Kapacitete të pamjaftueshme në kopshtet e RMV

    Në një vend si Maqedonia, ku familjet e zgjeruara ende ekzistojnë si dhe duke pasur parasysh që jetojmë në një shtet të varfër ku të dy prindërit detyrohen të punojnë, rëndësia e çerdheve është aq e madhe sa nënkupton ekzistimin e mundësisë që një prind të gjej vendin ku mund t’i jep fëmijës atë që ndoshta nuk mund të ia jap vet, diku shkaku i punës dhe kufizimeve në kohë, e diku tjetër shkaku i më shumë fëmijëve dhe obligimeve tjera familjare.

    Instituti IDEA përmes një hulumtimi të realizuar në muajin janar mbi gjendjen e kopshteve për fëmijë ka identifikuar kapacitete të pamjaftueshme të kopshteve për fëmijë si dhe nivel të ulët të investimeve për zgjerimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së kopshteve në vend.

    Në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë 81 kopshte publike dhe 38 private të cilat kanë objekte të shumta nën ombrellën e tyre. 63.1 për qind ose 210 të objekteve janë të shpërndara nëpër komuna urbane ndërsa 36.9 për qind ose 123 objekte në ato rurale. Kjo ndarje tregon një infrastrukturë relativisht më të koncentruar në zonat urbane krahasuar me ato rurale, gjë që vendos në dizavantazh fëmijët dhe nënat në zonat rurale.

    Ndërkaq, të dhënat e siguruara nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale flasin për një sfidë të konsiderueshme në përballjen me kërkesën në rritje për arsim parashkollor, ku në dhjetor të vitit 2022, lista e pritjes për vende në çerdhe ishte 5695 fëmijë të cilët nuk mund të akomodoheshin në çerdhe për shkak të mungesës së vendeve. Përveç mungesës së vendeve të lira nëpër kopshte, të dhënat flasin edhe për një stërngarkim të tyre, me vetëm 8 objekte kopshtesh për çdo 1000 fëmijë të regjistruar, duke theksuar nevojën urgjente për më shumë investime në arsimin parashkollor. Në vend ka gjithsej 80 komuna, 67 prej tyre kanë kopshte, kurse 13 nuk kanë asnjë kopsht. Prej komunave me shumicë shqiptare dhe me kryetar të komunës shqiptarë, kopshte kanë 9 komuna, kurse pesë të tjera nuk kanë asnjë kopsht në komunën e tyre, edhe atë: Komuna e Haraçinës, Zhelinës, Studeniçanit, Tearcës dhe Bogovinës.

    Nga ana tjetër, sa i përket investimeve në kopshte, në vitin 2022, 42 komuna kanë aplikuar për hapjen ose përmirësimin e kopshteve ekzistuese, ndërsa vetëm katër aplikime janë pranuar, edhe atë në komunën e Krivo Pallankës, Velesit, Kisella Vodës dhe Berovës. Gjatë periudhës 2018-2022 nga komunat drejt Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale janë dorëzuar 223 kërkesa për kopshte të reja ose përmirësim të atyre ekzistuese, ndërsa janë pranuar vetëm 65 apo 29 për qind të kërkesave. Ndërsa në Maqedoni ka nivel të ulët të regjistrimit të fëmijëve në arsimin parashkollor, edhe atë me vetëm 41për qind në krahasim me 81për qind të OECD-së dhe pothuajse 100 për qind të BE-së. Kjo sinjalizon një nevojë të madhe për zgjerim të kapaciteteve për vende të lira në çerdhe.

    Ndryshe, Instituti IDEA rekomandon që Qeveria dhe autoritetet lokale të rishikojnë dhe të rrisin buxhetet e tyre për arsimin parashkollor, të përqendrojnë përpjekjet në zgjerimin e infrastrukturës ekzistuese dhe në themelimin e kopshteve të reja, veçanërisht në ato komuna ku mungesa është më e ndjeshme. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Investimet e huaja, pro dhe kontra

    Lajmi i rradhës

    Toshkovski: letërnjoftimet do të jenë të vlefshme deri në afatin e tyre të rregullt

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë