Ish-objekti i shkollës medicinale në Tetovë i jepet Kadastrës, Kasami: Grubi dhe BDI u hakmerret tetovarëve

    Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami sot në një konferencë për media tha se BDI dhe LSDM vazhdojnë me hakmarrje ndaj Tetovës. Kasami shtoi, se sikur nuk ka mjaftuar neglizhenca e plotë e qeverisë me vërshimet dhe dëmet që pësuan tetovarët gjatë ditëve të kaluara, andaj në mënyrë hakmarrëse Artan Grubi, ka nënshkruar një vendim, me të cilin godina e vjetër e shkollës medicinale i jepet në shfrytëzim të përhershëm Kadastrës së Tetovës, njofton Nistori.

    “Me këtë vendim ky objekt i jepet në shfrytëzim Kadastrës pa asnjë nevojë dhe pa u konsultuar me askënd. Ne e vlerësojmë këtë vendim si arbitrar dhe si një hakmarrje për t’i dënuar nxënësit e Tetovës dhe arsimin në Tetovë, kur dihet se ky objekt është shfrytëzuar për mësim më herët, por edhe aktualisht. Ky vendim është një tendencë dashakeqe e Grubit për t’i dëmtuar nxënësit tetovarë dhe për të krijuar probleme të panevojshme, në kohën kur arsimi në Tetovë ka nevojë për hapësira dhe modernizim. Qeveria LSDM-BDI, me këtë vendim i atakojnë nxënësit e Tetovës, duke u pamundësuar atyre që të kenë hapësirat e nevojshme për proces mësimor normal. Kjo është goditje edhe për trashëgiminë arsimore të Tetovës, kur dihet se kjo godinë me vite ka nxjerrë gjenerata të nxënësve edhe në kohët më të vështira dhe më të egra për Tetovën. Ky vendim është vendim turpi dhe hakmarrje, vendim që nuk është marrë as në kohërat më të këqija për Tetovën.” – deklarohet Kasami.

    Sipas tij, me këtë vendim qeveria e RVM, ka shkelur Ligjin për arsim fillore dhe të mesëm. Ndryshimet e Ligjit për arsim të mesme janë bërë në vitin 2004, ku pronësia ose objektet shkollore dhe pasuria e patundshme e shkollave transferohet tek pushteti lokal respektivisht u jepen komunave.

    “Në Nenin 112, Paragrafi 1 i Ligjit për arsim të mesëm thuhet: Pronësia e objekteve shkollore dhe prona e shkollave të mesme nga paragrafi 1 i këtij neni me vendim të Qeverisë i kalojnë komunës. Ndërsa me vendimin e fundit qeveria Kovaçevski-Ahmeti, jo vetëm që ka shkelur Ligjin për arsim të mesëm, por në të njëjtën kohë nuk njeh edhe vendimet e vetë qeverisë. Një vendim i jashtëligjshëm i qeverisë me të vetmin qëllim për të dëmtuar arsimin në Tetovë.” – u shpreh Kasami ndër të tjera.

    Çfarë do të ndodh me nxënësit që vijojnë mësimin në ish-objektin e shkollës medicinale?

    “MASh nuk ka reaguar, fatkeqësisht. Në kohër kur tash nxënësit duhet të fillojnë shkollën, ne ballafaqohemi me një situatë të tillë, ku dëmtohet vet procesi arsimor. Nxënësit do të vazhdojnë të mësojnë aty, ne nuk mund të zbatojmë një vendim kundër ligjit, nxënësit do të vazhdojnë të mësojn aty.” – u përgjigj Kasami ndër të tjera.

    Kasami tha se do ta paditë qeverinë në Gjykatën Administrative, dhe se për të njëjtin vendim do të informojë edhe ambasadat në vend dhe se kadastra duhet ta kthejë godinën dhe të veprojë sipas ligjit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Shteti i paguan 350 mijë euro në vit Bankës europiane pasi Arsovska nuk e ndërton metronë e autobusëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë