndësinë e tij. Protokolli, sipas ekzekutivit, nuk është i lidhur me kornizën negociuese dhe si pasojë nuk do të jetë pjesë e procesit të negociatave të anëtarësimit. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, në intervistë për televizionin Sitel, premton se ai do të publikohet para firmosjes.

    “Procesverbali në vazhdimësi dakordohet  nga të dy anët. Shembull, kishte një version, më pas kisha takim me komisionin, komisioni kishte vërejtjet e tij, përsëri vazhduam me Republikën e Bullgarisë dhe i përfshimë vërejtjet e tyre në procesverbal dhe ai proces vazhdon. Ai do të dakordohet deri në ditën e firmosjes. Kuptohet se para se të firmoset, para se të takohemi me ministren Gençovska unë do ta publikoj atë protokoll për debat publik’’, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

    Për të filluar negociatat e anëtarësimit, Qeveria duhet të pajtohet me katër dokumente, propozim-kornizën negociuese, deklaratën e përgjithshme të BE-së për fillimin e negociatave, propozim-konkluzionet e Këshillit Evropian dhe protokollin bilateral Shkup-Sofje. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Qytetarët në pritje të bulevardit “Cvetan Dimov”

    Lajmi i rradhës

    Punonjësit në çerdhe akoma nuk kanë marrë pjesën e mbetur të pagës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë