Investimet e huaja, pro dhe kontra

    Me investimet strategjike në fushën e energjisë që duhet të votohen në Parlament, shteti pret të ketë një furnizim më të lirë dhe të qëndrueshëm me energji elektrike dhe ngrohje. Në pesë vjet, investitori grek Mytilineos duhet të ndërtojë centralin e ri me gaz, i cili do të zëvendësojë TE-TO ekzistues. Kjo është pjesë e katër investimeve strategjike me vlerë 786 milionë euro, të cilat tre muaj para zgjedhjeve janë para deputetëve në seancë plenare. Toka shtetërore në të cilën do të ndërtohen nuk do të tjetërsohet, por do të jepet me qira afatgjatë. Pas përfundimit të qirasë shtetërore të tokës, investitorët strategjikë do të duhet t’i dorëzojnë objektet shtetit për një euro për metër katror. Këto janë disa nga planet qeveritare për energjetikën.

    Autoritetet presin që vendi përfundimisht të dalë nga kriza energjetike dhe pikërisht për këtë kompania energjetike e shtetit , filloi me iniciativa për investimet e veta. Tashmë ka nënshkruar memorandum me kompaninë amerikane “General Electrics” për ndërtimin e centralit me gaz në Termocentralin Negotinë me fuqi të instaluar prej 800 megavatësh dhe në Termocentralin në Manastir për 300 megavat shtesë. Përveç kësaj, ata janë duke zhvilluar negociata me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe për instalimin e reaktorëve të vegjël bërthamorë në vend, çmimi i të cilëve është rreth dy miliardë euro për një kapacitet të instaluar prej 470 megavat.

    Investimet strategjike pritet që shtetit ti sigurojnë stabilitet energjetik përmes uljes së vartësisë nga importi, ku vetëm investitori grek Mitilineos do të ndërtojë centralin me gaz që do të zëvendësojë centralin ekzistues TE-TO. Termocentrali i ri duhet të prodhojë mbi 270 gigavat orë energji termike në vit, e cila sipas Qeverisë nuk do të jetë tepricë sepse planifikohet të bëhet kyçja e ngrohjes edhe për 35 mijë përdorues të tjerë.

    TETO NXIRET JASHTË LOJE

    “Gjatë krizës energjetike, u shpenzuan paratë që mund të investoheshin në kapacitete të reja energjetike për subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët dhe ekonominë me 400 milionë euro, andaj po kërkohen investitorë strategjikë për të investuar në kapacitete të reja prodhuese të energjisë në vend”, thotë zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi.

    Në vitin 2022, TETO prodhoi energji termike prej 307 gigavat orë, janë harxhuar gjithsej 517 gigavat orë, me shifra të tilla lind pyetja nëse termocentrali grek do të nxjerrë jashtë treg TETO-n ekzistues, që është edhe një investim privat. Andaj shtrohet pyetja se çfarë do të bëhet me nxehtësinë e tyre?.

    “Shkoni pyetni partnerët e tyre, kur ne ne duhej më shumë për energji ata na shantazhuan. Negociatat me ta gjatë krizës ishin aq të gjata dhe të vështira. Njëherësh centralin TETO do ta shkyçim sepse është investim rus. Shpejt do të fillojë ndërtimi i gazësjellësit me Greqinë dhe ne nuk do të jemi më të varur nga ata”, thekson Bytyqi.

    Përveç projektit për ndërtimin e centralit të Militineos që pritet të zvogëlojë ndotjen në Shkup dhe kostot e sistemit shëndetësor, planifikohen edhe tre investime tjera strategjike për të cilat janë propozuar edhe ligje në Parlament. Ndër to është Green TECK, i cili duhet të ndërtojë termocentrale në Shtip dhe Shën Nikollë me gaz dhe diell. Gjithashtu planifikohet edhe parku diellor Stipion në Shtip me 400 megavat dhe investim prej 270 milion euro dhe termocentrali në Pehçevë.

    Mytilineos, pritet të ndërtojë një central kogjenerues me gaz apo edhe për ngrohje edhe për rrymë, një investim me një vlerë të planifikuar prej 290 milionë euro. Ngrohja për qytetarët pritet të jetë me 40 për qind më e lirë. Ai do të ndërtohet në tokë shtetërore në hapësirat e ish uzinës së hekurit në Shkup, për të cilin është e nevojshme të bëhet zonë industriale. Formulë për të cilën është rënë dakord për llogaritjen e çmimit të energjisë elektrike është që do të blihet në 20 vitet e ardhshme, i cili do të jetë të paktën 5 për qind më i ulët se çmimi i tregut. Impianti duhet të ketë një kapacitet të instaluar prej 165 megavat dhe një prodhim vjetor prej 1100 megavat orë energji elektrike dhe do të jetë i mirë për balancimin e sistemit. Gjithashtu, energjia termike që do të prodhojë do t’i shitet shtetit 40 për qind më lirë se çmimi i tregut. Për tokën shtetërore do të japë qira 0.1 euro metri katror dhe 2 euro në vit për metër katror për mirëmbajtje. Pas investimit të realizuar, ajo do të përfitojë 50 milionë euro ndihmë shtetërore të shpërndara me këste për një periudhë pesëvjeçare. Është e nevojshme të ndërtohet vetëm një kilometër tubacion për t’u lidhur me sistemin ekzistues të ujit të ngrohtë në Shkup.

    KUNDËRSHTIMET PËR INVESTIMIN E MITILINEOS
    Disa nga inxhinierët tashmë kanë reaguar ndaj ligjeve me theks tek Mytileneos. Ata kërkojnë që ai të ndërpriten menjëherë në mënyrë që të mos kërcënohet sovraniteti energjetik i vendit.

    Nga VMRO DPMNE kërkuan tërheqjen e ligjeve të tjera të propozuara për projekte strategjike, mirëpo kjo nuk u pranua nga shumica parlamentare. Këto ditë disa nga ekspertët kanë shkruar një letër duke kërkuar nga deputetët që të ndalojnë këto ligje sepse shkatërrojnë sovranitetin energjetik të shtetit. Reagimet më të shumta ka pasur për Mytileneos, pra për ndërtimin e impiantit të ri të kogjenerimit në Shkup. Analizat e tyre treguan se investitorët do të pasurohen në kurriz të shtetit që do ta pësojë.

    Shoqata e inxhinierëve të Republikës së Maqedonisë dërgoi një letër dhe mesazh elektronik për secilin deputet në Kuvend individualisht, me të cilën kërkon që të mos përkrahen katër, siç thonë ata, projektligjet e dëmshme për zbatimin e strategjisë, apo projektet e investimeve në energji sepse cenojnë sovranitetin energjetik të shtetit.

    “Ne jemi të vetëdijshëm dhe të sigurt se projektet energjetike mund dhe duhet t’i realizojmë me përpjekjet tona. Ata duhet të jenë tona maqedonase , për të forcuar sovranitetin energjetik të Maqedonisë, si një nga faktorët kyç për sovranitetin e saj shtetëror. Marrëveshjet që janë pjesë përbërëse e këtyre katër ligjeve të propozuara janë të dëmshme për ekonominë tonë dhe do të shkaktojnë kolaps financiar të Maqedonisë. Me rreziqe shumë më të vogla dhe me një qasje shumë më ekonomike, vendi ynë mund t’i realizojë ato projekte në mënyrë të pavarur. Vetëm Mytileneos merr një fitim të garantuar mbi 40 milionë euro në vit dhe do të ketë një fitim neto prej të paktën 1.2 miliardë euro për 30 vjet sa zgjat marrëveshja e partneritetit strategjik dhe pas 30 vitesh nuk duhet të kthejë termocentralin Maqedonisë”, theksojnë inxhinierët.

    Sipas profesorit universitar Konstantin Dimitrov, shteti duhet të investojë mjetet e veta për të ndërtuar objektet vetanake për të plotësuar nevojat e qytetarëve. Cilat janë përfitimet e qytetarëve në Maqedoni, veçanërisht në Shkup, nga ndërtimi i këtij kapacitetit energjetik? “Ne do të blejmë energji elektrike dhe ngrohje me një sasi të garantuar dhe me një çmim tregu (dhe ndoshta pak më të shtrenjtë). Nëse nuk e marrim për një sërë arsyesh (të shënuara në mënyrë perfekte në kontratë), prapë do ta paguajmë atë sikur ta ketë prodhuar dhe dorëzuar”, vlerëson Dimitrov.

    Lajmi Paraprak

    Faturat e mistershme – Kush po e paguan rrymën në veri?

    Lajmi i rradhës

    Kapacitete të pamjaftueshme në kopshtet e RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë