Përballje e ashpër e kandidatëve për kryeministër të Britanisë

    Rishi Sunak dhe Lizz Truss janë përballur me njëri-tjetrin sa i përket të ardhmes së ekonomisë britanike, në debatin e tyre të parë televiziv.

    Ish-Sekretari britanik i Thesarit dhe Ministrja e Jashtme britanike garojnë për pozitën e kryetarit të Partisë Konservatore, pozitë që u mundëson me automatizëm edhe pozitën e kryeministrit, pas dorëheqjes së Boris Johnsonit javë më parë.

    Sunak i ka thënë Truss-it se plani i saj për taksa “do të përballë miliona njerëz me mjerim” dhe diçka e tillë do të bie si barrë për Partinë Konservatore në zgjedhjet e ardhshme.

    Truss ka thënë se rritja e taksave, vendim i Sunak-ut, do të çojë në recesion.

    Të dy garuesit – të cilët kanë qenë në kabinetin e njëjtë deri tri javë më parë – kanë pasur me raste qëndrime shumë të ashpra ndaj njëri-tjetrit.

    Pas debatit, mbështetësit e Truss-it janë ankuar se Sunak ka qenë shumë agresiv ndaj saj, diçka që kampi i Sunak-ut e ka mohuar.

    Megjithatë, të dy kanë zbutur tonet në fund të debatit.

    Truss ka thënë se do të donte ta kishte Sunak-un në ekipin e saj, nëse bëhet kryeministre.

    Sunak, në anën tjetër, ka lavdëruar qëndrimin e Trussit ndaj Rusisë.

    Të dy konkurrentët do të bëjnë fushatë në javët në vijim për të bindur rreth 180,000 anëtarët e Partisë Konservatore me të drejtë vote.

    Fituesi i zgjedhjeve do të bëhet publik më 5 shtator.

    Johnson, i cili ka dhënë dorëheqje më 7 korrik, pas disa muajsh të skandaleve etike, vazhdon të jetë në krye të Qeverisë britanike, derisa t’i zgjidhet pasardhësi. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Zjarre aktive në vend ka në Tetovë dhe Strumicë

    Lajmi i rradhës

    Sot hapet ura që do të transformojë udhëtimin në Ballkan

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë