Shteti i paguan 350 mijë euro në vit Bankës europiane pasi Arsovska nuk e ndërton metronë e autobusëve

    Nga buxheti i shtetit, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i paguhen 350 mijë euro në vit interes, sepse kryetarja Danela Arsovska nuk i përdor paratë nga kredia prej 70 milionë euro për futjen e Buss transit sistem (BRT), gjegjësisht nuk e ndërton metronë e autobusëve në Shkup, raporton Sdk.

    Tramvaj

    Paratë mbeten të paprekura, përkatsisht nuk shfrytëzohen dhe për këtë arsye shteti paguan interes, sepse Arsovska që nga ardhja në detyrë në nëntorin e kaluar tha se nuk do ta ndërtojë metronë e autobusëve. Ajo tha se ishte projekt i paraardhësit të saj Petre Shilegov dhe qytetarët e kanë zgjedhur atë dhe projektin e saj për 250 autobusë ekologjikë. Paratë nuk mund të ripërdoren dhe të përdoren për projekt tjetër, sepse në marrëveshjen me BERZH-it thuhet se është miratuar pikërisht sepse BRT vlerësohet shumë nga ekspertët evropianë si një projekt i gjelbër që do të mundësojë transport miqësor ndaj mjedisit dhe më të shpejtë në qytet.

    Ministria e Financave disa herë ka kërkuar përgjigje nga Arsovska se çfarë planifikon të bëjë me këtë projekt, por ajo nuk i përfill dhe nuk u përgjigjet pyetjeve dhe thirrjeve të tyre.

    “Zbatimi i projektit për futjen e transportit BRT është në kompetencë të Qytetit të Shkupit, nga ku Ministria e Financave edhe pse në disa raste ka dërguar kërkesë me shkrim, nuk ka marrë komente për statusin dhe planet për realizimin të projektit. Kushtet për përdorimin e fondeve përcaktohen me Marrëveshjen e huasë. Duke qenë se nuk ka filluar zbatimi i projektit, sipas marrëveshjes, fondet nuk janë tërhequr dhe janë në llogari të BERZH-it. Sipas kushteve të fondeve të patërhequra paguhet interes prej 0.5% në vit”, thanë nga Ministria e Financave.

    Kredia prej 70 milionë eurosh është miratuar nga BERZH-i vitin e kaluar në prill dhe është menduar për futjen e dy linjave nga Gjorçe Petrovi në Novo Lisiçe dhe nga Kisella Voda në Butel. Kredia është marrë nga shteti dhe është nënshkruar nga ministri i Financave Fatmir Besimi, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski, ish-kryetari Petre Shilegov dhe përfaqësuesi i BERZH-it në vend Andi Aranitasi. Në tetor në faqen e BERZH-it u publikua tenderi ndërkombëtar për futjen e BRT-së në Shkup, për të cilin Arsovska e ndërpreu procedurën pas marrjes së detyrës.

    “Projekti do të mbështesë përpjekjet e qytetit në trajtimin e sfidave të transportit publik në mënyrë më efikase dhe më të strukturuar, përmes përgatitjes dhe zbatimit të një plani të qëndrueshëm të lëvizshmërisë urbane. Ballafaqimi me ndotjen në Shkup është prioritet dhe mirëpresim përkushtimin e autoriteteve për veprim të vendosur dhe të shpejtë, ku BERZH është i gatshëm për mbështetje të plotë, gjë që e tregon edhe nënshkrimi i sotëm i këtij projekti”, tha përfaqësuesi i BERZH-it në vend Andi Aranitasi gjatë nënshkrimit të huasë.

    Kryetarja Arsovska në muajt e fundit nuk tregon nëse zyrtarisht e ka njoftuar BERZH-in dhe Qeverinë se nuk do ta ndërtojë metronë e autobusëve. Ajo vazhdimisht refuzon t’u përgjigjet pyetjeve gazetareske për këtë temë, ashtu siç refuzon t’i përgjigjet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

    Në korrik të këtij viti ajo tha se janë duke u zhvilluar negociata dhe kur të përfundojnë do ta informojë opinionin. E pyetur se pse po i zhvillon negociatat kur tha se nuk do ta ndërtojë metronë e autobusëve dhe nëse kjo do të thotë se po tërhiqet nga deklarata fillestare, Arsovska nuk dha përgjigje konkrete por tha se po punon në interes të qytetarëve me qëllim që të kenë edhe transport publik cilësor.

    Projektin e metrosë së autobusëve Qyteti e kanë bërë me ekspertë të huaj, për dy linjat, nga Gjorçe Petrovi në Novo Lisiçe dhe nga Buteli në Kisela Vodë, linja perëndim-lindje është e gjatë 12.8 km në një drejtim, me 21 stacione. dhe veri- jug është 10.4 km e gjatë dhe ka 20 stacione autobusi. Sipas vlerësimeve fillestare, numri i përafërt i pasagjerëve që do të përdorin itinerarin e parë do të ishte rreth 65,000 në ditë. Me zbatimin e fazës së parë, pritej që koha e udhëtimit nga 70 minutat e tanishme të zvogëlohet për më shumë se 50 për qind, frekuenca e autobusëve të rritet në 3-4 minuta dhe nga Gjorçe Petrovi në Novo Lisiçe të arrihet për 35 minuta.

    Lajmi Paraprak

    Escobar: Kosova dhe Serbia të zotohen se nuk do të ketë dhunë

    Lajmi i rradhës

    Ish-objekti i shkollës medicinale në Tetovë i jepet Kadastrës, Kasami: Grubi dhe BDI u hakmerret tetovarëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë