Iniciativa e prindërve: MASh të rishikoj konceptin e ri mësimor

    Nga iniciativa e prindërve “Tekste dhe mësim patjetër të ketë” kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), të formojnë një grup punues të përbërë nga prindërit dhe ekspert të tjerë të cilët do të rishikonin konceptin e ri për arsim fillor. Sipas tyre, ky grup punues do të punonte për të gjetur zgjidhje të përbashkët të problemeve në arsimin fillor me theks të veçantë problemet të cilat dolën nga koncepti për arsim fillor të miratuar viti ne kaluar nga ish-ministrja e Arsimit Milla Caroska. Prindërit thonë se ky koncept duhet të rishikohet edhe njëherë sepse nuk është i përshtatshëm.

    Dragana Spasevska, përfaqësuese e prindërve, pas takimit me ministrin Shaqiri, u shpreh se ajo është e kënaqur nga takimi dhe se takimi i tyre ishte konstruktiv. “Presim që MASH së shpejti të formojë këtë grup punues me prindërit dhe së bashku të fillojmë me zgjidhjen e problemeve të shumta që la ministrja e mëparshme e Arsimit, Mila Caroska. Reformat duhet t’i përshtaten nxënëseve, me një analizë dhe rishikim të thellë të konceptit të ri për arsim”, u shpreh Spasevska. Ajo deklaroi se grupi punues i prindërve së bashku me MASH do ta analizojnë konceptin dhe do t’i detektojnë problemet që solli koncepti i ri. Sipas saj, pas detektimit të problemeve do të shohin se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të ndërhyhet në konceptin e arsimit fillor. Spasevska tha se ndryshimet nuk mund të ndodhin menjëherë, por duket të kalohet në faza dhe se do të ketë shumë punë. “Ne do t’ju japim kohë, por është shumë e rëndësishme që prindërit të jenë drejtpërdrejt të përfshirë në grupet punuese të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, tha Spasevska.

    Sipas saj, përveç rishikimit të konceptit për arsimin fillor dhe zgjidhjes së problemeve që dalin nga zbatimi i tij, detyra e grupit punues së prindërve dhe eksperte brenda MASH-it, do të jetë edhe krijimi i një komisioni nacional për arsim, i cili do të duhet të sigurojë pjesëmarrje të gjerë të publikut në krijimin e politikave arsimore dhe ndjekjen e reformave në arsim. “Në grupet punuese duhet të përfshihen edhe institucionet, fushat profesionale – fakultetet pedagogjike, e jo individët siç ka qenë më parë në punën e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Nuk duhet që në MASH të vendosin individët dhe sektori privat”, shtoi përfaqësuesja e prindërve Spasevska.

    Gjithashtu nga iniciativa në fjalë thonë se kërkesa e tyre për zgjidhjen e përbashkët të problemeve është obligim i MASH-it, pasi vendimit të Avokatit të Popullit, që erdhi si pasoj e ankesës së tyre e cila u ngrit pas hulumtimit në të gjitha shkollat fillore në vend. “Kemi marrë një numër mjaft të madh të dhënash dhe argumentesh se Koncepti për arsimin fillor nuk zbatohet siç duhet, pra cenon të drejtat themelore të njeriut, të nxënësve dhe prindërve. Si dhe jo gjithçka është siç thuhet në letër, por realiteti është shumë më ndryshe. Vetë Avokati i Popullit solli propozime për tejkalimin e këtyre problemeve”, potencoi Spasevska.

    Sipas propozimit të tyre, grupi punues i prindërve në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës duhet të marrë pjesë në analizimin dhe përgatitjen e propozimeve për ndryshimin e Ligjit për arsimin fillor dhe ligjeve dhe akteve tjera nënligjore në fushën e arsimit dhe të lobohet për mbështetje sociale. Ndërkohë në lidhje me mbajtjen e maskave në shkolla, Spasevska tha se virusi korona po përhapet në mënyrë të barabartë si në shkolla ashtu edhe institucione të tjera publike dhe prandaj, duhet të mendohet një vendim i drejtë. Në fund nga kjo iniciativë thonë se kur marrim vendime, duhet të jemi më të kujdesshëm ndaj fëmijëve, sepse ata kanë nevojë për zhvillim të duhur. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Kasami rizgjidhet kryetar i Lëvizjes Besa: Faleminderit për besimin

    Lajmi i rradhës

    Kasami: Jemi të hapur për bashkëpunim me opozitën shqiptare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë