INVESTIMET KAPITALE | Fryhen në letër, shkurtohen në praktikë

    Me rishikimin e arkës së shtetit javën e kaluar nuk do të realizohen investimet kapitale të vlefshme 800 milionë euro. Gati 295 milionë euro në vend për realizimin e projekteve të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, energjetike dhe komunale, si dhe investimeve kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor dhe arsimor, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe gjyqësor, do të destinohen për 10 për qind të rritjes së pagave në sektorin publik, 80 për qind të rritjes së pagave të funksionarëve, rritjes së pensioneve, pakon e nëntë të masave antikrizë dhe subvencione.

    Mjetet më së shumti do të shkurtohen për investimet në infrastrukturë si dhe për mallra dhe shërbime. Me këtë vetëm po vazhdohet trendi i viteve të kaluara të qeverive të ndryshme që fillimisht kanë premtuar investime më të mëdha kapitale, që më vonë nuk do të realizohen.

    Profesori universitar Neritan Turkeshi thotë se përvojat e viteve të kaluara tregojnë se investimet kapitale në parim kanë pasur një realizim diku me 70 deri 80 për qind në raport me planifikimet fillestare. Mirëpo, shton ai, në një kohë krize duhet pasur parasysh edhe nevojat për rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe të subvencioneve të ndryshme, si dhe masat për zbutjen e inflacionit.

    “Në teorinë ekonomike investimet kapitale paraqesin një mbështetje të fuqishme të rritjes së ekonomisë, mirëpo duhet analizuar edhe kapacitetet administrative për realizimin e investimeve kapitale, sa janë mirë të planifikuara ato dhe pse nuk po realizohen si duhet investimet në autostradat për shembull ku si duket edhe deri në fund të vitit nuk do të përfundojë një aks I rëndësishëm rrugor si ai Kërçovë-Ohër, ose pse ka ngecje në përfundimin e dy kilometrave të rrugës Bllacë-Shkup”, shton ai.

    Njëherësh nevojitet një debat më serioz dhe jo nën trusninë e politikës ditore, pse me vite nuk po realizohen ndërtimi i kapaciteteve të rëndësishme energjetike që nënkuptojnë rrymë më të lirë dhe më pak import të saj.

    “Mbetet edhe të përmirësohet planifikimi, realizimi dhe mbikëqyrja më e madhe në çdo tremujor e realizimit të investimeve kapitale dhe të shikohet se çka me të vërtetë pengon realizimin e tyre në teren. Pra nga planifikimi deri te realizimi mbetet të anulohen dhe përmirësohen dobësitë dhe mangësitë e ndryshme”, konstaton Turkeshi.

    Deri në fillim të shtatorit janë realizuar afër 430 milionë euro apo 54 për qind nga mjetet e planifikuara. Në vitin e kaluar u realizuan 465 milionë euro nga 620 milionë euro që u planifikuan në fillim. Me rishikimin e buxhetit 2022,investimet kapitale u shkurtuan nga 620 në 530 milionë euro.

    Në vitin 2021 u realizuan 380 milionë euro apo 97 për qind e mjeteve të planifikuara për investimet kapitale. Analiza e institutit për hulumtime dhe politika ekonomike “Finance Think”, nga fillimi i vitit tregon se “pavarësisht nga projeksioni fillestar, kapaciteti aktual për realizimin e shpenzimeve kapitale sillet deri në 450 milionë euro në vit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Nga sot fillojnë të zbatohen dënimet më të ulëta të Kodit Penal (Infografik)

    Lajmi i rradhës

    Komunat dhe shkollat në RMV bëjnë ç’ju teket me sallat e sportit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë