Komunat dhe shkollat në RMV bëjnë ç’ju teket me sallat e sportit

    Pavarësisht numrit të madh të objekteve sportive, stadiumeve e sallave komunat nuk i vënë në funksion të komunitetit. Në rastin më të keq jepen me qira në mënyrë jo transparente, ose falas, ose nuk përdoren për shkak të kontesteve juridike… Këto janë disa nga rezultatet e hulumtimit “Piketimi i gjendjes me objektet sportive në komunat Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Negotinë, Strumicë, Tetovë, Çair dhe Shtip”, i realizuar nga Qendra e komunikimeve qytetare dhe i mbështetur nga Mbretëria e Holandës.

    Sipas hulumtimit vetëm 46 nga 124 ambiente sportive në dispozicion të shkollave janë dhënë me qira (36% e objekteve). Shkollat i japin me qira objektet sportive pasi kanë marrë pëlqimin nga komunat, por pa shpallur paraprakisht thirrje publike për të gjithë të interesuarit, me përjashtim të dy shkollave. Ndryshe nga komunat, të gjitha shkollat që japin me qira sallat dhe ambientet e tyre sportive paguhen për këtë shërbim, por me tarifa të paunifikuara që variojnë nga 200 deri në 1.300 denarë në orë.

    “Lejimi i përdorimit të vetëm një të tretës së objekteve në dispozicion të komunave dhe shkollave tregon për shfrytëzimin e pamjaftueshëm të tyre. Njëkohësisht, kjo flet për dobësi në menaxhim dhe pamundësi që objektet sportive të shfrytëzohen nga pjesa më e madhe e mundshme e popullsisë vendase dhe të gjenerohen të ardhura që më pas do të investohen në mirëmbajtjen dhe modernizimin e rregullt të tyre”, thuhet në hulumtim.

    Komuna e Tetovës është ndër të paktat komuna që realizon të ardhura nga qiradhënia, mirëpo, jo në mënyrë transparente. Komuna nuk ka një akt të brendshëm që do të rregullonte procedurën e përzgjedhjes së përdoruesve/qiramarrësve të objekteve sportive, as nuk praktikon shpalljet publike sipas kushteve dhe kritereve të qarta.

    “Në Komunën e Tetovës, nga 13 shkolla që kanë objekte sportive, vetëm 5 i japin me qira personave të jashtëm juridik dhe fizik. Diferenca të mëdha janë vërejtur në çmimet e emetimit, si dhe mungesa e transparencës së procesit”, thuhet në hulumtim.

    Ndërsa komuna e Çairit disponon vetëm sallën sportive “Partizani”, ndërsa “Shaban Tërstena” menaxhohet nga ndërmarrja publike “Shkupi i Vjetër”, por që të dy nuk përdoren. “Partizani”, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga zjarri në vitin 2011, ndërsa “Shaban Tërstena” për shkak të kontesteve juridike. Komuna e Çairit ka 11 shkolla (10 fillore dhe një të mesme, që zotërojnë 12 objekte sportive, nga të cilat 8 salla sportive, 3 kënde sporti dhe një shkollë ka një stadium sportiv. Vetëm njëra figuron si qiradhënëse.

    “Me qira vetëm një objekt për sport brenda shkollave dhe ai nga klubi sportiv shkollor (Tefejuz), për të cilin nuk paguhet asnjë tarifë. Shkollat nuk publikojnë thirrje publike për dhënien me qira të objekteve sportive”, thuhet në hulumtim.

    Konkluzioni është se mungesa e akteve të brendshme që do të specifikojnë qartë menaxhimin e objekteve sportive flet për dobësi në menaxhimin e objekteve, që padyshim rezultuar me situatën në të cilat një pjesë e konsiderueshme e objekteve sportive nuk janë funksionale, e një pjesë e tyre edhe pse funksionale nuk shfrytëzohen. /koha/

    Lajmi Paraprak

    INVESTIMET KAPITALE | Fryhen në letër, shkurtohen në praktikë

    Lajmi i rradhës

    Maqedoni, kujdes i pamjaftueshëm për mjedisin!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë