Inflacioni nuk i ndal qytetarët e RMV për pushime!

    As rritja e inflacionit e as kriza ekonomike nuk janë fakte mjaft bindëse që qytetarët të mos shkojnë në pushime verore. Qytetarët e Maqedonisë vendosin që gjithnjë e më shumë t’i kalojnë pushimet verore në një destinacion më të largët. Përveç plazheve të bregdeteve fqinje, si Shqipëria, Greqia dhe Mali i Zi, ndër destinacionet e preferuara janë edhe Turqia, Egjipti, Tunisi e Qiproja.

    Agjencitë turistike thonë se kanë oferta të ndryshme për xhepin e secilit dhe se pothuajse të gjithë mund të përballojnë një pushim shtatëditor në një nga këto destinacione. “Rezervimet bëhen zakonisht që nga nëntori apo dhjetori për sezonën e verës, sepse shfrytëzohet mundësia e ‘early booking’ apo prenotimit të hershëm i cili ka zbritje. Antalia mbetet destinacioni më i preferuar edhe përkrah rritjes së çmimeve, mirëpo kemi edhe shumë kërkesa për Qipro, Egjipt dhe Tunis. Çmimet për një familje katër antarëshe, pra dy të rritur me dy fëmijë, fillojnë nga 1600 euro. Për çifte, diku nga 400 euro për person, ku përfshihen bileta e aeroplanit, shërbimi i transferit nga aeroporti në hotel dhe anasjelltas, si dhe shërbimi ‘all inclusive’ (gjithëpërfshirës) ose ‘ultra all inclusive’”, tha për gazetën KOHA Liridona Islami- Aliu, menaxherja e agjencionit turistik “Mërgimi Air Travel Agency” në Shkup.

    Interesimi për aranzhmanet gjithëpërfshirëse në dy-tre vitet e fundit ka qenë i madh dhe arsyeja pse një pjesë e madhe e qytetarëve vendosin për këtë lloj aranzhmani është se nuk duhet të shqetësoheni për asgjë, nga udhëtimi deri te akomodimi, ushqimi, pijet. Këtë e thotë edhe një qytetare nga Shkupi, e cila sivjet ka përzgjedhur Antalinë si destinacion për pushime verore.

    “Puna e lodhshme dhe angazhimi i madh i tërë vitit më shtyri që të përzgjedh Turqinë për shkak të standardit të shërbimeve që ofrojnë, duke filluar nga ushqimi dhe akomodimi. Për vete dhe djalin tim, në një hotel me 5 yje dhe shërbim gjithëpërfshirës, kam paguar diku 1300 euro me prenotim të hershëm dhe nuk e mendoj asnjë lloj shqetësimi rreth pushimeve më”, tha Ana Spahiu.

    Edhe pse lufta në Ukrainë është duke vazhduar ende dhe pritet të ketë ndikim edhe më të madh në krizën ekonomike, në anketën e kryer nga gazeta KOHA, 84.6 për qind e të anketuarve thanë që sivjet do të shkojnë në pushim. Rreth 89.4 për qind e të anketuarve që do të shkojnë në pushim, kanë deklaruar se do të pushojnë jashtë vendit, ndërsa të tjerët do të testojnë kuletat e tyre në një destinacion veror vendas. 72.9 për qind e personave që do të shkojnë me pushime kanë deklaruar se u janë dorëzuar aranzhmaneve hotelerike, ndërsa 27.1 për qind në akomodim privat. Asnjë përqindje për adhuruesit e kampingut.

    Nga ata që nuk do të shkojnë me pushime këtë verë, 43.5 për qind deklaruan se nuk kanë kohë, 21.7 për qind nuk kanë financa të mjaftueshme, 15.2 për qind kanë vendosur të kursejnë ndërsa 19.6 për qind për arsye të tjera të papërmendura.

    Që qytetarët e Maqedonisë i vlerësojnë pushimet si nevojë primare tregon pyetja e rradhës “A do të shkurtoni nga nevojat e tjera që të mund të shkoni në pushim?”, ku 56 për qind thanë po, ndërsa 44 për qind thanë që nuk do ta bëjnë. Vetëm 1.9 për qind do të merrnin një kredi për të paguar pushimet, krahasuar me 98.1 për qind që nuk do ta ndërmerrnin një hap të tillë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Ekonomia në RMV nuk prodhon mirëqenie

    Lajmi i rradhës

    Hidratimi, sasia e ujit që duhet të pini në ditë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë