Investimet publike jo vetëm që nuk kanë sjellë rezultate në zhvillimin rajonal, por janë bllokuar në prioritetet lokale. Bëhet fjalë për 76 projekte të financuara nga shteti me një total prej 33.2 milionë eurosh, si edhe projekte për menaxhimin e mbetjeve në të tetë rajonet, të financuara përmes kredive, granteve dhe fondeve buxhetore me një total prej 144 milionë eurosh.
Analiza e kryer nga Revizioni mbulon periudhën 2021-2023 ka konstatuar se rezultatet nuk janë arritur, përzgjedhja e projekteve nuk është efektive për të financuar projekte investimesh publike për nevojat e qytetarëve me ndikim në zhvillimin rajonal, pa monitorim dhe sistem për vlerësimin e qëndrueshmërisë së projekteve para se ato të miratohen dhe pas përfundimit. Revizioni po ashtu ka konstatuar se mungon sistemi për matjen dhe njohjen e projekteve sipas praktikave të BE-së dhe s’ka kritere të qarta për të përcaktuar nëse një investim bie në kategorinë e projekteve me ndikim rajonal apo projekteve të zhvillimit lokal.
Nga buxheti i shtetit fondet u transferuan te komunat pa transparencë për përzgjedhjen e komunave, 72 për qind e granteve kapitale u ndanë drejtpërdrejt te 41 komuna për 67 projekte, pa një thirrje publike dhe direkt me vendime të Qeverisë. Nuk u zbatua asnjë procedurë për përzgjedhjen e komunave dhe projekteve, dhe nuk u vendos asnjë monitorim efektiv i zbatimit të tyre. Për rrjedhojë disa prej tyre janë ende në fazën fillestare ose ende nuk kanë filluar. Si fonde të destinuara për zhvillim të balancuar rajonal, nuk merren parasysh investimet publike të Ndërmarrjes për Rrugët, që në vitin 2023 arritën në 388 milionë euro.
Qytetit të Shkupit, që në periudhën 2021–2023, i janë ndarë 720 milionë denarë për projekte infrastrukturore, fondet janë ende në llogari dhe zbatimi nuk ka filluar, ose është në fazat fillestare, si projekti për kryqëzimin midis bulevardit Nikolla Karev dhe atij Sllovenia (120 milionë denarësh), ndërtimi i plotë i Korridorit Jugor, bulevardit ASNOM dhe bulevardit Hasan Prishtina (600 milionë denarësh).
Sa i takon menaxhimit me mbeturinat është planifikuar formimi i pesë ndërmarrjeve mes tyre në Shkup Drislla, Pollogu – Rusinos (Gostivar), financuar nga grantet e BE dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Por Rajoni i Shkupit, megjithëse më i vogli në sipërfaqe dhe më i madhi në popullsi, ende nuk është përfshirë në projektet për një sistem rajonal të menaxhimit të mbeturinave, megjithëse ekziston mundësia e arritjes së efekteve më të mëdha.
Pavarësisht aktiviteteve përgatitore, zbatimi i fazës së tretë për ndërtimin e Deponisë Rajonale dhe Stacioneve të Transferimit po vazhdon me vonesa të konsiderueshme, gjë që çon në një rrezik fiskal të humbjes së fondeve të grantit të alokuar të BE-së. Përveç kësaj, si rezultat i zgjatjes së afateve dhe rritjes së kostove, buxheti i projektit është rritur me 40 për qind. |
“Për shkak të anulimit të një pjese të fondeve të alokuara IPA në vitet 2022 dhe 2023 dhe rritjes së kostos së projektit, ndërtimi i deponisë rajonale dhe stacioneve të transferimit do të financohet në shumën prej 65 për qind fonde kombëtare dhe 35 për qind fonde të BE-së, gjë që devijon ndjeshëm nga ndërtimi i parashikuar fillimisht prej 85 për qind pjesëmarrjeje të BE-së dhe 15 për qind pjesëmarrje kombëtare. Nëse nuk sigurohet përfundimi në kohë i fazës së tretë deri në vitin 2026, ekziston rreziku i humbjes së plotë të fondeve të alokuara të BE-së”, thuhet në analizë. /Koha/