INTELIGJENCA ARTIFICIALE | Maqedonia e Veriut ka ngecur prapa vendeve tjera

    “Pavarësisht kapaciteteve që kemi, fuqia punëtore në vendin tonë, e kjo ndoshta vlen për të gjithë rajonin, ende është mjaft e lirë sa që nuk ka mjaftueshëm interes për automatizim me IA, prandaj ndoshta për shkak të kësaj kemi perceptimin se jemi duke ngecur prapa” dr. Petre Lameski, prodekan i FINKI-t, shkruan Meta.mk.

    Javën e kaluar në Dubai u vërtetua se kryerja e një operacioni laparoskopik me ndihmën e robotit me inteligjencë artificiale (IA) jep rezultate më të mira se mënyra tradicionale, përkatësisht e redukton ndjeshëm humbjen e gjakut dhe mundëson shërim më të shpejtë të pacientit.

    Edhe pse pothuajse 69 për qind e studentëve në botë besojnë se disa profesione do të merren dhe në të ardhmen do të kryhen nga pajisjet me inteligjencë artificiale dhe 63 për qind besojnë se profesionet e arkëtarit, shoferit dhe përkthyesit janë më të mundshme, shembulli i fundit i ndërhyrjes robotike tregon bota nuk është aq larg ndryshimit të mënyrës së menaxhimit të profesioneve që ndikojnë në kompetenca më të mëdha.

    “Pyetja nuk është nëse ndonjë punë që e bëjnë njerëzit do të automatizohet, por kur”, thotë për Meta.mk Petre Lameski, docent dhe prodekan për mësimdhënie në Fakultetin e Shkencave të Informacionit dhe Inxhinierisë Kompjuterike.

    Dr. Lameski sqaron se përfitimet e përparimeve shkencore në fushën e inteligjencës artificiale do të mundësojnë që punët të cilat dikur kërkonin 20 ose 30 persona, do t’i kryejë vetëm një person i cili do të merret me konfigurimin e makinave dhe monitorimin e proceseve.

    “Pjesën fizike të punës do ta marrin përsipër makineritë “inteligjente”. Disa muaj më parë pata mundësi të vizitoj një fermë pothuajse plotësisht të automatizuar në Holandë. Një deri dy persona janë fuqi punëtore e mjaftueshme për të mbuluar të gjithë procesin e kultivimit dhe përkujdesit për 50 lopë qumështore. Diçka që do të ishte e paimagjinueshme pa përdorimin e makinerive inteligjente dhe automatizimit. Sigurisht që ky nivel automatizimi kërkon edhe sigurimin e logjistikës speciale dhe infrastrukturës shtesë”, thotë ai.

    Dr. Petre Lameski është i angazhuar aktivisht në hulumtime në fushën e inteligjencës artificiale dhe aplikimin e saj në financa, mjekësi, ekologji dhe bujqësi. Përveç kësaj, ai punon në mënyrë aktive si konsulent për zhvillimin e aplikacioneve që përdorin inteligjencën artificiale për kompanitë vendase dhe të huaja.

    Sipas tij, në një të ardhme të afërt, IA do të zëvendësojë ato profesione që janë më të lehta për t’u automatizuar, gjegjësisht, siç shpjegon ai, profesionet ku proceset e punës janë të përsëritshme, kurse në një të ardhme më të largët do të zëvendësojë edhe profesione më të komplikuara (siç është rasti në disa nga vendet më të zhvilluara) madje edhe ato profesione që kërkojnë kualifikime të larta, si shkencëtarë, mjekë dhe inxhinierë.

    Zhvillimi i pajisjeve me inteligjencë artificiale

    “Tashmë ka dyqane në të gjithë Evropën ku numri i arkëtarëve është reduktuar në minimum duke përdorur kasat që llogaritin automatikisht shumat duke i vendosur të gjitha produktet në një shportë. Aty ku këto sisteme janë të pranishme, paga mesatare e arkëtarëve është mbi 2000 euro. Automatizimi i proceseve, me apo pa IA, bëhet aty ku është me kosto efektive dhe siç e përmenda më herët, të gjitha profesionet që ekzistojnë sot do të automatizohen, me shumë gjasa duke përdorur IA”, thekson Lameski.

    Si arsye për zëvendësimin e profesioneve me IA, ai e vë në pah shembullin e Britanisë së Madhe ku, siç thotë ai, ka mungesë të kuadrove të caktuara.

    “Në mungesë të personelit mjekësor dhe në përpjekje për të ulur kostot në sistemin e tyre shëndetësor, Britania e Madhe po investon seriozisht në përdorimin e robotëve që shfrytëzojnë IA për të zëvendësuar mjekët dhe infermierët në shëndetin publik”, thotë Lameski.

    Sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk ngec prapa vendeve tjera, përkundrazi, universitetet dhe institutet tona janë duke punuar në mënyrë aktive në kërkime në fushën e inteligjencës artificiale.

    “Si shembull do ta veçoj FINKI-n si fakultet lider në fushën e shkencës dhe teknologjisë në vend madje edhe në rajon. Një pjesë e mirë e profesorëve dhe asistentëve që punojnë në FINKI hulumtojnë në mënyrë aktive dhe të përkushtuar në këtë fushë. Gjithashtu, studentët që studiojnë në FINKI njihen me trendet dhe arritjet më të fundit në fushën e IA. Pra, në vend po prodhojmë kuadro që mund të përballojnë të gjitha sfidat dhe që mund të udhëheqin zhvillimin e IA në industrinë vendase”, thekson dr. Lameski.

    Ndikimi i IA në sjelljen njerëzore

    Lameski thekson se IA tashmë është përhapur rreth nesh dhe ne jemi mësuar me ndikimin e saj, aq sa nuk mund ta imagjinonim jetën tonë të përditshme pa atë që na mundëson IA.

    “Fushatat e partive politike që i analizojnë grupet e synuara dhe marrin vendime bazuar në ato analiza, lejojnë IA të ndikojë drejtpërdrejt në vendimet tona politike. Kamerat e celularëve përdorin algoritme të IA për të përmirësuar imazhin që marrim. Aplikacionet që matin aktivitetin përdorin sensorë në kombinim me algoritmet e IA për të klasifikuar aktivitetet tona (çiklistë, ecje, vrapim etj.)”, thotë prodekani i FINKI.

    Abuzimi dhe kontrolli i pajisjeve me inteligjencë artificiale

    Sipas Dr. Lameskit, kontrolli i IA mund të arrihet vetëm përmes rregullimit të përdorimit të IA dhe transparencës.

    Unë do të krahasoja mjetet që na i ka mundësuar zhvillimi i IA me thikën si mjet në kuzhinë dhe thikën si armë në fushën e betejës. Diku këto mjete do të jenë të dobishme dhe diku do të shkaktojnë dëm në varësi të aplikimit të tyre. Në fund të fundit mjeti përdoret nga njerëzit dhe përgjegjësia bie mbi ata që e përdorin atë – kështu e përshkruan Dr. Lameski abuzimin e mundshëm të inteligjencës artificiale nga njerëzit.

    Transparenca e IA ka shkaktuar mjaft interes në qarqet shkencore në periudhën e fundit dhe për studimin e saj janë ndarë shumë burime.

    “Qëllimi është të bëhet ndonjë makinë apo softuer që në të njëjtën kohë do të jetë mjaft efikas dhe i saktë në punën e tij dhe do të jetë në gjendje të japë llogari për punën. Mjetet që përdorin IA edhe tani e bëjnë këtë, por ata e bëjnë atë në një gjuhë që vetëm inxhinierët dhe shkencëtarët mund ta kuptojnë. Po punohet intensivisht për të hequr këtë mangësi të IA. Mendoj se politikat e rregullimit të IA do të shkojnë në drejtim të ndërtimit të sistemeve të bazuara në IA që janë transparente dhe vendimet e të cilave mund të shpjegohen”, thotë Dr. Lameski.

    Ai thekson se nevojitet rregullimi, i cili duhet të synojë parandalimin e aplikacioneve të dëmshme, të cilat njëkohësisht do të mundësojnë zhvillimin e mëtejshëm të inteligjencës artificiale.

    “Po bëhet e pamundur të ndiqet zhvillimi i inteligjencës artificiale në atë masë sa që në të ardhmen do të jetë e nevojshme të trajnohet një inteligjencë artificiale që do të ndjekë zhvillimin dhe do të bëjë përmbledhje për ne. Është interesante se tashmë ka metoda që e mundësojnë këtë”, thotë Lameski.

    Ekzistojnë gjithashtu armë ushtarake që përdorin teknologji IA dhe vendet shumë të zhvilluara tashmë janë në një garë për të krijuar armë të tilla më të përsosura.

    “Përderisa disa vende e mbirregullojnë të qasjes në të dhëna, vende të tjera po krijojnë risi mjaft të avancuara duke përdorur të dhënat që i  kanë në dispozicion, ndonjëherë duke injoruar rregullat dhe normat etike”, nënvizon Lameski.

    Njerëzit, pajisjet dhe makineritë që ne përdorim, madje edhe vetë natyra përreth nesh, gjenerojnë një sasi të madhe të dhënash çdo ditë.

    “Ne mund këto të dhëna t’i mbledhim dhe t’i regjistrojmë dhe në bazë të tyre, duke përdorur metodat që na i ofron IA, të dizajnojmë dhe prodhojmë pajisje të ndryshme inteligjente nga të cilat do të përfitojmë ne dhe shoqëria jonë”, thekson Dr. Lameski.

    Lajmi Paraprak

    Vuçiq: Qeveria e ardhshme serbe nuk do të jetë antiruse

    Lajmi i rradhës

    BDI publikon listën e kandidatëve për këshilltarë në Tetovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë