Inflacioni bie, por qytetarët në RMV ende nuk e ndjejnë uljen e çmimeve

    Inflacioni në Maqedoni vazhdon të ngadalësohet. Inflacioni vjetor në Maqedoni në qershor ishte 3.4 për qind, pasi ishte 4.8 për qind në maj, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave.

    Inflacioni mbetet nën kontroll dhe aktualisht nuk ka nevojë për masa të reja ndërhyrjeje në treg, thotë Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi, duke shtuar se institucionet po e monitorojnë vazhdimisht situatën në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut. Ai paralajmëroi se nëse regjistrohen sjellje devijante ose rritje të pajustifikuara të çmimeve, institucionet do të ndërhyjnë me masa të përshtatshme.

    “Në të njëjtën kohë, Inspektorati Shtetëror i Tregut kreu kontrolle edhe për muajt mars deri në qershor, për këto 3 muajt e fundit, dhe u konstatua se këto çmime të produkteve me pakicë janë rritur me 0.16%, gjë që rezultoi me një efekt pozitiv si rezultat i faktit se patëm takime me të gjithë shitësit që kanë rrjete supermarketesh dhe i informuam se po i monitorojmë dhe se po rrisin marzhin e fitimit, dhe kjo u reflektua në 3 muajt e fundit dhe kemi vetëm 0.16%”, tha Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë.

    Ekspertët presin që trendi i stabilizimit të inflacionit të vazhdojë në periudhën e ardhshme.

    Profesori Borçe Trenovski, thotë se inflacioni po qetësohet, por se nuk duhet të shpallet fundi i rreziqeve të çmimeve. “Të dhënat tregojnë se në muajin e fundit presioni nuk është më mbi ushqimin, por edhe mbi transportin, duhanin, karburantet dhe disa shërbime. Meqenëse jemi një ekonomi e vogël dhe e hapur, çdo goditje e jashtme, nafta, energjia, konfliktet ose zinxhirët e furnizimit të ndërprerë, mund të transmetohet shpejt në çmimet e brendshme. Prandaj, na duhet një politikë ekonomike e qetë, por edhe e kujdesshme në vend”, thotë Trenovski.

    Sipas tij, në periudhën e ardhshme, është më realiste të pritet që inflacioni të mbetet në një zonë të moderuar, por me luhatje të mundshme. Mesazhi duhet të jetë qetësues shton ai. “Nuk jemi në kulmin e inflacionit të vitit 2022, por nevojitet kujdes, veçanërisht në energji, transport, shërbime dhe shpenzime të brendshme. Politikat ekonomike duhet të jenë të kujdesshme, të ndjekin pritjet e inflacionit dhe të mos krijojnë presione të reja inflacioniste të brendshme përmes shpenzimeve të tepërta publike, rritjes joproduktive të kostove ose marzheve të pakontrolluara”, thekson Trenovski.

    Prandaj, ai thotë se vlerësimi duhet të jetë mesatarisht pozitiv: inflacioni po qetësohet, por ekonomia mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve. “Maqedonia e Veriut është një ekonomi e vogël dhe e hapur, me një varësi të lartë nga importet e ushqimit, energjisë, lëndëve të para dhe kostove të transportit. Prandaj, pasiguria ndërkombëtare, konfliktet, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit, çmimet e naftës dhe energjisë, mund të transmetohen relativisht shpejt në çmimet vendase”, thekson Trenovski. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Më shumë energji diellore, më pak burokraci për qytetarët në RMV!

    Lajmi i rradhës

    Çfarë nuk mund të bëjë inteligjenca artificiale?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë