Drejtësia e Maqedonisë e kalbur

    Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha të shtunën se është “i tronditur” nga vendimi i Gjykatës së Apelit në Shkup për anulimin e vendimit të Gjykatës Penale, e cila e kishte dënuar me 12 vjet burgim ish-drejtorin e Policisë sekrete maqedonase, Sasho Mijallkov. Mijallkov ishte dënuar lidhur për aferën e përgjimeve që ishte publikuar në vitin 2013 nga ish-kryetari i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev.

    Ish-kreu i Policisë sekrete ishte shpallur fajtor për përgjimin e paligjshëm të mijëra qytetarëve maqedonas, politikanëve, zyrtarëve, gazetarëve, klerikëve, aktivistëve të shoqërisë civile e shumë personave të tjerë, për të cilët dyshonte se ishin kundërshtarë të Qeverisë, që në atë kohë drejtohej nga Nikolla Gruevski. Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin për shkak të siç thuhet “shkeljeve përmbajtjesore të dispozitave të Ligjit mbi procedurën penale”. Lënda kthehet në rigjykim në Gjykatën Penale të Shkupit.

    Presidenti Pendarovski ka shkruar në Facebook se vendimi paraqet disfatë për sundimin e ligjit dhe dëshmi për besimin e ulët të qytetarëve në organet e drejtësisë.

    “Vendimet e tilla vetëm minojnë besimin e qytetarëve se reformat reale në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit janë të mundshme”, ka shkruar Pendarovski. Ka reaguar edhe ish-kryeministri, Zoran Zaev duke e quajtur “skandaloz” vendimin e Gjykatës së Apelit dhe “rrënim të gjithë asaj që është bërë për vendosjen e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut”. “Cili është vendimi i radhës, Mijallkov të bëhet drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit dhe Nikolla Gruevski të kthehet i pafajshëm me kalë të bardhë? Edhe nëse ne nesër bëhemi anëtarë të BE-së, nuk do të lahet këtë turp”, ka shkruar Zoran Zaev në Facebook.

    Shkrimtari i madh Viktor Hygo ka notuar se Gjykatat janë krijuar për t’i dënuar njerëzit e varfër. Kjo më bënë të mendoj se edhe këta në RMV sikur janë krijuar për t’i dënuar të, pafajshmit dhe të varfrit. Kështu e komenton vendimin e Gjykatës së Apelit për lirimin e Mijallkovit, juristi Qenan Aliu.

    “Gjykata e Apelit ka vendosur për ta kthyer lëndën në rishqyrtim në shkallë të parë. Mirëpo e ndryshuan Ligjin për procedurë penale dhe përderisa aktgjykimet të jenë të prera nuk publikohen. Andaj nuk dihet se cilën paskan qenë lëshimet e trupit gjykues në shkallën e parë. Këto janë taktizime që i koordinon krimi i organizuar. Gabime edhe mund të ndodhin por një trup gjykues penal nuk mund të bëjë lëshime elementare procedurale. Këto ndodhin kjo është me qëllim e konstruktuar për qëllime korruptive ndryshe s’ka sesi të kuptohet. Ju lutem kam shkruar disa vite në vazhdim, se disa krime dhe abuzimeme fuqinë e pushtetit në Maqedoninë e Veriut së pari u ligjësuan në një farë mënyre me ligj me ndryshimet dje plotësimet e ligjeve. Kjo bëhej në kuvendin në organin ligjdhënës. Nuk ka dyshim se një dekadë VMRO-BDI hartuan disa ndryshime dhe plotësime për akomodimin e tyre kur të jenë në opozitë. Fatkeqësisht në Kuvend edhe BDI asistoi në këto konstrukte. Për shembull është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për ndjekjen e telekomunikimeve në vitin 2010/12 që përgjim të mund të bëhet pa vendim gjyqësor”. Ndryshime në Kodin Pena, etj. Sasho Mijallkov ishte koordinator i këtyre konstrukteve ligjore. Pra mega skandali i shekullit, përgjimi masiv akoma nuk aktgjykim të plotfuqishëm. Kjo tregon se sistemi gjyqësorë është i kollabuar akoma”, ka deklaruar Qenan Aliu, jurist.

    Afera mbi të cilën është dënuar Sasho Mijallkov me 12 vjet burgim kishte shërbyer si shkas për protesta e tensione të shumta në Maqedoninë e Veriut nga viti 2013 deri në vitin 2016, kur edhe u largua nga pushteti Nikolla Gruevski, tashmë i arratisur në Hungari për shkak të dënimeve me disa vite burgim për shpërdorim të detyrës. Përveç Mijallkovit, për përgjimet e paligjshme me katër vjet burgim janë dënuar edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe dy zyrtarë tjerë të lartë, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, që të dy me 15 vite burgim. Anulimi i vendimit nga Gjykata e Apelit vjen në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me kritika të shumta për punën e gjyqësorit dhe praninë e lartë të korrupsionit.

    Kryetarja e Këshillit të Gjykatësve Vesna Daneva në një deklaratë me shkrim për mediat thekson se të hënën do ta shqyrtojë vendimin e fundit për rastin “Target-Fortesa” dhe më pas do të njoftohet opinioni. “Për shkak të faktit se mbrëmë kuptova nga mediat për këtë rast, në kuadër të kompetencave të mia të hënën do të ndërmarr veprime, ndërsa Këshilli Gjyqësor në kuadër të kompetencave ligjore do ta shqyrtojë rastin. Vë në dukje se Këshilli Gjyqësor nuk ka kompetenca të vlerësojë një vendim gjyqësor, por ka kompetenca ta konstatojë gjendjen gjatë procedurës në kuptim të veprimit”, theksohet në reagimin e Danevës. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Infrastruktura, kryefjala e komunave rurale në RMV

    Lajmi i rradhës

    Dhëmbët e ndjeshëm nga të ftohtat dhe të ngrohtat

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë