Kontrolle të jashtëzakonshme në Komunën e Tetovës solli legalizimi i vilës së ndërtuar pa leje të profesor Faton Murselit në Kodrën e Diellit. Shtëpia moderne është ndërtuar ilegalisht në tokë shtetërore dhe tashmë Agjencia e Kadastrës ka konstatuar se është legalizuar me elaborat gjeodezik të paligjshëm, raporton Investigative Reporting Lab (IRL).
Inspektorati Shtetëror Administrativ ka nisur inspektim të jashtëzakonshëm në Sektorin e Urbanistikës dhe në Inspektoratin Komunal në Tetovë, prokurori publik është duke mbledhur informacione, ndërsa MPB ka njoftuar për paraqitjen e kallëzimit pas dokumentimit të të gjitha detajeve lidhur me legalizimin e paligjshëm të shtëpisë verore në Kodër të Diellit të profesorit Faton Murseli.
Kjo pason pas informacioneve të Investigative Reporting Lab (IRL) në të cilat gazetarët zbuluan parregullsi në procedurën e legalizimit të shtëpisë së ndërtuar ilegalisht 132 m2 në tokë shtetërore, të cilën profesori i dalluar në Universitetin Shtetëror të Tetovës e ka marrë si dhuratë.
“Janë lëshuar dy urdhra për kryerjen e kontrolleve të jashtëzakonshme: urdhër për kryerjen e kontrollit të jashtëzakonshëm në Komunën e Tetovës – Drejtoria për Urbanizëm dhe Menaxhimi i Tokës Ndërtimore dhe Urdhër për kryerjen e kontrollit të jashtëzakonshëm në Inspektoratin Komunal”, kanë njoftuar për IRL nga Inspektorati Shtetëror Administrativ.
Pas përfundimit të inspektimeve të jashtëzakonshme, siç shtoi ky institucion, do të informojnë publikun edhe për rezultatet e kontrolleve.
Në fund të muajit të kaluar, Agjencia e Kadastrës konfirmoi të gjeturat e IRL-së se kishte parregullsi në procedurën e legalizimit të objektit.
IRL publikoi një histori në fillim të marsit duke zbuluar se profesor Murseli mori një shtëpi moderne fundjave në Kodër të diellit si dhuratë në vitin 2024.
Legalizimi i objektit filloi në vitin 2016 kur Sali Iseni nga fshati Nerashtë i Tetovës, i afërm i Murselit, kishte paraqitur kërkesë për legalizim. Ai me deklaratë noteriale ka konfirmuar se shtëpia e pushimit është ndërtuar para vitit 2011, kusht ky i kërkuar nga Ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Por IRL zbuloi se në parcelë nuk kishte shtëpi deri në vitin 2024. Në informacionet për abuzime përfshihet një raport gjeodezik i pasaktë, një mbikëqyrje inspektuese e falsifikuar.
Ministria e Brendshme dhe Prokuroria po hetojnë rastin.
MPB-ja na njoftoi këtë javë se Drejtoria për Punë të Brendshme e Tetovës dhe Prokuroria Themelore Publike e Tetovës janë duke ndërmarrë masa dhe aktivitete për zbardhjen e plotë të të gjitha detajeve të rastit. Pas dokumentimit të plotë, raporti përkatës do t’i dërgohet Prokurorisë Publike të Tetovës, shtoi policia.
Deri më tani, prokuroria nuk është njoftuar për veprimet e ndërmarra apo kallëzime penale, ndërsa Prokuroria Publike e Shtetit ka sqaruar se PTHP Tetovë ende vepron sipas udhëzimeve dhe urdhrave të prokurorit publik.
Në raportin gjeodezik që ishte pjesë e dokumentacionit të nevojshëm për legalizimin e ndërtimeve pa leje, IRL zbuloi se nënshkrimi digjital i Ajdin Nuredinit, udhëheqës i kompanisë gjeodezike Geopolog nga Tetova, e cila dyshohet se ka përgatitur raportin në vitin 2017, nuk përmban datë dhe orë që duhet të garantojë se kur është përgatitur dokumenti.
Agjencia e Kadastrës IRL tregoi se pas një kontrolli në sistemin e tyre gjatë javëve të fundit, ata konstatuan se ky nënshkrim elektronik në dokument është i pavlefshëm.
Përveç kësaj, në elaboratin gjeodezik, gazetarët gjetën një faqe që duken si të dhëna origjinale nga një matje e fushës gjeodezike. Mirëpo, aty nuk gjetën dëshmi elektronike se më 22 shtator 2017 (data e shënuar në dokument) gjeodetët e “Geopologut” kanë qenë në Kodër të Diellit dhe kanë matur shtëpinë për të cilën Sali Iseni kërkonte legalizimin. Por ata kanë përgatitur një elaborat ku thuhet se në vitin 2017 ka pasur një shtëpi 132 metra katrorë në parcelë.
Agjencia e Kadastrës më pas zbuloi se sipas evidencave të tyre, atë ditë në rastin e legalizimit të ndërtimit pa leje të Sali Isenit, nuk kanë bërë fare matje në Kodrën e Diellit, ndonëse Nuredini ka pohuar për IRL se atë ditë në qendrën e skijimit kanë qenë gjeodetët e kompanisë.
Pas këtyre informacioneve, IRL ka pyetur Komunën e Tetovës nëse për shkak të këtyre parregullsive të konstatuara të Agjencisë së Kadastrës janë përgatitur që ta anulojnë Vendimin për legalizimin e vikend-shtëpizës së profesor Faton Murselit.
“Nëse institucionet kompetente konstatojnë shkelje ligjore dhe nxjerrin vendim zyrtar për vlefshmërinë e dokumentacionit të dorëzuar, Komuna do të veprojë në përputhje me ligjin dhe do të ndërmerr masat e duhura, duke përfshirë shqyrtimin e mundësisë së anulimit të vendimit për legalizim”, janë përgjigjur Komuna e Tetovës.
Më 12 qershor të vitit të kaluar, Këshilli i Komunës së Tetovës në seancë votoi për legalizimin e 32 objekteve pa leje. Edhe ndërtimi pa leje i Sali Isenit ka marrë vlerësim pozitiv për legalizim, me vendim të Komisionit të Urbanistikës, të cilin më pas ia ka dhuruar profesor Murselit.
Kryetare e Komisionit të Urbanistikës është bashkëshortja e profesorit, Revide Ramani Murseli. Por edhe pse Komisioni i Urbanistikës mori vendim për legalizimet, siç u tha në seancën e këshillit komunal, Ramani Murseli tha se vendimin për ndërtimet pa leje nuk e ka marrë Komisioni i Urbanistikës, por një komision krejt tjetër.
Nga Komuna e Tetovës njoftuan se ende kanë rreth 2000 kërkesa për legalizim të objekteve pa leje në pritje të vendimit. Ligji i legalizimeve është në fuqi deri në mars të vitit të ardhshëm.