Incidente në veri të Kosovës gjatë përgatitjeve për zgjedhje

    Policia e Kosovës konfirmoi se, pasditen e së martës, ndodhën disa incidente në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.

    Policia tha se persona, grupe dhe të dyshuar të maskuar, dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës. Sipas këtij institucioni, në këto incidente janë përdorur “mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”.

    “Policia e Kosovës dhe KFOR-i [njësitet kompetente për deminim] janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes, për pastrimin e zonës, përderisa PK-ja është duke punuar me intensitet të lartë për identifikimin e këtyre personave të dyshuar dhe zhvillimin e hetimeve profesionale për sjelljen e kryerësve të këtyre veprave penale para organeve të drejtësisë”, u tha në njoftim.

    Situata në veri të Kosovës është stabile, tha PK-ja, teksa u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e “deklarimeve tendencioze dhe të pavërteta”.

    Deri më tani, autoritetet nuk kanë njoftuar se ka raporte për të lënduar.

    Më herët, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “grupe të organizuara, me disa individë të maskuar” i sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe policët “me shok bomba dhe të shtëna në ajër”, me qëllim pengimin e tyre nga kryerja e detyrave zyrtare.

    Zyrtarët policorë ishin duke ndihmuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

    Të gjitha këto komuna, të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit.

    Ata dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli më pas 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve atje.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar dhe ka udhëhequr komunat në veri – i kundërshton këto zgjedhje.

    Pranë vendit ku ndodhën shpërthimet në Mitrovicë të Veriut, mbrëmjen e 6 dhjetorit, u panë edhe pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit – EULEX.

    Radoniqi: Nuk mund t’i rrezikojmë zyrtarët zgjedhorë

    Pas incidenteve në veri, anëtarët e KQZ-së mbajtën një mbledhje pasditen e 6 dhjetorit.

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se këto incidente dëshmuan se qasja e KQZ-së është e kufizuar në atë pjesë të vendit.

    Ai tha se pret të shohë raportin e sigurisë për procesin zgjedhor të Policisë së Kosovës, por shtoi se zgjedhjet “nuk mbahen me zor”.

    “Sot kishim planifikuar të shikojmë t’i vizitojmë zyrat tona, për të parë se a kemi qasje. Çfarë është evidente nga raporti dhe nga çka u pa në media, duket se është pak problematike të kemi qasje në zyrat tona”, tha ai.

    Radoniqi shtoi se raporti i policisë do t’i dërgohet edhe Zyrës së Presidentes, së bashku me kërkesat e KQZ-së për të ofruar siguri për zyrtarët zgjedhorë.

    Nuk mund të rrezikojmë jetën e zyrtarëve zgjedhorë, tha ai.

    Megjithatë, ai nuk u pajtua me anëtarët e komisionit, që kërkuan prezencë më të madhe të policisë.

    “Nëse duam të shkojmë me tërë aparatin policor, të armatosur deri në dhëmbë, atëherë çfarë zgjedhjesh duam të organizojmë”, pyeti ai.

    Disa nga anëtarët e KQZ-së kërkuan që Bashkimi Evropian t’i dërgojnë vërejtje Serbisë, për “t’i tërhequr grupet” që janë veri, por nuk specifikuan më shumë.

    Në pjesën veriore të Kosovës, që nga paslufta më 1999, funksionojnë struktura paralele serbe, të cilat mbështeten nga Beogradi.

    Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këto zhvillime, por nuk mori përgjigje.

    Osmani: Bandat kriminale synojnë destabilizimin e Kosovës

    Për incidentet e së martës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri përgjegjëse “bandat kriminale, të përkrahura politikisht dhe financiarisht nga [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq”.

    “Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë të Kosovës, të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetar, pavarësisht etnisë”, tha Osmani gjatë një konference për media në Tiranë, pas samitit të mbajtur midis liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

    Serbia akuzon Kurtin

    Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për, siç tha, “terror” ndaj serbëve.

    Në një postim në Twitter, ai publikoi disa fotografi ku, siç tha, duken ambientet e Komisionit Komunal Zgjedhor na Mitrovicë të Veriut, “të shkatërruara nga forcat speciale” të Kosovës.

    REL nuk e konfirmoi në mënyrë të pavarur vërtetësinë e atyre fotografive.

    Përmes një komunikate për media, të publikuar më herët, Petkoviq tha se qëllim i Kurtit është që “me dhunë dhe me armë t’i rrëmbejë katër komunat në veri” dhe “në to të instalojë përfaqësues shqiptarë, përmes zgjedhjeve jolegale dhe jolegjitime”.

    “Të gjithën e ka kurdisur dhe ia ka bërë regjinë Albin Kurti, derisa në Tiranë po mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor“, tha Petkoviq.

    Kur ka nisur rritja e tensioneve?

    Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur qysh në verë, kur Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do të lejojë më në veri makina me targa që i lëshon Serbia.

    Duke kundërshtuar zbatimin e këtij plani që ka nisur më 1 nëntor, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.

    Kosova dhe Serbia, ndërkohë, kanë arritur një marrëveshje për çështjen e targave, në bazë të së cilës, Prishtina ka pezulluar planin për riregjistrimin e makinave, ndërsa Beogradi është zotuar se nuk do të lëshojë targa të reja për serbët në veri.

    Tash për tash, nuk është e qartë nëse serbët e veriut do të mund të kthehen në institucionet e Kosovës dhe nëse po, si?!

    Zhvillimet e fundit vijnë në ditën kur shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se Prishtinës dhe Beogradit u është dorëzuar teksti i një plani për normalizimin e marrëdhënieve.

    Lajmi Paraprak

    Sulmuan tifozët shqiptarë, arrestohen pesë huliganë të ekipit kundërshtar

    Lajmi i rradhës

    Të mos hash kos, djathë, qumësht – Çfarë i ndodh organizmit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë