INFLACIONI, BRENGA MË E MADHE: Telashet nuk kanë të sosur

    Inflacioni do të jetë shqetësimi më i madh për ekonominë dhe biznesin vendor këtë vit. Nga Banka Popullore vlerësojnë se çmimet e produkteve primare bazë dhe energjisë së bashku me trendin e inflacionit në ekonomitë evropiane, veçanërisht në mesin e partnerëve tregtarë të Maqedonisë, do të jenë vendimtare për lëvizjen e inflacionit në vend si ekonomi e varur nga importi.

    Nga Oda ekonomike e Maqedonisë vlerësojnë se sfidat e mëdha që e presin vendin në rrafsh ekonomik, kërkojnë edhe një partneritet thelbësor midis komunitetit të biznesit dhe ekzekutivit, apo bartësve të politikave ekonomike.

    “Sfidë e parë do të jetë zvogëlimi i inflacionit, që nuk duhet negativisht të ndikojë në ngadalësimin e rritjes ekonomike. Kjo e përcjellë edhe me tronditjet që vijnë nga shtrenjtimi i energjisë dhe ushqimeve. Sfidë e tretë është ristrukturimi i ekonomisë së Maqedonisë, ndaj një ekonomie më të gjelbër, automatizimi, dhe digjitalizimi me qëllim që ajo të bëhet më konkurruese, më dinamike dhe të çojë drejt rritjes së mirëqenies”, thotë Gligor Bishev nga Oda ekonomike e Maqedonisë.

    Sektori i bankave paralajmëron një rritje të mëtejshme të normave të interesit për konsumin e brendshëm për ta ulur atë në një nivel që do të sjellë një baraspeshë midis ofertës së mallrave dhe shërbimeve. Banka Qendrore siguron se inflacioni do të stabilizohet dhe ngadalësohet në 8 deri në 9 për qind.

    Sipas guvernatores Anita Angellovska Bezhoska, në këto kushte krize fokusi është vendosur në politikat makroekonomike, mirëpo shton se shtytësi kryesor i rritjes janë reformat strukturore. Vlerësimi i saj është se bota nuk po përballet me vetëm një krizë, por me disa kriza të njëpasnjëshme të përmasave të papara deri tani të cilat zgjasin për një kohë të gjatë që janë shumë specifike në natyrën e tyre duke ngadalësuar rritjen ekonomike dhe njëkohësisht rrisin inflacionin.

    Sipas saj, në kushtet kur inflacioni përshpejtohet, hapësira e reagimit të bartësve të politikave makroekonomike është e kufizuar. Nuk ka pothuajse asnjë ekonomi në të cilën inflacioni nuk është përshpejtuar dhe nuk ka arritur nivele të larta historikisht, por ekzistojnë dallime. Sa më e hapur të jetë ekonomia ndaj tregtisë dhe sa më e varur nga importet, veçanërisht në sektorin e energjisë ku tani po ndodhin tronditjet ekonomi në të cilat pjesa e ushqimit dhe energjisë në shportën e konsumit është më e madhe, reagimi është më i theksuar. Një shembull i kësaj është ekonomia e Maqedonisë. ”Ekonomia jonë është e hapur më aspektin tregtar, dy herë më shumë në krahasim me BE-në, ne kemi një varësi shumë më të lartë energjetike. Gjithashtu jo vetëm që jemi të varur nga importi, por mesatarisht përdorim dy deri në tre herë më shumë energji për të prodhuar një njësi të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo do të thotë se ne jemi shumë më të prekshëm apo të cenueshëm. Pjesëmarrja e ushqimit dhe energjisë në shportën e konsumit në vendin tonë është mbi 50 për qind, ndërsa në BE është 30 për qind. Kjo flet qartë për forcën e tronditjes që na godite ne”, thekson Angellovska-Bezhovska.

    Në ndërkohë edhe sivjet nuk pritet të ndalen presionet e çmimeve si rrjedhojë e paqartësive të ndryshme, luftës në Ukrainë që do të sjellë edhe sivjet çmime të larta të prodhimeve primare dhe ushqimeve. Inflacioni i jashtëm në rritje, presion më i lartë i çmimeve pritet në të gjithë partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit, veçanërisht në Gjermani. Inflacioni i importuar, që do të thotë produkte dhe lëndë të para për punë në përgjithësi më të shtrenjta, do të ushtrojë presion edhe mbi inflacionin e brendshëm. Për sa i përket çmimit të naftës, i shprehur në euro, projeksionet për këtë vit janë rishikuar në rritje. “Lëvizje të tilla janë kryesisht rezultat i embargos ndaj naftës ruse nga BE-ja duke filluar nga dhjetori i këtij viti dhe kufizimit të çmimit për transportin detar të naftës ruse, si dhe pritshmërive të investitorëve për një reduktim më të madh të prodhimit të naftës nga OPEC-u”, thonë nga Banka Popullore me një vlerësim se në vitin 2024 pritet ulje i çmimi të naftës.

    Lidhur me çmimet e misrit dhe grurit, vlerësimet fillestare janë në drejtim tjetër, por tani për tani ato flasin për rënie të çmimeve në vitin 2023, kështu që analizat theksojnë se “Vlerësimet e fundit tregojnë për një rënie më të madhe të çmimit të grurit dhe një rënie më të vogël të çmimit të misrit. Korrigjimi në rënie i grurit është në pjesën më të madhe rezultat i prodhimit rekord të lartë të grurit në Rusi”.

    Në sondazhin e fundit të Bankës Popullore, analistët vlerësojnë se pritjet për rritjen e inflacionit janë reflektim i shqetësimeve që lidhen me zgjatjen e luftës në Ukrainë, apo çmimet më të larta të ushqimeve dhe energjisë, ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit global, vazhdimi i imponimit të sanksioneve dhe kufizimet tregtare.

    Mirëpo analistët thonë se paralajmërimet për rritjen e mëtejshme të pagave mund të jetë gjithashtu një faktor rreziku për presionin e çmimeve. “Të anketuarit besojnë gjithashtu se rikthimi në kushte normale të punës, rikuperimi nga pandemia dhe efektet në konsum, rritjet e paralajmëruara të pagave dhe pensioneve, si dhe përkeqësimet e mundshme të furnizimit me energji dhe një rritje e çmimit të saj në tregun e rregulluar mund të çojë në presione të mundshme shtesë inflacioniste”, vlerësojnë analistët në sondazhin e fundit të Bankës Qendrore. Gjithashtu pritshmëritë e tyre kanë se masat e politikës monetare dhe fiskale do të zbusin pjesërisht rritjen e çmimeve. Maqedonia vitin e kaluar e përfundoi me inflacion të lartë prej 14.2 për qind, kumtoi Enti i Statistikës dhe rritje të çmimeve prej 12.6 për qind në total. Inflacioni arriti kulmin në tetor 2022 me 20 për qind, për tu ulur pak në nëntor dhe dhjetor.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, krahasuar me dhjetorin 2021, rritja më e lartë e çmimeve ishte te ushqimet, përkatësisht buka dhe drithërat, me 40 për qind. Më pas pasojnë qumështi, vezët dhe djathi, çmimi i vajit. Nga ana tjetër, janë shtrenjtuar me 23 për qind në një vit edhe perimet si dhe frutat me 13 për qind. Është shënuar edhe një rritje e madhe të çmimeve si për energjinë elektrike ashtu edhe për atë të ngrohjes. /koha/

    Lajmi Paraprak

    13 VITET E PRITJES PËR ÇARSHINË! | As ligji nuk i mbron dot monumentet

    Lajmi i rradhës

    Asnjë i punësuar nuk u pushua nga puna në Dibër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë