Infrastruktura, kryefjala e komunave rurale në RMV

    Në një seancë solemne është shënuar dita e komunës së Bërvenicës. Këshilltarët e kësaj komune tashmë kanë hartuar edhe një buxhet prej 3.5 milionë euro ndërsa dje kanë ndarë edhe mirënjohje për të arriturat në sfera të ndryshme si në arsim, kulturë, sport e kështu me radhë.

    Sipas kryetarit të këshillit të komunës së Bërvenicës, Benjamin Rushiti, gjatë vitit 2022 janë bërë disa investime infrastrukturore në vendbanimet e kësaj komune, kurse pritet që edhe në vitin e ardhshëm të ketë më shumë investime të kësaj natyre.

    “Edhe pse kemi patur krizë energjetike, megjithatë kemi bërë renovime nëpër shkolla për të kursyer rrymë elektrike. Nëpër disa fshatra në vitin 2023 do të ketë edhe rikonstruim të rrugëve si në Radiovcë, në Çellopek, kurse në fshatin Gurgurnicë është bërë edhe ndërhyrje në rezervuarin e ujit”, tha Benjamin Rushiti, kryetar i këshillit të komunës së Bërvenicës.

    Ndërkaq, ndarja e mirënjohjeve është bërë me një manifestim solemn për të gjithë ata që kanë treguar suksese gjatë vitit 2022. Gjatë këtij manifestimi janë prezantuar edhe projektet e realizuara gjatë këtij viti. Kryetari i komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski shprehet se edhe krahas krizës energjetike dhe shumë vështirësive, kanë arritur të bëjnë disa investime të cilët janë në të mirë të qytetarëve. Ai përmendi edhe investimet në sferën e infrastrukturës, kurse është ndërtuar edhe fushë sporti që mund ta shfrytëzojnë të gjithë.

    “Pasi që jemi komunë rurale, punët kryesore janë në aspektin e infrastrukturës, kryesisht asaj rruge, kanalizimeve dhe rrjeteve të ujësjellësve. Arritëm të bëjmë rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit në një gjatësi prej 3000 metrave në shumicën e vendbanimeve. Kemi asfaltuar shumë rrugë, kemi shtruar pllaka bekatoni, kemi investuar në sport, është renovuar salla sportive, janë riaktivizuar tre klube sportive, kemi ndërtuar fushë sporti për të gjitha klubet sportive. Poashtu kemi investuar në rekreim, siç është parku në Bërvenicë dhe në fshatin Çellopek. Poashtu sikurse këtë vit do të vazhdojmë edhe vitin e ardhshëm me investime në infrastrukturë dhe në renovimin e objekteve shkollore”, tha Jovica Ilievski, kryetar i komunës së Bërvenicës.

    Ndërkaq, nga komuna e Bërvenicës kanë bërë të ditur se janë të përgatitur për sezonin e dimrit dhe mirëmbajtjen dimërore të rrugëve lokale dhe rrugicave për të cilat komuna është përgjegjëse. Gjatë sеzonit të dimrit, korsitë rrugore do të pastrohen sipas prioriteteve në përputhje me Planit Operativ, siç janë pikat kritike, drejtimet e rrugëve deri tek objektet me rëndësi jetike për qytetarët dhe rrugët me rëndësi të veçantë për funksionimin e trafikut. Njëkohësisht apelohet tek të gjithë qytetarët në territorin e komunës së Bërvenicës të mos e hedhin borën e pastruar në rrugë për të mos e komplikuar pastrimin e rrugëve nga shërbimi dimëror i komunës

    Lajmi Paraprak

    KRIZA EKONOMIKE | Pensionistët kërkojnë rritjen e pensioneve

    Lajmi i rradhës

    Drejtësia e Maqedonisë e kalbur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë