17 të punësuar në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve tanimë 3 muaj kanë mbetur pa rroga, pas ndryshimeve të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese të cilat, krahas gjymtimit të kompetencave kanë shkaktuar vakum ligjor. Ndryshimet i kanë hequr Inspektoratit statusin juridik dhe me këtë, Inspektorati nuk ka më buxhet të cilin vet e menaxhon, por buxheti i saj menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë.
“Të punësuarit në Inspektorat nuk kanë marrë rroga për shkak të nevojës së ndryshimeve dhe harmonizimit të ligjit material të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve me ndryshimet e Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese me të cilin do të ndryshohet statusi i personit juridik”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Heqja e statusit juridik të Inspektoratit, bie ndesh me dy nene të dy ligjeve kyçe që janë në fuqi, në bazë të të cilave funksionon Inspektorati dhe të cilat ia japin statusin juridik.
Konkretisht, Neni 20, paragrafi 1 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është i qartë se Inspektorati që mbikëqyr zbatimin e plotë dhe konsekuent të dispozitave të këtij ligji është në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë, por me cilësi të personit juridik.
E njëjta, përsëritet edhe në Ligjin e veçantë për Inspektoratin e Përdorimit të Gjuhëve, ku theksohet se Inspektorati ka cilësinë e personit juridik.
Praktikisht, prej 1 janarit të këtij viti, sipas ligjeve në fuqi Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve është në një situatë absurde – edhe ka, edhe nuk ka status juridik. Ministria e ka marrë buxhetin, por nuk lëshon rroga pasi nuk është rregulluar statusi i të punësuarve, pasi të njëjtit duhet të bëjnë transferim në Ministrinë e Drejtësisë. Por edhe kjo nuk mund të bëhet, mu për shkak se nuk janë harmonizuar ligjet.
“Buxheti i Inspektoratit është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në pajtueshmëri me Buxhetin për vitin 2025. Ministria e Drejtësisë nuk mund të sigurojë pajtueshmëri buxhetore nga Ministria e Financave për marrjen e të punësuarve, derisa nuk ndryshohet ligji material i Inspektoratit, në të cilin është konstatuar statusi i saj juridik”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Siç mëson Alsat, pavarësisht se nuk kanë marrë rroga, të punësuarit e Inspektoratit i kanë kryer obligimet dhe kanë realizuar planet e inspektimit, megjithatë prej muajit të ardhshëm nuk përjashtohet mundësia që të ndalohet puna për shkak të kësaj situatës. Situata, mund të zgjidhet vetëm nëse Kuvendi ndryshon nenet kontestuese të dy ligjeve me të cilat funksionon Inspektorati. Disa prej punëtorëve të Inspektoratit me të cilin bisedoi Alsat në kushte të anonimitetit, pyesin Ministrinë e Drejtësisë se kur do t’i lëshojë në procedurë parlamentare ndryshimet e ligjeve, pasi 17 familje rrogë. Problem shtesë, është edhe situata që Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ndodhet para Gjykatës Kushtuese ku pritet të mbahet seanca përgatitore pas çka do të vendoset nëse do të hapet ose jo procedurë. Për këtë, institucionet nuk tregojnë vullnet për të prekur ligjet për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. /Alsat/